Merkel “zbut” Ballkanin, reforma e bashkëpunim për integrimin
Kancelarja gjermane shpall monitorimin për katër vitet e ardhshme
Nga Bledar Hoti
Të gjithë liderët e Ballkanit janë ulur në një tryezë për të diskutuar mbi perspektivën e përbashkët, atë të integrimit në Bashkimin Europian. Përpara 100 viteve, kjo gjë ishte diçka e paimagjinueshme, por pas dy luftërave botërore, në këtë shekull të ri, Gjermania duket se po merr një rol të ri, atë të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor, të rajonit që ka shërbyer dhe nxitjen e konflikteve dhe luftërave botërore, me synimin për ta çuar në paqe dhe pranë familjes së madhe europiane. Me iniciativën e Kancelares Angela Merkel, kryeministrat e vendeve të Ballkanit, të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë u ulën në një tryezë në Berlin për të vënë në shina mënyrën e bashkëpunimit politik dhe ekonomik. Kështu, Ballkani do t’i nënshtrohet një supervëmendjeje nga Bashkimi Europian, që synon plotësimin e kushteve për integrimin në familjen e madhe europiane. Monitorimi do të jetë i imët për katër vite me radhë, pasi janë përcaktuar se Samiti i Berlinit do të pasohet me atë të Austrisë dhe pas dy vitesh me atë të Francës. Samiti i Berlinit ishte ndarë në tri etapa, ku fillimisht janë takuar ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit, si dhe ministrat e Ekonomisë të shteteve respektive. Pasdite, Merkel priti në selinë e Kancelarisë Federale homologët e saj. Samiti fillimisht ka nisur me një takim mes ministrave të Ekonomisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku është diskutuar në lidhje me bashkëpunimin në fushën ekonomike. Më pas, takimi ka zhvilluar mes ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit.
Qëndrimet e Merkelit
Ballafaqimi i tretë final ka qenë ai mes Kancelares Merkel me 7 kryeministrat e Rajonit të Ballkanit. Vetë Kancelarja i ka pritur në veçanti të gjithë kryeministrat, si dhe ka zhvilluar takime të veçanta në zyrën e saj, për të vijuar më pas në ballafaqimin final për në tryezën e përbashkët. Samiti nisi në orën 16:00, në sallën e mbledhjeve të qeverisë gjermane. “Kam kënaqësinë që të pres përfaqësuesit e Ballkanit perëndimor. Si kryetar për bashkëpunimin e vendeve të Europës Juglindore, kemi z. Edi Rama, Kryeministrin e Shqipërisë. Përshëndes gjithashtu edhe përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse, Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kroacinë, Maqedoninë, Serbinë, Kosovën, Slloveninë, por edhe presidentin e Komisionit Europian, Barroso, i cili është i angazhuar si gjithë të tjerët për të paraqitur një perspektivë europiane për këto vende dhe ne e mbështesim në këtë drejtim. Ne kemi biseduar. Në konferencën e zhvilluar, Qeveria Federale ka përcjellë disa ide. 100 vjet pas nisjes së Luftës së Parë Botërore, ne zhvillojmë një situatë të re, ku në Ballkan të mos ketë më konflikte ushtarake. Prandaj, ne sot kemi pritur 8 kryeministrat, ministrat e Ekonomisë dhe ministrat e Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse, të cilët kanë qenë mysafirë të Gjermanisë. Ne jemi të interesuar dhe mund të themi që në këto vende ka pasur zhvillime të shumta. Ka një gatishmëri për t’u integruar në BE, çka e konfirmon edhe pjesëmarrja e Presidentit të Komisionit Europian. Ne mendojmë që për 4 vjet këtë iniciativë do ta ndjekim ne. Pas një viti, ky takim do të zhvillohet në Austri. Pra, me këtë dëshirojmë të themi se kjo nuk është një ngjarje e ditës sot për sot, por do të ketë një vazhdimësi, do të ketë një proces pune, e padyshim në këtë proces ka shumë për të bërë”, deklaroi Merkel. Gjermania është e vendosur që të mbështesë integrimin e Rajonit të Ballkanit. “Ne dëshirojmë që Rajoni i Ballkanit Perëndimor të mund të integrohet në Bashkimin Europian. Sigurisht, Gjermania, nga këndvështrimi i saj është përpjekur vazhdimisht të luajë një rol konstruktiv, siç edhe vende të tjera, Bashkimi Europian, Austria që punojnë në këtë drejtim. Unë jam shumë e bindur se projektet e infrastrukturës, këto projekte e plane të përbashkëta që kemi, do të krijojnë mundësinë të thellojmë kontaktet, se pa thellimin dhe forcimin e kontakteve nuk do të kemi një të ardhme të sigurt. Pra, të gjithë sëbashku të punojmë në mënyrë konstruktive për të realizuar projekte të përbashkëta. Dhe, prandaj, edhe këtë ide e iniciativë, ne do ta mbështesim plotësisht”, theksoi Kancelarja.
