Mediat e Malit të Zi, nëpërmjet burimeve të tyre kanë zbardhur një pjesë të itinerarit të Gruevskit teksa ka kaluar vendin e tyre ditën e diel. Sipas tyre, ai në Mal të Zi ka arritur në 11 nëntor në ora 19:19 në vendkalimin kufitar Bozaj dhe ka përdorur kartën e tij të identitetit. Gruevski ka qenë në veturë “folksvagen” me targa CD1023.
Thuhet se ai ishte në shoqëri të Kulsar Antal dhe Varsalvai Shaba, të cilët kanë pasaporta diplomatike të Hungarisë.
Mediat e Malit të Zi njoftojnë se Gruevski në territorin e Serbisë hyri në të nëjtën ditë në ora 22:16, nga vendkalimi kufitar Dobrakovo me makinë me targa 55A05 në të cilën ndodheshin edhe Cezar Josef Zoltan dhe Feledaz Saba, po ashtu, të dy me pasaporta diplomatike hungareze.
Sipas faqes zyrtare të Ambasadës Hungareze në Podgoricë, Zoltan del të jetë zëvendës ambasador i Hungarisë në Mal të Zi, kurse Saba konsull. Përveç ambasadës në Podgoricë, Hungaria ka një konsullatë në Herceg Novi në Mal të Zi.