Mea culpa e një “vrasësi” të shqipes
Nga Aleksandër Çipa
Po e nis këtë shkrim nga pozita e vrasësit. Mirëpo, siç e thotë Graham Grin: Vrasësit në të shumtën e rasteve e rrëfejnë si refuzues vrasjen e kryer. Nuk gjen gazetar sot në vend të pranojë mëkatësinë apo krimin që kryen mbi dhe gjatë përdorimit të shqipes. Unë jam një ndër vrasësit e dashur të shqipes në mediat shqiptare. Natyrisht jam një ndër këta që cilësoj, por pa pasur asnjëherë vullnet apo dëshirë për këtë vrasje. Ne gazetarët kemi mëkatuar shumë me shqipen, me gjuhën tonë. Kjo ka ngjarë tronditshëm sidomos në këto 24 vite dhe sipas dukjeve, edhe më e tmerrshme ka për të qenë vrasja e ardhme e shqipes. Mediat online e premtojnë dhe parathonë aq shumë dhe me konkretësi lemerisëse këtë krim.
Shumëkush mund të shfajësohet se kjo ka ngjarë, për shkak se zhvillimi i industrisë së komunikimit dhe sidomos teknologjitë e komunikimit, kanë mbërritur më shpejt nga sa mund të zotërojmë ne, tastierat e tyre. Dhe në këtë ardhje kaq intensive, ne jemi ngutur t’i përvetësojmë ato, duke flijuar shumë prej shqipes sonë. Mirëpo, shqipja jonë nuk është vetëm e jona. Ajo e dalë prej nesh, mbërrin te të tjerët. Dhe në këtë “lëshim apo keqshkrim të saj” kemi kryer vrasjen tonë. Kjo është një vrasje disi e organizuar në shumimin e saj dhe e destinuar të mbetet e tillë në gjurmën e lënë në shtyp, në ueb, në blogje, në gazetat online etj.
Në 23 gazetat e përditshme të Shqipërisë së sotme, vetëm në tetë prej tyre ka korrektorë gjuhësorë. Dikur, pra në atë kohë kur shtypi ishte “armë në duart e partisë” që ka vdekur, redaksitë lokale të shtypit partiak kishin jo më pak se dy korrektorë gjuhësorë, të cilët në Kosovë i quajnë lektorë të redaksive. Sot ky kujdes institucional për gjuhën është zhbërë. Arsyeja, thjesht ka lidhje me ekonominë, pra me financat e munguara. Dhe ne të gjithë e dimë se “mospasja është liri e cunguar”, pra është edhe realitet i “gjuhës pa mbrojtje”.
Shtypi i shkruar në këtë mënyrë e nisi “vrasjen e gjuhës” në fillim të vitit 1995. Atëherë një brez i ri reporterësh nisi të rekrutohej nga administratorët dhe pronarët e medias së printuar, pa u lënë kohë ose pa dashur ata vetë që të respektonin kohën e përfundimit të studimeve universitare. Ata erdhën nga cikli i shprishur i arsimimit dhe formimit të tyre kulturor. Është fjala për brezat e të ashtuquajturit “tranzicion”.
Jemi në kohën dhe epokën e globalizmit, kur njerëzve dhe sidomos gazetarit, nuk mund t’i mjaftojë një gjuhë. Kjo nevojë fatkeqësisht u mishërua si një realitet i ri vrasës për shqipen e bukur. Në këtë brez dhe sidomos në stafet e shumta të redaksive ku përvoja e gjuhëbukurve po eklipsohej prej të rinjve gjuhëtrazuar, mbërriti edhe risia e medias sociale. Koha është më e ngutshme se mbarimi i një fjale të shkruar. U sakatuan prej këtij keqpërdorimi intensiv sintaksa, leksiku, morfologjia e shumë aspekte të tjera të gjuhës sonë amtare.
Kjo masakër mori përmasa dhe krijoi shëmtim të pareshtur të gjuhës. Sqimatarët po bëhen më të paktë dhe sharmantët apo gjuhëbukurit po humbasin si specie e rrallë. Në media po mbretëron gabueshmëria në gjuhë. Gabuesi po imiton gabuesin, duke shtuar gabimet, pra atë që unë në fillim të këtij refleksioni e vetëquaj “vrasje”. Jemi bërë të pakorrigjueshëm në këtë lloj vrasjeje tonën. Ashtu sikundër do të thoshte i paharruari Pashko Gjeci në kritikën “Poradeci” i Lasgushit, kur konstatonte se “asht pothuajse ma i shquemi nxanës e imitues i vetvehtes …”
Gabimet tona janë një imitim ligështues i vetvetes, natyrisht pa pasur asnjë ngjashmëri me atë që Gjeci pohon për Lasgushin. Pa këto gabime vrasëse mbi gjuhën tonë, ne po të huazonim të thënën e Emil Cioran në esenë “Për Francën”: Ne humbasim ekuilibrin, nëse dalim prej këtij mediokriteti gjuhësor.