Kosova
Kancelarja Merkel ka mbështetur vijimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës. Pikërisht në qëndrimin e saj për problemet politike të pazgjidhura, Kancelarja u ndal te çështjet e pazgjidhura mes Kosovës e Serbisë, si dhe për mosnjohjen e shtetit të ri nga 5 vende të BE-së. “Bëhet fjalë për zgjidhjen e problemeve politike, sidomos për sa u përket atyre mes Serbisë dhe Kosovës, ku duhet thënë se kohët e fundit janë bërë përparime të dukshme, por edhe në Bosnjë-Hercegovinë, dhe këto vende në të ardhmen mendoj se do të ecin akoma më tej. Kemi folur edhe për bashkëpunimin rajonal. Janë disa elemente, siç janë ato të infrastrukturës, të transportit, në mënyrë që njerëzit të komunikojnë me njëri-tjetrin. Kemi një ide për të ngritur një rrjet të rinisë, ku të bashkëpunojë rinia. Mendoj se do ta ndjekim një ide të tillë”, theksoi Merkel. Në lidhje me këtë konferencë, Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur vlerësimet maksimale për kontributin e Gjermanisë. “Kosova tani e ka vendin e vet të sigurt dhe të palëkundshëm në arkitekturën e Europës moderne. 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore, pas katrahurave tona nën okupim njëshekullor dhe e rrethuar me konflikte të tjera të përgjakshme midis shteteve të Ballkanit, republika më e re europiane është faktor stabiliteti dhe progresi shtetndërtues. Për këtë falënderojmë Gjermaninë, nën lidershipin e Kancelares Merkel, miqtë e tjerë në Quint, rolin e pazavendësueshëm të SHBA-së, si dhe të gjitha shtetet e BE-së që kanë hapur dyert për perspektiven europiane të shtetit tonë. Jemi në një momentum të ri, kualitativ për Kosovën europiane”, shkruan Thaçi në “Facebook”.
Steinmeier
Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, priti për konsultim prej orës 15:00, në vilën Borsig (shtëpi për miqtë e Ministrisë së Jashtme Federale), në Berlin-Tegel, ministrat e Jashtëm të 10 shteteve, si edhe një pjesëtar të Komisionit Europian.Kjo konferencë nënvizon faktin se Gjermania po vazhdon të angazhohet me një përkushtim të madh për të gjithë rajonin. Ajo konfirmon pohimin tonë për perspektivën europiane të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ne, vijoi Steinmeier, “dëshirojmë ta shfrytëzojmë takimin tonë për të vlerësuar progresin e deritanishëm të rajonit në rrugën për në Bashkimin Europian. Njëkohësisht ne do të diskutojmë çështje, të cilat janë vendimtare për shpejtësinë dhe suksesin e përafrimit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian. Këtu do të jetë fjala, ndër të tjera, edhe për faktin se si vendet, edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, do të vazhdojnë me reformat e nevojshme. Pikërisht duke marrë shkas edhe nga krizat aktuale ndërkombëtare në vendet tona fqinje, dëshiroj të konsultoj me kolegët e mi se si mund të pasqyrojmë progresivisht vlerat dhe interesat e përbashkëta europiane në një politikë të jashtme europiane të njësuar”, theksoi kryediplomati gjerman.
Pjesëmarrës në takim
Kryeministrat
- Angela Merkel, Gjermani
- Edi Rama, Shqipëri
- Hashim Thaçi, Kosovë
- Zoran Milanoviç, Kroaci
- Aleksander Vuçiç, Serbi
- Milo Gjukanoviç, Mali i Zi
- Vjekoslav Bevanda, Bosnjë-Hercegovina
- Nikola Gruevski, Maqedoni
- Ministrat e Jashtëm e të Ekonomisë për vendet e Ballkanit Perëndimor
Përfaqësues
- Alenka Bratušek, përfaqësuese e Kryeministrit slloven
- Nga Komisioni Europian
- Hose Manuel Barroso, presidenti i KE
- Stefan Fule, komisionieri për Zgjerimin
- Günther Oettinger, komisioneri për Energjinë
- Werner Faymann, Kancelari i Austrisë