Meksika përkujton triufmin ndaj francezëve
Triumfin e ushtrisë meksikane mbi atë franceze 155 vjet më parë, banorët e lagjes Penon de los Banos të Mexico City-t e kanë kujtuar përmes rikrijimit të skenave të atëhershme, me veshje e armë të kohës.
Njerëzit mbushën rrugët dhe mes haresë së kremtimit e shkrepën dhe ndonjë pushkë.
Aktrimi nxehet aq shumë ndonjëherë sa në inskenimin e përballjes së madhe përdoren edhe armë të vërteta në mënyrë që betejës t’i jepet një frymë sa më dramatike.
Banorët e veshur si ushtarë francezë, pra humbësit e mëdhenj, qëndrojnë si të ngrirë gjatë eventit. Kjo është mënyra e tyre për të vënë në lojë armikun me të cilin u përball ushtria meksikane gjatë betejës së Pueblas.
Dita e njohur si “Cinco de Mayo” ka marrë trajtat e një feste në kujtim të përballjes së madhe të 5 majit 1862, kur forcat meksikane i shpartalluan trupat e Napoleonit të Tretë, i cili synonte ta shndërronte vendin në mburojë kundër Amerikës.
Ajo është kremtuar prej dekadash të tëra, ndërsa sot ka marrë trajtën e një simboli të unitetit dhe patriotizmit meksikan. Shumë rrëfenja qarkullojnë mbi betejën e Puebla-s. Njëra prej tyre thotë se ushtria meksikane përbëhej vetëm nga fshatarë të fortë e të pajisur me hanxharë, ndërkohë që pushtuesit kishin një forcë shumë herë më të madhe.