Opinion

Mes zjarrit dhe ujit

SOKOL SHAMETI

sokol shametiNdërsa pritet me padurim vendimi i UEFA-s mbi ndeshjen Serbi-Shqipëri të 14 tetorit, të gjithë ëndërrojnë të kenë pasur të drejtë. Në median shqiptare është ndezur ndërkohë një dyanësi aq e madhe mbi këndvështrimin që duhet të mbajmë mbi këtë ngjarje, saqë gati-gati ia vlen të entuziazmohesh. Më në fund, një shoqëri që mendon. Neutralitet pothuajse s’ka dhe pavarësisht raporteve, të gjithë po e mbajnë një anë. Siç thoshte një nga ligjet e vjetra të Solonit në demokracinë Athinase: “Ndalohet paanshmëria në kohë krizash”.

Atëherë, jemi të ndarë gati papajtueshmërisht në pikëpamje. A ta shohim gjithçka me syrin e patriotit që identifikon te ngjarja edhe një tjetër padrejtësi në vazhdën e një historie plot pësime? Apo të bëjmë kundërpedalin e të marrim flamurin e sforcuar por modern të kozmopolitit mazokist që fshikullon vetveten, për shkak të idesë fikse se “e jona” e ka përherë gabim?

Gazetat, programet televizive, statuset në rrjetet sociale e deri tryezat e kafeneve janë shndërruar tek ne në arena të ashpra ku europianistët dhe patriotët, mendjehapurit dhe kokënxehtët vringëllijnë shpatat. Për ironi të fatit, në të dyja këto koordinata ku vënë veten pjesëmarrësit në debat, ka nga një moment imoraliteti.

Pikësëpari, te flamurtarët e nacionalizmit, pandershmëria qëndron pikërisht te koncepti i nacionalizmit. Jemi në shekullin XXI. Teknologjia na mundëson në mos t’i prekim, së paku të shohim si janë të tjerët. Të zbulojmë se gati-gati ngjajmë. Se gjuha është vetëm një element anësor ndarës midis mijëra aspekteve që i kemi identike. Sigurisht, përvoja, por edhe aksesi në edukim na ka zbuluar se s’bën sens promovimi i superioritetit gjenetik të ca njerëzve mbi ca të tjerë. Nuk ka territore që mbajnë ekskluzivitetin e inteligjencës sikurse nuk ka përqendrime debilësh në zona të caktuara. Në jetën tonë të përditshme, të gjithë, në mënyrë të pavullnetshme jo vetëm e dimë, por edhe e zbatojmë këtë.

Megjithatë, tetë furra buke dhe prona të tjera shqiptarësh u dogjën e u bastisën në Serbi gjatë kësaj jave. Në Amerikë, një emigrant shqiptar pushkatoi me ceremoni flamurin serb që e kishte varur ndanë një are me misër. Këto dy anë të së njëjtës medalje na ilustrojnë për fat se e drejta ashtu si marrëzia, nuk kanë grup gjaku. Në forma dhe masa të ndryshme, shumë shqiptarë (dhe serbë) kanë kryer këtë javë të njëjtat zjarrvënie pronash dhe pushkatime flamurësh të njëri-tjetrit.

Të pretendosh se në këtë histori e drejta na takon vetëm sepse jemi shqiptarë (ose serbë), është pra, siç thamë, një stacion pandershmërie. Të gjithë ata mes nesh që e dorëzojnë veten në valët e kësaj ideje, e bëjnë këtë jo sepse nuk janë të ndërgjegjshëm se çfarë po bëjnë. Të zgjedhësh nacionalizmin si çelësin shpjegues të argumentit tënd, jo vetëm që tradhton pra atë çka të përbën ty si njeri dhe qytetar të shekullit XXI. Siç kemi mësuar nga halli këto 100 e ca vjet – kjo ka edhe ca kosto të përgjakshme që s’duam më t’i mbajmë.

Pikë së dyti, këndvështrimi kozmopolitan i çështjes na paraqitet edhe ai si një orendi problematike në dekorin e qëndrimeve të ndërtuara mbi shkreptimën e fundit shqiptaro-serbe. Është vënë re ndoshta edhe nga vëzhgues të tjerë, por kemi mbarështuar në Shqipëri e Kosovë një varietet të përciptë dhe acarues antipatrioti me kurdisje.

Kjo është specia e intelektualit që e ka antipatriotizmin punë me leverdi, një veprimtari ekonomike. Sigurisht, çdo shoqërie i bën mirë kriticizmi dhe syri dyshues ndaj veprimeve të vetes. Nuk dua të fus në të njëjtin llagëm monstrash mendimin e sistematizuar kritik të Fatos Lubonjës që pavarësisht ndërsimeve frenetike të disave, duket se shpreh disa të vërteta. Të vërteta shqetësuese rreth kërcënimit jo vetëm të nacionalizmit, por edhe të barrikadimit partiak-banditesk në shoqërinë tonë, jo vetëm në këtë rast, por vazhdimisht. Kemi nevojë për sinjale alarmi që të mos biem në fatkeqësi. Dikush duhet ta bëjë. Dhe le të mos u biem më qafë atyre që i shërbejnë kësisoj shoqërisë.

