Me opinion kjo punë
Duke kujtuar një shprehje të shekullit që iku

Kush nuk i mban mend vitin e parë në shkollën e mesme apo universitet? Ishim të trembur, me emocione e pasiguri: “Do ndrit apo do fikem?” Ky dyshim na merrte gjumin. Ne kishim lënë pas fshatin, baltën, “bukën e misrit” dhe, me valixhe druri e libra në sqetull, ishim në kërkim të dijes dhe një drite tjetër. Ajo kohë nuk përsëritet, por nuk duhet harruar. Është shënuar në “celuloidin” e trurit tonë. Pak, shumë pak, i “dogji malli” dhe u kthyen nga erdhën. Ne vazhduam me libra e ëndrra. Nuk u dorëzuam. Durimi, netët e gjata në “karrige që kërcisnin” dhe puna mbi libra na doli mbarë.
Mbaj mend habinë kur dëgjonim: “Me opinion është kjo punë… krijo opinionin, pastaj ai punon për ty.” Nuk e kuptonim. Na dukej shprehje boshe. Ne, ato vite, besonim te puna, jo te “opinioni” që flitej. Për çdo provim ishim seriozë, të përqendruar te leximet e netëve të vona, jo te ajo pëshpëritej. Por erdhi një kohë dhe pashë “grackën” e opinionit: notat e mira filluan të “flisnin”. Vëreja se “libreza me 10-ta” bënte punën e vet, por jo po të ishe “kungull” ama. Atëherë e kuptova: opinioni ekziston. Ai “punon”. Por jo pa punën tënde. Është një mburojë që duhet ta ndërtosh vetë dhe ta mbash po me mund.
Atë kohë, shembujt e vërtetë nuk i krijonin ekranet, gazetat apo zhurma, por, mbi të gjitha, puna e individit në trysni. Ajo kohë më njohur me njerëz që “jetojnë” me mua. Sot, sipas meje, ndodh krejt ndryshe. Opinioni ndërtohet, financohet, zhurmohet dhe media e lloj-llojshme është si një “artileri e rëndë” që prodhon figura dhe iluzione verbuese, shpesh me njerëz bosh. Dikush habitet, zë “kokën me dorë”, se i njeh nga afër, shumë afër, por ndërkohë, ata janë “ngjitur lart”. Nuk rrëzohen, sado t’i kundërshtosh me fakte e të vërteta alarmante, sepse, për këtë sërë njerëzish, “opinioni punon” më fort se e vërteta.
Para syve tanë, njerëz pa vlerë ngrihen në tribuna e mbeten në ekrane. Edhe kur janë të provuar si të rremë e klounë të pështirë, “opinioni” për ta, në një shumicë idiotësh, nuk ndryshon. Mund të shkruash, të provosh, të argumentosh, por “opinioni” që na habiste në rininë e hershme mbetet “shkëmb graniti”. Ai është bërë si një vulë në shpinën e shoqërisë, një “bunker” ku nuk hyn dot Njeriu. Beteja mes së vërtetës dhe iluzionit, mes punës dhe opinionit, nuk mbaron kurrë. Në këtë përplasje, shpesh fiton ai që ndërton e fabrikon opinionin, jo ai që ka të drejtë apo flet “me mend në kokë”… (Cilin të sjellim si shembull?… Ju keni më shumë se unë.)
Ndoshta dikur gabova kur nuk e mora seriozisht shprehjen “me opinion kjo punë”. Por nuk ndiej keqardhje, sepse nuk u bëra dembel. Zgjodha punën si “opinionin” e mendjes dhe “kallot” në duar. Dhe sot ende besoj se vetëm puna dhe zelli për të ndryshuar e mbushur mendjen tënde plot, i japin vlerë e ndriçim opinionit dhe emrit tënd.
Jetoj në Amerikë, ku llafet, pa punë, “të lënë në rrugë”. Këtu të mat puna. Dhe megjithatë, edhe këtu e kuptova sa e ndërlikuar është kjo çështje.
Opinioni i zhurmshëm… një “qiell i rëndë” mbi njeriun që di. Një betejë që vazhdon e do vazhdojë…



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.