Kronika e zeze

Me kartë identiteti në dorë studentja hidhet nga kati i 11, pas ndarjes nga i dashuri

Tiranë. Vetëvritet Klea Shyti, 20 vjeçe. Tri orë para ngjarjes piu kafen e fundit me ish të dashurin. Dëshmitë e momenteve fatale 

Shkaku – Policia mendon se pas ndarjes prej tre muajsh, ish i dashuri kërkonte që të takoheshin, por të mos ishin më të dashur dhe ajo nuk pranonte

Banorja – Një nga banoret e katit të 11 të pallatit tha se “dikush e kishte parë që mezi mbushej me frymë, kur mbërriti në katin e 11”

Paqartësia – Disi i paqartë mbetet momenti i hapësirës prej rreth tri orësh (18:00-21:00). Nuk dihet nëse ata janë ritakuar pas orës 18:00, kur u ndanë

Nga Mariglen Mullai

Studentja ekselente e Ekonomikut ngjiti në këmbë 11 kate për t’u hedhur në hapësirën boshe në mes të shkallëve të brendshme të pallatit, duke i dhënë fund jetës vetëm tri orë pasi kishte bërë sherr me të dashurin. Banorët e pallatit e gjetën pa jetë dhe me kartë identiteti aty pranë, ndërsa çantën e kishte lënë në katin e 11. Siç duket, 20-vjeçarja Klea Shyti nuk e përballoi dot mbarimin e lidhjes së saj dashurore dhe tre muaj pas ndarjes kërkonte lidhje stabël. Por kundërshtimi i të dashurit për ribashkim dhe tentativa e tij për lidhje “mendjehapur”, shkaktoi një mërzi të tillë te vajza, saqë ajo vendosi të vetësakrifikohej pikërisht për dashurinë. Këto janë pistat paraprake ku po bazohet Policia e Tiranës, në analizimin e kësaj ngjarjeje tragjike, shtuar faktin që 20-vjeçarja është vajza e një sekretare në Prokurorinë e Tiranës. Gjithçka ndodhi parmbrëmë rreth orës 09:00, në Rrugën e Kavajës, ku mendohet se banonte i dashuri, ndërsa vajza ishte banore në rrugën “Ali Pashë Gucia”, përballë gjimnazit “Partizani”, ku jetonte me nënën dhe motrën e vogël, pasi prindërit i kishte të divorcuar. Prej vitesh familja Shyti kishte ardhur nga Fieri dhe jetonte në Tiranë, ku ajo ndiqte studimet e larta, në vitin e dytë të Fakultetit të Ekonomikut, ndërsa e motra 16-vjeçare është në gjimnaz. Miq, shokë e shoqe të fakultetit, shkuan dje për ngushëllime dhe shumica morën pjesë në përcjelljen për në banesën e fundit në Sharrë, rreth orës 15:00, të ditës së djeshme. “Nuk e besoj dot që Klea nuk është më. E kishim krenarinë e grupit”, thotë një bashkëmoshatare. Edhe fqinjët shprehën gjithashtu respekt për vajzën, që e cilësuan si tepër të sjellshme në lagje. Sakaq, banorë të pallatit ku ndodhi ngjarja e rëndë shprehin tronditjen që nisi që kur dëgjuan zhurmën dhe deri në mbërritjen e policisë. Tashmë procedurat e fundit kanë të bëjnë me mbledhjen e dëshmive, që nga ajo e të dashurit, te familjarët e deri te rrethi shoqëror, për të mësuar më tepër për rrethanat e ngjarjes.

Vetëvrasja

Nga dëshmitë e deritanishme është mësuar që Klea Shyti nuk ishte kthyer në shtëpi pasditen e djeshme, që pas mbarimit të orëve mësimore. Burime të besuara pranë Policisë së Tiranës thanë për gazetën “Shqip”, se para orës 18:00 e deri rreth orës 21:00, ajo ka qenë me të dashurin e saj, pasi kishin për të sqaruar disa çështje të lidhjes së tyre. Me shumë gjasë, referuar këtyre burimeve, në dëshminë e tij, djali ka rrëfyer për policinë se prej tre muajsh ata nuk frekuentoheshin më, por megjithatë takoheshin shpesh. Takimi i fundit ka ndodhur mes tyre në një nga lokalet e Rrugës së Kavajës, ku i dashuri kishte shtëpinë. Ky i fundit dyshohet se ka mbajtur qëndrimin e njëjtë, pra të takimeve pa lidhje dashurie, ashtu siç kishte funksionuar këta tre muaj, që pas ndarjes. Mirëpo, kësaj radhe qëndrimi i vajzës ka qenë tepër agresiv dhe duket se Klea ishte e vendosur në një përgjigje përfundimtare, pra ose ribashkim ose ndarje totale. Në fund, vendosën që të ndaheshin përfundimisht, pra të mos takoheshin më dhe prej atij çasti janë ndarë prej njëri-tjetrit. Disi i paqartë mbetet momenti i hapësirës prej më shumë se dy orësh (18:00-21:00), pasi ata u ndanë pas orës 18:00. Nuk dihet nëse ata janë ritakuar sërish ose 20-vjeçarja ishte me ndonjë person tjetër para ngjarjes. Në orën 21:00, Klea Shyti ngjiti në këmbë shkallët e brendshme (ashensori funksionon me kartë në atë pallat) dhe pasi futi celularin në xhep dhe mori kartën e identitetit në dorë, u hodh në boshllëk. “Dëgjova një zhurmë që ngjante me një shpërthim të lehtë”, thotë banorja e katit të 11, duke shtuar se “dikush e kishte parë që mezi mbushej me frymë”. Banorët e tjerë interpretuan kryesisht zhurmën, ndërsa askush nuk kishte dëgjuar ndonjë fjalë para se ajo të hidhej. Ata lajmëruan policinë dhe pas identifikimit të menjëhershëm, u lajmërua familja, teksa trupi i saj i pajetë u dërgua për autopsi në morg. Momentalisht ngjarja është cilësuar si “vetëvrasje” nga policia, por hetimet po vijojnë deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ikjes së parakohshme të studentes së shkëlqyer të Ekonomikut.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button