Me lot ashtu si në lindje
Romani i Ornela Vorpsit “Vendi ku nuk vdes kurrë” shkruar në frëngjisht vazhdon të tërheqë vëmendjen e shtypit të huaj
“Kjo është një fotografi që më magjeps”. Ornela Vorpsi shkruan kështu te libri “Vendi ku nuk vdes kurrë”. Një foto që të kujton orët para pasqyrës të çdo vajze në Shqipërinë e paraviteve ’90-të, veshur me fustanin e bardhë dhe me lule në duar, duke parë në pasqyrë reflektimin e vetes, para se jeta e saj të ndryshojë përgjithmonë. Në Shqipërinë e asaj periudhe martesa të çonte drejt një jete tjetër, nga ku kthimi mund të ishte vetëm i dhembshëm. “Kjo foto ka tërhequr vëmendjen time, duke studiuar çdo dritëhije të saj, vellon, mënyrën sesi flokët e nënës sime japin atë ndjesinë e ditës së madhe, duke humbur qetësinë. Është zakon në vendim tim që një nuse të qajë ditën e martesës së saj, për të treguar se sa e shqetësuar është që po lë nënën dhe babanë. Kjo është mënyra sesi njerëzit martohen aty, duke qarë ashtu si në lindje”, shkruan ajo. Vorpsi ka studiuar arte në Akademinë e Arteve në Brera, si dhe Akademinë e Arteve në Tiranë. Piktura është një tjetër medium ku ajo shpreh të padukshmen. Po kështu fotografia. Njohëse e mirë e fotos, ajo kërkon të shohë përmes ngjyrave që ravijëzohen në fytyrën e nënës në foto, për të kuptuar gjendjen e saj. “Me kalimin e kohës një njollë ngjyrë kafe filloi të shfaqej në foto, duke mbuluar fytyrën e nënës sime lehtë. Kjo pasi, kishte lagështi në dollap. Sa herë shoh këtë foto më vjen të qaj, duke imagjinuar kohët sesi flokët e saj do të shndërroheshin në gri”, shkruan Vorpsi. Fotografia që ajo ka zgjedhur duket kaq e bukur, por historia e bën të trishtë. Duke besuar tek e brendshmja, Ornela merr historinë e saj personale, për ta zhvilluar në një kontekst më të gjerë, që është në një farë mënyre jeta e pjesës më të madhe të femrave në historinë e asaj periudhe. Ishte vështirë të gjeje femra të lumtura. Gjithë letërsia e Vorpsit është një ravijëzim i kujtesës. Dhe pse nuk shkruan në shqip, por në frëngjisht dhe italisht, ngjarjet dhe historitë që përshkruan vijnë nga jeta e saj në Shqipëri. Vajza e një ish të burgosuri politik, ajo nuk i ka harruar ende shtatë vitet e kaluara pa babanë që ishte futur në burg padrejtësisht. Nuk mund të harrojë as vitet e pritjes së nënës, që krijuan dalëngadalë botën hulumtuese të detajeve brenda saj. Kur vonë nisi të shkruante, Ornela ndjeu se kujtesa e çonte pikërisht te këto histori dhe se Shqipëria që ajo ishte përpjekur t’i largohej menjëherë pas hapjes së kufijve në vitet ’90, nuk kishte ikur prej saj. Ajo ishte aty më e fortë se asnjëherë duke u shndërruar në rreshta në librat që shkroi. Dhe libri “Vendi ku nuk vdes kurrë” për të cilën kritika franceze vazhdon të shkruajë është një lloj autobiografie e Shqipërisë. Ka shumë femra në të, duke zbuluar historinë e një vendi me të shkuar të trishtë përmes historive të këtyre vajzave. Në një bisedë me gazetaren franceze, Brigitte Ollier, Ornela shprehet: “Personazhet e mia (vajza të vogla) janë qenie njerëzore të pastra, të painfektuara nga shteti. Ato e vëzhgojnë atë shoqëri të pakuptimtë sipas ligjeve të natyrës. Janë vajza të zgjuara e të padjallëzuara e, njëra prej tyre, jam unë”. Rrëfimi i saj është i sinqertë, ashtu si në libër. Kjo është një ndër arsyet që lexuesit e duan Vorpsin, ajo me historitë që shkruan të futet direkt në zemër dhe mbetet aty. Kjo, pasi vajza që iku për të “shpëtuar” nga ky vend, dhe pse ka mundur të rritet profesionalisht të tërheqë vëmendjen e kritikëve dhe përkthyesve të huaj, vazhdon të besojë se letërsia nuk mund të jetë një ikje nga realiteti. Dhe sado i bukur të jetë Parisi, nuk mund t’i zhbëhe kujtesën, dhe se e vetmja gjë që mund të bëjë për dhjetëra modele femërore me të cilat ajo u rrit gjatë adoleshencës dhe rinisë, ishte një libër për to, për vuajtjet e tyre. Libri i Vorpsit është përkthyer dhe në anglisht nga Robert Elsie dhe Janice Mathie Heck. Librat e Vorpsit nuk janë përkthyer ende në shqip, një zgjedhje kjo e autores për të mos u botuar ende në vendin e origjinës.