Meidani, Moisiu dhe Topi letër të hapur politikës: Presidenti të zgjidhet nga populli
Mënyra e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm ka qenë në fokus të një letre të përbashkët nga tre ish krerët e shtetit Alfred Moisiu, Rexhep Mejdani dhe Bamir Topit drejtuar politikës.
Ata propozojnë që presidenti të zgjidhet nga populli. Letra iu është dërguar Kryetarit të Kuvendit, Grupeve Parlamentare, Anëtarëve të Komisionit për Reformën në Drejtësi si dhe Anëtarëve të Komisionit për Reformën Zgjedhore.
Përmbajtja e letrës ka të bëjë me problematikën e zgjedhjes se Presidentit të Republikës dhe rëndësia e zgjedhjes së tij nga populli.
Letra
I nderuar kryetar i Kuvendit,
Të nderuar kryetarë të grupeve parlamentare,
Të nderuar anëtarë të Komisionit për Reformën në Drejtësi,
Të nderuar anëtarë të Komisionit për Reformën Zgjedhore,
Përgjatë 15 viteve kemi pasur nderin dhe përgjegjësinë të shërbejmë në krye të shtetit, në një periudhë ndryshimesh intensive politike dhe kushtetuese brenda sistemit politik e qeverisës. Njohja nga afër e problematikës dhe aplikimi i kompetencave dhe funksioneve në bashkëveprim me institucionet e tjera dhe në raport me pritshmërinë qytetare, na ka dhënë rastin të nxjerrim konkluzione e sugjerime, të cilat shkojnë në dobi të interesit publik dhe të jetësimit afatgjatë të demokracisë funksionale.
Bindja jonë është se ndryshimet kushtetuese (2008) lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, me sistemin zgjedhor, si dhe ndryshimet e vazhdueshme në institucione të veçanta të drejtësisë, kanë rezultuar jo efikase dhe problematika për cilësinë e sistemit qeverisës në vend. Bazuar në përvojat tona dhe në analizën e funksionimit të sistemit përfaqësues në Shqipëri, ne ju adresojmë përmes këtij komunikimi, tri probleme, të cilat, vlerësojmë se janë me rëndësi parësore në stadin aktual të vendimmarrjes dhe të ecurisë së procesit demokratik në Shqipëri.
Së pari, është dhe mbetet jetike për vendin realizimi i plotë dhe në kohë i reformës në drejtësi. Përpjekjet e ekspertëve tanë dhe të partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Komisionin e Venecias, për jetësimin e reformës, meritojnë vlerësim dhe konfirmim me vullnet të qartë politik nga partitë politike parlamentare. Reforma në drejtësi është mbi të gjitha në dobi të vendit, të reformave, të procesit integrues, të qytetarëve, të cilësisë së demokracisë dhe në fund mund edhe të jetë një çështje me interes pragmatist të partive të caktuara politike. Në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk duhet pranuar që ky interes i fundit të bëhet dominues dhe të mbajë peng vendimmarrjen e nevojshme për reformën në drejtësi. Nga ana tjetër, nevoja jetike për reformë, nuk duhet kurrsesi të përdoret për të arritur përmes saj në përmbushjen e axhendave ose qëllimeve të caktuara politike, por procesi, drafti dhe vendimmarrja duhen trajtuar me transparencë, me dinjitet, me seriozitet dhe me akte konkrete që tejkalojnë interesat partiake dhe që mundësojnë de facto një reformë sa më të plotë, sa më funksionale, sa më të besueshme dhe sa më afatgjatë.
