Opinion

Me zemër në dorë e mendje të hapur

Nga: Mirela Kumbaro *

kumbaro1I dashur Kiço Blushi Duke respektuar angazhimin tuaj për të dorëzuar shkrimin e radhës në redaksi dhe sidomos duke ruajtur nostalgjinë për autorin e librave të dashur të fëmijërisë, më lejoni t’ju drejtoj dy radhë për të ndarë me ju një pjesë të shqetësimit për jo pak probleme të shtëpisë së kulturës shqiptare e cila – dhe këtu bashkohem plotësisht me mendimin tuaj në shkrimin tuaj të fundit, – për më shumë se njëzet vjet nuk ka qenë në rendin e ditës, as të politikave dhe as të ekonomive. E kam fjalën për atë shtëpi të kulturës që është shumë më e madhe se sa thjesht një ministri, se sa një qeveri dhe sa një vit e pak qeverisje.

Mund t’ju flisja për borxhet e akumuluara nga administrimi keqdashës në vite i fondeve të kulturës që erdhi e u bë 1 milion euro në fund të vitit 2013 dhe që po rrekemi t’i shlyejmë me shumë mund, si dhe gjithë borxhet e tjera të gropës së zezë që gjetëm.

Mund t’ju tregoja për monumentet e kulturës që në 24 vjet nuk u prekën me dorë dhe nuk u mor vesh në ç’gjendje mbijetonin derisa u kishin mbirë pemët brenda. E megjithatë, t’ju tregoja se si po punohet çdo ditë që brenda vitit 2015-të të ndërtojmë inventarin e plotë të monumenteve, gur më gur e kishë më kishë.

Përtej metaforave të stolave të dikurshëm të parkut “Rinia” të një tjetër epoke, nga e cila unë ruaj shijen e dozës së detyruar të realizmit socialist, do të kisha dashur t’ju dëgjoja në këta 20 vjet të thërrisnit kundër atij shkatërrimit të zonave të trashëgimisë, madje edhe me leje të institucioneve shtetërore, nga të babëziturit.

Megjithatë më mirë vonë se kurrë! Në më pak se një vit jo vetëm s’ka asnjë keqbërje të monumenteve, por punohet çdo ditë në mirëmbajtje të tyre. Se mbase nuk e dini që në 24 vjet u prishën e u rrënuan, po askush s’e mori përsipër dhe vetëm 20 monumente ishin futur në zonë mbrojtjeje, çka ka lejuar ndërtimin e egër rreth tyre pa hesap. Vetëm në 2014 janë mbrojtur 56 të tillë, dhe janë organizuar operacione shpëtimi të monumenteve të rrezikuara.

Kjo bëhet falë punës së njerëzve të heshtur, në terren dhe çdo ditë, ndonëse nuk shihet në Tiranë dhe as nga kafenetë.

Do të kisha dashur ta dëgjoja zërin tuaj të thërriste në këto 20 vjet kur hapësira e Pallatit të Kulturës iu lëshua biznesit duke ngrënë nga mishi i Bibliotekës Kombëtare dhe që sot po përpiqemi ta çlirojmë duke u ndeshur me aktet administrative të të gjitha qeverive të mëparshme që e shitën pa asnjë skrupull.

Do të mund t’ju rrëfeja, i dashur Kiço Blushi, se po të kishit shkuar këtë vit në Teatrin e Operas dhe Baletit do të kuptonit se në atë sallë nuk është bërë asnjë rikonstruksion për ta sjellë në parametra normalë skenikë ndonëse para janë harxhuar jo pak, por falë menaxhimit të kujdesshëm si rrallë më parë salla është tashmë e ngrohtë dhe 200 shfaqje prekën skenën vetëm në vitin 2014. Do të kishit parë se si aty interpretuan dhe do të vazhdojnë të interpretojnë artistë të shkollës shqiptare të artit që luajnë njësoj si në Tiranë, në Vjenë dhe në Paris, sepse kultura s’ka kufij administrativë.

