Ekonomia

Me targa të huaja: Kontroll makinave, nuk njihen më lejet e policisë kufitare

Hyn në fuqi më 1 shtator. Kush përfiton nga regjimi i lejimit të përkohshëm të importit të një automjeti? Gjobat për shkeljen e afatit gjashtëmujor, rastet kur bëhet kallëzim për kontrabandë

Regjistrimi – Kusht i regjimit të lejimit të përkohshëm të importit të një automjeti për përdorim privat, të ketë regjistrim të përhershëm jashtë Shqipërisë

Përfituesit – Vizitorët jorezidentë që vijnë në Shqipëri me automjetet e tyre dhe largohen me këto mjete; të huajt që punojnë apo studiojnë në Shqipëri

Afati – Automjeti mund të përfitojë nga regjimi i lejimit të përkohshëm për një periudhë prej gjashtë muajsh brenda çdo periudhe prej 12 muajsh

Zhdoganimi – Pas mbarimit të afatit gjashtëmujor, automjeti duhet të dalë nga vendi ose duhet të deklarohet e të zhdoganohet nga autoritetet doganore

Rinumërimi – Dalja e përkohshme në vendet fqinje nuk shërben për të rinumëruar ose për të rifilluar periudhën gjashtëmujore të regjimit të lejimit të përkohshëm

Përdorimi – Automjeti nuk mund të përdoret nga asnjë njeri tjetër, përveçse nga anëtarët e familjes. Personi që e ka sjellë nuk mund ta lërë mjetin në Shqipëri

Shitja – Automjeti që ndodhet nën regjimin e përkohshëm nuk mund të shitet, të ndërrojë pronësinë apo të përdoret për qëllime tregtare

Kontrabanda – Kur një makinë është e regjistruar përkohësisht jashtë territorit shqiptar dhe nuk deklarohet në doganë për të kryer procedurat e transitit, kjo quhet “kontrabandë”

Sanksionet – Çdo shkelje e kushteve të regjimit të lejimit të përkohshëm është kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë sipas ligjit

Gjoba – Penalitetet llogariten në bazë të shumës së detyrimeve të papaguara dhe periudhës kohore gjatë së cilës kjo shumë nuk është paguar

Detyrimet – Të gjitha detyrimet e importit llogariten në bazë të datës së hyrjes së parë të automjetit në territorin e Shqipërisë

Nga Zamir Alushi

Makina-Tirane-NOA_1Nga 1 shtatori, doganat do të ushtrojnë kontroll të rreptë për makinat me targa të huaja. Për përdoruesit e këtyre mjeteve, që kanë shkelur afatet, sipas udhëzimit të drejtores Elisa Spiropali, nuk do të merret më parasysh as vërtetimi TIMS nga policia. Qysh nga viti 2009, me vendim qeverie, Policisë së Kufirit dhe Emigracionit, i është deleguar dhënia e regjimit të lejimit të përkohshëm për automjetet rrugore për përdorim privat, të cilat plotësojnë kushtet për dhënien e regjimit, nëpërmjet regjistrimit në sistemin TIMS. Sipas udhëzimit, regjistrimi në sistemin TIMS nuk është një konfirmim automatik që automjeti plotëson kushtet e regjimit të lejimit të përkohshëm. Sjellja e makinave nga jashtë dhe mbajtja e tyre për tregti duke shkelur kushtet e regjimit të lejimit të përkohshëm, është objekt i udhëzimit të detajuar që hyn në fuqi në fillim të muajit tjetër. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u bën thirrje përdoruesve të makinave pa targa të paraqiten vullnetarisht në dogana, duke përfituar ulje sa gjysma e penalitetit.

Udhëzimi

Ky udhëzim qartëson procedurat që do të ndiqen për rastet e automjeteve të destinuara për përdorim privat, të cilat importohen në Shqipëri nën regjimin e lejimit të përkohshëm. Sipas udhëzimit, çdo përpjekje për të sjellë në Shqipëri automjete të cilat importohen nën këtë regjim, për përdorim të përhershëm apo për interesa ekonomike, për rishitje apo për pjesë këmbimi, do të konsiderohet si e jashtëligjshme dhe do të ndëshkohet.

Këto automjete, jo vetëm që shmangin pagesën e taksave dhe të importit, por nuk kryejnë as kontrollet e detyrueshme vjetore të kolaudimit. Gjithashtu, lëvizin të pasiguruara.

Dënimet

Kur shkelësi paraqitet vetë pranë autoriteteve doganore, sipas udhëzimit, për t’i dhënë destinacion automjetit (për shembull për të kryer zhdoganimin), penalitetet llogariten në shumën e 50% të detyrimeve të papaguara. Por, nëse shkelësi nuk paraqitet pranë autoriteteve doganore dhe ndalohet nga autoritetet doganore apo nga punonjësit e Policisë së Shtetit brenda gjashtë muajve përtej përfundimit të afatit të lejuartë regjimit të lejimit të përkohshëm, penalitetet llogariten në shumën e 75% të detyrimeve të papaguara. Kur kjo ndodh pas më shumë se gjashtë muajsh përtej afatit të lejuar të regjimit të lejimit të përkohshëm, penalitetet llogariten në shumën e 100% të detyrimeve të papaguara. Nëse automjeti ka shkelur periudhën gjashtëmujore të lejimit të përkohshëm, si dhe përdoret nga persona të paautorizuar, masa e penalitetit që zbatohet varion nga 50 000 në 200 000 lekë.

“Crown Agents”

Prej muajit shkurt të këtij viti, grupet e përbashkëta operative të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe “Crown Agents” kanë ndërmarrë një numër të madh kontrollesh në ambientet e shitësve të makinave të përdorura, varrezave të makinave, si edhe të personave fizikë. Në gjashtë muajt e fundit, këto grupe të përbashkëta operative kanë bllokuar rreth 400 automjete, të cilat kishin hyrë në Shqipëri nën regjimin e përkohshëm të automjeteve dhe nuk ishin larguar kurrë prej vendit.

Vërejtje

Prokurat – Dogana nuk do t’i njohë prokurat e noterëve për përdoruesin e mjetit në RPL që e ka pronarin jashtë

TIMS – Nuk merret parasysh regjistrimi në TIMS dhe dhënia e statusit RPL nga policia. Do të kontrollohen edhe këto mjete

Taksat – Pagesa e gjobës nuk do të jetë shkak për të përjashtuar shkelësin e RPL-së nga pagimi i detyrimeve doganore

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button