Së dyti, ne mendojmë se sistemi ynë përfaqësues politik është i cunguar dhe nuk shpreh sovranitetin e popullit, siç kërkohet nga Kushtetuta. Sistemi zgjedhor i aplikuar prej vitit 2009 ka rezultuar problematik, ka kufizuar ndjeshëm konkurrencën politike, ka krijuar një parlament me prurje larg nevojave dhe pritshmërive publike, ka ulur besimin qytetar tek vota dhe ka krijuar një cikël të mbyllur, diskriminues dhe të diferencuar për aktorët konkurrues politik, kandidatët e pavarur, partitë e reja dhe të vogla, si dhe për grupet qytetare kritike ndaj sistemit. Komisioni aktual për reformën zgjedhore ka rastin, shansin dhe përgjegjësinë të ndërhyrje në thelbin e reformës për ti dhënë fund praktikave të emërimit të shumicës së parlamentit nga kryetarët e partive kryesore, për ti dhënë fund administrimit partiak të zgjedhjeve, për ti dhënë zgjidhje shqetësimit të madh të korrupsionit elektoral, si dhe për të mundësuar votimin e emigrantëve dhe jetësimin e standardeve më të larta zgjedhore të denja për një vend që meriton ftesën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Së treti, në kuadër të ndryshimeve kushtetuese dhe zgjedhore, është rast të theksojmë se çështja e zgjedhjes së Presidentit të Republikës duket të jetë patjetër edhe çështje e trajtimit në ndryshimet e reja kushtetuese. Referuar praktikave të vendeve të tjera ish komuniste me ngjashmëri në traditë apo praktikë demokratike, (Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Rumania, Bullgaria, Polonia, etj, dhe së fundi edhe Moldavia) zgjedhja e Presidentit bëhet direkt nga qytetarët, pa ndryshuar natyrën parlamentare të sistemit republikan. Për vetë traditën e brishtë demokratike, kulturën politike dhe problematikat e shumëllojshme në bashkëpunimin institucional, Shqipëria ka qenë dhe mbetet një vend që prodhon kriza politike dhe sot e në të ardhmen ne kemi nevojë për institucione që kanë forcë e legjitimitet të ndikojnë në parandalimin e krizave apo në zgjidhjen e tyre. Mbi bazën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë institucioni i Presidentit të Republikës është i vetmi institucion që mund ta përmbushë këtë rol specifik në hierarkinë e institucioneve kushtetuese dhe politike. Për ta mundësuar këtë, vetë Presidenti ka nevojë për mandat më të gjerë sesa mazhoranca e një partie apo koalicioni politik, ka nevojë për testim dhe mbështetje publike. Zgjedhja e Presidentit direkt nga qytetarët rrit besimin e qytetarëve në sistemin politik e përfaqësues, sjell cilësi përfaqësimi, i jep fuqi dhe legjitimitet më të madh qytetar Presidentit dhe e ndihmon atë të ushtrojë më mirë dhe më me lidhje të fortë qytetare funksionet e tij kushtetuese.
Të nderuar zonja e zotërinj,
Tri këto çështje të parashkruara prej nesh, janë njëherësh edhe çështje me interes të theksuar publik dhe me mbështetje të provuar publike. Siç dëshmojnë sondazhet dhe raportet e ndryshme monitoruese shqiptare e të huaja, shumica absolute e shqiptarëve kërkon një reformim të shpejtë e cilësor të sistemit të drejtësisë, reformim cilësor të sistemit përfaqësues, si dhe zgjedhjen e Presidentit direkt nga qytetarët. Në një demokraci funksionale, siç pretendon të jetë edhe Shqipëria, elitat politike në vendimmarrje duhet të dëgjojnë zërin qytetar dhe të reflektojnë sovranitetin e tyre. Përmes kësaj letre ne, me modesti, kemi marrë përsipër të bëhemi zëdhënës të kësaj shumice qytetare dhe njëherësh, ndërmjetësues në sistemin politik e qeverisës, për institucionalizimin e vullnetit të tyre.
Ne kemi besim në reagimin tuaj të arsyeshëm, siç edhe besojmë se në grupet parlamentare në Kuvend, midis të cilëve gjenden anëtarë të nderuar dhe personalitete që kanë dëshmuar përgjegjësi institucionale dhe angazhim vullnetmirë në forcimin e shtetit ligjor e demokratik në Shqipëri, do të marrin në konsideratë mesazhin tonë dhe do të ndikojnë kështu në jetësimin e vullnetit të qytetarëve shqiptarë mbi tri problematikat e shtruara për zgjidhje.
Me konsideratë të veçantë
Prof. Dr. Rexhep Meidani Dr. Alfred Moisiu Prof. Dr. Bamir Topi