Opinion

Me miq si Trump, Kanadasë nuk i duhen armiq

Nga THOMA GËLLÇI

Donald Trump, i cili sapo ka siguruar mandatin e tij të dytë presidencial, ka kthyer vëmendjen e tij drejt një shënjestrimi të pazakontë: Kanadasë, fqinjit të qetë dhe aleatit të përhershëm të Shteteve të Bashkuara. Me retorikën e tij provokuese, ai po e trajton Kanadanë si një “shtet vasal” dhe jo si një komb sovran. Kjo sjellje kujton situatat absurde të paraqitura nga Bernard Shaw në komedinë e tij politike “Gjithçka mirë që përfundon mirë”, ku një mbret i Anglisë përballet me absurditetin dhe arrogancën e një propozimi amerikan për t’i diktuar rregullat botës, duke përfshirë edhe heqjen dorë nga Deklarata e Pavarësisë.me pak fjalë , propozimini ambasadorit amerikan për mbretin e Anglisë ishte që Amerika nuk do të ishte më e pavarur por do të ishte nën Britaninë. Kuptohet që në kushtet kur Amerika është superfuqi globale, vënia nën kurorën britanike përkthehet qartë si vënia e Kurorës nën drejtimin amerikan

Trump ka përdorur një përzierje të taktikave bulliste dhe përpjekjeve për t’u tallur me kryeministrin kanadez Justin Trudeau, duke e quajtur atë “guvernatorin e shtetit të 51-të.” Për ta përforcuar këtë retorikë, ai ka publikuar një fotomontazh ku flamuri amerikan mbulon hartën e Kanadasë – një imazh që nxjerr në pah jo vetëm arrogancën e tij, por edhe indiferencën e tij ndaj rregullave bazë të respektit midis kombeve. Sikur të mos mjaftonin këto, ai ka kërcënuar Kanadanë me tarifa të larta që do të dëmtonin rëndë ekonominë kanadeze.

Komedia e Shaw-së satirizon pikërisht këtë lloj arrogance globale. Në lojën e tij dramatike, një propozim i imagjinuar i Amerikës përpiqet të dominojë botën, duke e trajtuar çdo komb tjetër si një shtesë të pushtetit të tij. Në rastin e Trump-it, retorika e tij nuk duket më aq satirike, por alarmante. Kanadaja është një vend me identitet të qartë kombëtar, një ekonomi të zhvilluar dhe një sistem politik që mishëron vlerat demokratike, por sjellja e Trump kërcënon ta trajtojë si një “shtojcë” të Shteteve të Bashkuara.

Si në komedinë e Shaw-së, ku mbreti i Anglisë përballet me absurdin amerikan duke përdorur ironinë dhe dinjitetin, edhe kryeministri në largim Trudeau është përpjekur të mbajë një qëndrim të qetë dhe diplomatik. Megjithatë, kur arroganca kalon çdo kufi, Kanadaja mund të jetë e detyruar të reagojë më ashpër për të mbrojtur sovranitetin e saj.

E gjithë kjo ngjarje ngre pyetje serioze për qëllimet dhe strategjitë e Trump-it. A është kjo një përpjekje për të shmangur vëmendjen nga problemet e brendshme të SHBA-së? Apo një dëshirë për të rikonceptuar marrëdhëniet ndërkombëtare si një lojë dominimi ku fuqia zëvendëson bashkëpunimin?

Në komedinë e Shaw-së, arroganca e propozimit të presidentit të Amerikës përfundon në një përplasje groteske që nxjerr në pah absurditetin e përpjekjeve për të sunduar botën. Kanadaja, ashtu si mbreti i Shaw-së, po përpiqet të qëndrojë në pozicionin e saj të palëkundur dhe të tregojë se respekti dhe bashkëpunimi janë më të forta se kërcënimet.

Një marrëdhënie aleate midis dy kombeve nuk mund të ndërtohet mbi presion dhe tallje. Me një mik si Trump, Kanadasë nuk i duhen armiq – sepse arroganca e tij është vetë rreziku.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button