Megjithatë, antipatriotizmi sezonal, ai që merr hov thjesht sepse tani është një moment që këto lloj aksionesh shesin në bursë, i përket një tjetër stofi. Po flasim për kozmpolitanizmin komercial, antipatriotizmin në emër të antipatriotizmit. Kjo lloj zejeje dhe zejtarët e saj rrezikojnë të na shkëpusin aq shumë nga kontakti me truallin ku ndodhin mosmarrëveshjet, saqë më në fund as do të kemi mundësi të shohim fare se çka po ndodh, e jo më të krijojmë një gjykim mbi to.

Kozmopolitanizmi që flet teorikisht për ngjarjet sikur ato kanë ndodhur në teori, është pra një akt imoraliteti, por më shumë një lojë provokuese për arsye marketingu. Në disa aspekte, ai ngjan me një reklamë të famshme në Shqipëri: te bregu i detit, ku disa djem të zhuritur po i rezistojnë heroikisht vapës së gushtit shfaqet plot zhveshje dhe lakore një vashë me një shishe birrë në dorë që pyet: “Më pi dot të tërën?”. Në fund ti si klient blen pa kushte birrën dhe pandeh se po pi vajzën.

Njëjtë si nacionalizmi që e sheh rregullisht gabimin te tjetri dhe të drejtën te vetja, edhe kozmopolitani në fjalë ngjan si fushatë e djallëzuar reklamash ambulante. Në mes të zjarrllëkut të vetëkuptueshëm të masës së nxehur nga situata, ai parakalon me rroba banje. Një lojë me zjarrin, pak a shumë sikur një dyqan buke shqiptar në Serbi të mbante tabelën: “Hajde më digj po ta mbajti”. Ose si flamuj serbë në Shqipëri me parullën: “A më pushkaton dot të tërin?”. Disa prej tyre vërtet rrezikojnë shumë. Ku ka lavdi pa zarar? Qëllimi është megjithatë që ata të dallojnë si pare e kuqe në kohëra nervozizmi shoqëror. Në fund, ti si klient u blen atyre pa kushte batakçillëkun dhe pi mendjelehtësinë tënde.

Por a ka një përgjigje tej nacionalizmit dhe pseudo-kozmopolitanizmit për të parë me ndershmëri gjithçka që ndodhi atë natë e më pas? Ngjan se shumë shqiptarë në mënyrë të pavarur e shpesh të pandërgjegjshme e bëjnë këtë. Ka një rrugëdalje përtej shkumëzimeve nacionaliste apo përsiatjeve kozmopolitane. Ne vërtet mund të tregohemi objektivë ndaj asaj që ka ndodhur dhe marrëdhënies që duhet të ndërtojmë me ata që ishin bashkë me ne kur ndodhi ajo çka ndodhi. Pra me serbët.

Ne duhet të kemi kurajën ta trajtojmë atë që ndodhi mbrëmjen e 14 tetorit në Beograd si një ngjarje në një qytetërim të emancipuar, në Europë. Kjo nuk ia heq ngjarjes peshën e saj të rëndesës dhe skandalit. Por ne duhet të përdorim të njëjtën optikë që holandezët, spanjollët, italianët apo francezët do të përdornin nëse e njëjta shfaqje e turpshme si ajo e Beogradit do të ndodhte në Amsterdam, Barcelonë, Torino ose Marsejë.

A do të klasifikohej si skandal apo si diçka normale vendimi i njëanshëm (dhe jo marrëveshja) për ndalimin e tifozëve të një vendi europian nga autoritetet e vendit pritës të një ndeshjeje ndërkombëtare? A do të quhej e pranueshme që himni i një vendi europian të fyhej dhe fishkëllehej deri në tërbim në stadiumin e një vendi tjetër europian? A përjetohet si diçka normale kërkesa për vdekjen e francezëve apo norvegjezëve në një stadium gjerman apo finlandez? Madje, si do të shihej një dron me harta irredentiste irlandeze në një stadium të Londrës ku irlandezët – s’dihet pse – i kanë ndaluar?

Kur të gjithë bashkë, shqiptarë dhe serbë të kemi arritur t’u japim përgjigje si europianë këtyre pyetjeve, atëherë po, do të mund të themi se fituam. Fituam të vërtetën objektive, pavarësisht nëse ajo përkonte me atë çka pretendonin tek ne nacionalistët që mbanin në duar ura zjarri, apo kozmopolitët me zorra uji.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button