Mesatarja e humbjeve për 2014 llogaritet në rreth 40 për qind, gjysma vjen nga vjedhjet
Kriza – Energjia, përballë dy gropave financiare
Sistemi energjetik në vend po përballet me dy gropa financiare, të shkaktuara, e para si pasojë e nivelit të lartë të humbjeve në rrjet dhe e dyta, sipas Ministrisë së Energjetikës, për shkak të politikave të ndjekura nga qeveria e mëparshme me koncesionet e HEC-eve.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Energjisë, mesatarja e humbjeve për vitin 2014 llogaritet në rreth 40 për qind, gjysma e së cilës vjen si pasojë e rrjetit të amortizuar, ndërsa gjysma tjetër llogaritet si humbje joteknike, për shkak të vjedhjes së energjisë, duke i shkaktuar qeverisë një gropë financiare vjetore që, në total, kap shifrën e 150 milionë dollarëve.
Kjo shumë, që për vitin 2013 ishte 180 milionë dollarë, për shkak se niveli i humbjeve ishte më i lartë, përballohet nga buxheti i shtetit dhe jo drejtpërdrejt nga tarifa e energjisë. Por, hendeku financiar rëndohet më tej si pasojë e detyrimit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për të blerë energjinë e prodhuar nga HEC-et e dhëna me koncesion.
Kështu, nga viti 2010 në vitin 2013, si rezultat i sasisë së energjisë së blerë nga HEC-et aktualisht në funksion, kosto totale e KESH-it, e pareflektuar në çmimin e rregulluar të shitjes prej 2.2 lekësh për kW/h, kap shifrën e 32.6 milionë eurove.
Ndërsa për vitin 2014, kjo kosto llogaritet në shifrën 39.7 mln euro. Hendeku financiar shkon në rritje në vitet në vazhdim, edhe si pasojë e hyrjes në funksion të HEC-eve të tjera, duke çuar koston për vitin 2019 deri në 80.8 milionë euro.
Për zbutjen e gropës së parë financiare, qeveria pritet të shfrytëzojë kredinë e marrë nga Banka Botërore prej 150 milionë dollarësh, në mënyrë që brenda pak vitesh të mund të reduktojë humbjet teknike dhe joteknike.
Ndërsa për gropën e dytë financiare, zgjidhja do të kërkohet përmes balancës mes uljes së çmimit, me të cilën KESH-i blen energjinë nga HEC-et private apo rritjes së çmimit, me të cilën korporata ia shet Operatorit të Shpërndarjes, çka do të çojë në rritjen e tarifës për konsumatorët.
Ministria e Energjisë thotë se zgjidhja afatgjatë është liberalizimi i tregut dhe shkëputja e korporatës nga detyrimi për të blerë energjinë e HEC-eve private, që në total llogariten në rreth 400 koncesione të dhëna.
Tiranë
Vijon ndërprerja e energjisë për debitorët
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike vijon aksionin për ndërprerjen e energjisë për debitorët familjarë dhe privatë në Tiranë, si dhe për shkëputjen e lidhjeve të paligjshme, të cilat i janë referuar prokurorisë. “Vetëm gjatë kësaj jave, në të gjithë Rajonin e Tiranës, në vijim të detyrave të lëna nga Task-Forca e Energjisë, janë kontrolluar dhe u është ndërprerë energjia 1000 subjekteve private dhe 5000 abonentëve familjarë. Po ashtu, janë shkëputur lidhjet e paligjshme për 30 individë, për të cilët është bërë kallëzimi penal përkatës në prokurori”, tha Elton Kristo, drejtor i Drejtorisë Rajonale Tiranë, OSHEE. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike thotë se aksioni do të intensifikohet me bashkëpunimin e Policisë së Shtetit dhe prokurorisë, për ndëshkimin e çdo abuzuesi dhe debitori të energjisë.