Disa prej nesh dhe jo pak, natyrisht që e vuajmë këtë krim të përditshëm dhe të mishëruar në përditshmërinë e mediave dhe aktet mediatizuese. Por sidoqoftë, ky është një ligështim në syrin dhe mendjen e publikut dhe komunitetit të lexuesve dhe jo në atë tonën, pra të komunitetit të gazetarëve. Nëse do të ndodhte kjo e dyta, do të ishte fatlume për shqipen tonë dhe marrëdhënien e mediave, kryesisht shtypit dhe online-it me lexuesit e sotëm dhe të së ardhmes. Mirëpo ne nuk jemi vetëm vrasës të shqipes përmes së shkruarit, por rëndomtë tashmë edhe përmes të folurit. Gjuha në ekranet dhe mediat audiovizive në përgjithësi është një ndër shëmtitë e buruara prej papërgjegjshmërisë sonë. Për këtë ju, pra publiku dhe sidomos ekspertët, pedagogët dhe administratorët e institucioneve të gjuhësisë, keni humbur mundësinë ndëshkuese dhe ne po livadhisim në këtë mundësi të pandëshkim.
Shansi për kapërcim po bëhet përditë e më i paktë. Ndonëse modelet nuk na mungojnë. Në Francë për çdo vit mediat më të rëndësishme të vendit në bashkëpunim me laboratorët e studimeve dhe kujdesit për gjuhën, hartojnë dhe publikojnë doracakët e pasurimit të gjuhës dhe aktet fjalëformuese apo stilizuese, të cilat janë shënuar në procesin ligjërues dhe atë të përdorimit publik të saj. Ky doracak i dhurohet në disa rrugë çdo gazetari dhe punonjësi të marrëdhënieve me publikun. BBC-ja britanike, media me përvojë referente në mediat globale, ka dekada që e bën këtë gjë. Te ne, natyrisht ky është një pretendim absurd, kur kujton se kemi 24 vjet që mbetemi në fillesë të proceseve vetërregulluese. Mirëpo mendoj se tashmë jemi në kohën kur mund të bëjmë një lëvizje kundër kësaj rryme vrasëse.
Institucionet tona të gjuhësisë, ka ardhur koha që përmes mundësive informatizuese të vënë në dispozicion të redaksive dhe gazetarëve fjalorët elektronikë. Nuk është e tepërt të pretendohen edhe “receta dhe meny elektronike” me shprehje, fjalë, stilema, sentenca apo edhe shumë elemente të tjera, të cilat pasurojnë dijen e gazetarëve për shqipen dhe normat apo rregullat e drejtshkrimit të saj. Diçka e tillë nuk është e mjaftueshme, por gjithsesi do të na vlente. Do të na vlente, pasi kjo mund të shtojë diçka si ushqim mbi urinë dhe varfërinë kulturore e për rrjedhojë edhe gjuhësore, që dhjetëra reporterë dhe redaktorë të pabërë, në të gjithë spektrin multimedial të vendit, mbartin e dëshmojnë.
Mediat tona dhe shumica e gazetarëve në to, janë “vrasës me shumë prova” të gjuhës. Por në këtë realitet bashkëjeton edhe e përkundërta. Tashmë ekspertë të komunikimit, mediologë dhe studiues të gjuhës, bashkohen në një konkluzion se bashkimi në të gjithë hapësirën tonë kombëtare dhe në atë globale i gjithë shqipepërdoruesve, ka ngjarë falë mediave dhe sidomos falë ndikimit të madh që luajtën platformat digitale, kryeprirë prej DigitAlb-it. Kjo është një meritë e shqueshme dhe e lëvdueshme e medias së Shqipërisë së sotme.
Ndoshta një provë e pamjaftë për të thënën se: “Ku ka një lëndim, ofrohet edhe melhemi”. Mediat dhe sidomos vrulli zhvillues në skenën mediatike të shoqërisë sonë, do ta shtojnë dhunën dhe “vrasjen” ende të shqipes, gjuhës sonë, sepse po të huazoj pohimin e Paul Valery-t: “Njeriu është një kafshë e lindur për bisedë”. Dhe përballë kësaj nevoje “rojet e gjuhës” po bëhen përherë e më të paktë.