E shumë gjëra të tjera që nuk janë të lehta të bëhen në një vit do të doja t’jua tregoja vetë i dashur Kiço Blushi. Por nuk di si mund t’i ndajmë këto kur ju gjykoni “me të dëgjuar” ose “me të thëna” duke më vënë në gojë gjëra që as në ëndrrën time më të keqe s’i kam parë se “do të ndërtohen pallate aty ku ndodhet teatri”!! Ndërsa po përgatitemi për ndërtimin e një hapësire të re skenike multifunksionale në Tiranë dhe në të njëjtën kohë do të fillojmë rikonstruksionin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit! Ndërsa po ndërtohet Muzeu i ri i Ikonave në Korçë, përurojmë këtë muaj Muzeun e Arkeologjisë në Durrës, të mbyllur për 5 vjet dhe ndërsa fillon puna për Muzeun e ri Marubi në Shkodër. Të gjitha këto në vitin 2015.

Do të jetë nder për mua t’ju mirëpres në mjediset e reja të ministrisë, që hyri në një terren ku shtetit pak gjë i kishte ngelur e për çka do të doja ta kisha dëgjuar zërin e njerëzve të letrave më parë. Sot në atë ndërtesë të restauruar e të nxjerrë në dritë, nuk ka vetëm zyra, por sidomos galeri dhe salla për art e kulturë, përfshi dhe Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, që në vitin 2014 ka rritjen më lartë të buxhetit për filmin dhe që këtë javë na përfaqëson denjësisht në Berlinale 2015.

Me pak dëshirë, do të mësonit se, një nga shfaqet në Teatrin Kombëtar këtë sezon ishte shqiptare, nga një autor i ri, Saimir Gongo dhe ndër më të ndjekurat; do të mësonit se për të parën herë vjet u organizuan “Netët e dramës shqipe” në Teatrin Kombëtar dhe se nga sot fillon të realizohet projekti “Punishtja e dramës shqipe” në Teatrin Eksperimental Kujtim Spahivogli, me pesë fituesit e fazës së parë, shpallur në muajin dhjetor 2014.

Nëse keni interes do t’ju tregoja dhe madje edhe t’ju dhuroja, veprën e plotë letrare të De Radës që Ministria e Kulturës botoi në plot 6 vëllime si një monument i vërtetë i letrave shqipe që u dhurohet të gjitha bibliotekave në Shqipëri. Duke menduar njësoj si ju se çmimet letrare degraduan në qoka, e thyem atë sistem për t’i lënë vendin jurisë krejtësisht të jashtme e profesionale për një çmim letrar në vit. Po në vitin 2014, Ministria e Kulturës krijoi fondin për përkthimet letrare, për të nxitur librin shqip e botimet cilësore.

Ndoshta do ishte me interes të kujtoja se në vitin 2014 Ministria e Kulturës e anëtarësoi Shqipërinë në organizatën letrare ‘Traduki’ dhe në marrëveshjen kulturore të Evropës Krijuese, ku shkrimtarë, botues e jo vetëm, përfitojnë mbështetje financiare, por sidomos mund të komunikojnë letrarisht e kulturalisht me botën evropiane të letrave. Se kultura s’ka kufij administrativë, do thoja sërish, sepse arti shqiptar synon një skenë më të madhe se ajo e Tiranës.

Do shkonte shumë gjatë ky shkëmbim informacionesh dhe me shumë dëshirë do e bëj, nëse vërtet ju keni dëshirë të shkojmë përtej fasadave nostalgjike që përzgjidhni si filtër. Jam gjithmonë e gatshme, por jo me “më tha dikush e dëgjova diku”, por me zemër në dorë e mendje të hapur dhe me dëshirën për të ndihmuar. Vetëm ky është misioni që kam marrë përsipër në realizimin e këtij projekti kulturor, që nuk mund të bëhet as nga një njeri i vetëm dhe as në një vit, por nga gjithë gratë e burrat që punojnë në fushën e kulturës çdo ditë dhe që duhet të kompensojnë edhe atë që s’e kanë bërë ata që kanë qenë aktivë në kulturë në vitet që shkuan.

Me respekt

Juaja

Mirela Kumbaro

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button