Mesazhet e forta të guvernatorit Sejko: Stop euroizimit!
Banka e Shqipërisë këtë vit do të stimulojë fort përdorimin e monedhës vendase. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në një intervistë për “Monitor” zbardh skemën se si do të arrihet ky synim në bashkëpunim me Ministrinë e Financave. Ulja e kredive të këqija këtë vit do të fokusohet në ristrukturimin e borxhlinjve të përbashkët që kanë bankat. Sejko lajmëroi rreziqet me të cilat përballet rritja e ekonomisë, teksa dha parashikime mbi ecurinë e kredisë, kursit të këmbimit dhe ndikimin e zhvillimeve politike në rritjen ekonomike.
Ekonomia e vendit po rritet mbi baza të qëndrueshme, por vijon të mbetet larg shfrytëzimit të plotë të potencialit të saj prodhues. Që ky potencial të zhvillohet më tej, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genti Sejko sugjeron se duhet përparuar me reformat strukturore në vend. Banka e Shqipërisë ka vënë disa përparësi këtë vit: Do të stimulohet më shumë përdorimi i monedhës vendase dhe do të tentohet fort në uljen e kredive me probleme në mënyrë që të kthehet siguria tek operatoret bankarë dhe te çlirohet kredia për ekonominë.
Guvernatori Sekjo në një intervistë të posaçme për Monitor dha lajmin se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave do të hartohet një plan i përbashkët pune për të nxitur më shumë transaksionet në lekë me qëllim uljen e euroizimit në ekonomi. Guvernatori tha se Banka e Shqipërisë është duke punuar për të identifikuar disa masa të cilat do të synojnë të rrisin koston e përdorimit të monedhës së huaj në transaksionet e sektorit bankar, të forcojnë rezistencën e sektorit bankar ndaj stresit të likuiditetit në valutë, dhe të përmirësojnë më tej kërkesat për ndërgjegjësimin e huamarrësve në valutë ndaj rrezikut shoqërues të kursit të këmbimit.
Reforma tjetër ka në fokus kreditë e këqija. Për uljen e nivelit të tyre Banka Qendrore këtë vit do të fokusohet tek ristrukturimet. Aktualisht janë duke u rishikuar udhëzuesit për ristrukturimet e kredive, duke përfshirë në to parimet më të mira ndërkombëtare për procese të tilla, veçanërisht të atyre komplekse dhe me shumë pjesëmarrës si nga ana e kredimarrësve ashtu edhe institucioneve huadhënësi, shpjegoi kreu i Bankës Qendrore. Në vijim të këtij procesi është duke u hartuar një skemë kuadër bashkëpunimi midis bankave, të cilat do të duhet të koordinohen në gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme e të qëndrueshme për kredimarrësit e përbashkët, kjo në bashkëpunim dhe me ekspertë të Bankës Botërore.
Guvernatori gjatë intervistës dha shpjegim për ecurinë e sistemit bankar, rreziqet me të cilat përballet rritja ekonomisë dhe parashikime mbi ecurinë e kredisë, kursit të këmbimit dhe ndikimin e zhvillimeve politike në rritjen ekonomike.
Zoti Guvernator ju tashmë po hyni në vitin e tretë të drejtimit të Bankës së Shqipërisë. A mund të na thoni sot nëse i keni arritur të gjithë objektivat që kishit për vitin që mbyllëm dhe si ka qenë ecuria e ekonomisë shqiptare?
Viti 2016 ishte padyshim një vit pozitiv për ekonominë dhe financat shqiptare. Ky konstatim nuk është thjesht një opinion, por një konkluzion i natyrshëm i analizës së të gjithë informacionit të disponuar. Në terma të përgjithshëm, mendoj se ekonomia shqiptare jo vetëm që ka lëvizur në drejtimin e duhur, por edhe ka forcuar bazat e një zhvillimi të qëndrueshëm në të ardhmen.
Më lejoni të nënvizoj vetëm disa momente:
• Së pari, aktiviteti ekonomik në vend shënoi rritje të mëtejshme. Në gjuhën e shifrave, rritja ekonomike e vitit 2016 pritet të rezultojë afër nivelit 3.3%-3.4%, krahasuar me 2.6% gjatë vitit 2015. Duke parë përtej shifrave, mendoj se viti 2016 paraqiti dy zhvillime të rëndësishme: (i) zgjerimin dhe fuqizimin e burimeve të rritjes ekonomike; dhe, (ii) shpërndarjen e fryteve të rritjes në një segment më të gjerë të shoqërisë shqiptare. Sa i përket burimeve të rritjes, në ngjashmëri me vitin e kaluar, rritja ekonomike e vitit 2016 vazhdoi të mbështetet në masën më të madhe nga zgjerimi i investimeve private, ndërkohë që, në ndryshim nga viti i kaluar, kjo rritje u ndihmua edhe nga zgjerimi i konsumit familjar dhe nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë, gjatë gjysmës së dytë të vitit. Zgjerimi i faktorëve të rritjes ekonomike është një hap inkurajues në drejtim të konsolidimit të trendit pozitiv të zhvillimit. Sa i takon efekteve të rritjes, viti 2016 u karakterizua edhe nga një rritje e shpejtë e punësimit dhe një reduktim i normës së papunësisë. Të dhënat deri në tremujorin e tretë tregojnë se punësimi gjatë kësaj u periudhe u rrit mesatarisht me 6.8%, ndërkohë që norma e papunësisë u reduktua me 2.6 pikë përqindjeje.
• Së dyti, gjatë vitit 2016, ekonomia shqiptare shënoi progres në drejtim të përmirësimit të disa prej balancave të saj kryesore ekonomike. Për ilustrim, pas 3 vitesh rritjeje, raporti i borxhit publik ndaj PBB-së shënoi rënie gjatë vitit 2016, një kthesë mjaft kuptimplotë dhe e rëndësishme, në rrugën e konsolidimit fiskal. Viti 2016 shënoi progres edhe në drejtim të përmbushjes së mandatit tonë të stabilitetit të çmimeve. Ndonëse gjatë tremujorit të parë u përballëm me goditje të forta nga tregjet e huaja, reagimi i vendosur i politikës monetare, besueshmëria e saj në tregun financiar dhe përmirësimi i aktivitetit ekonomik, ndihmuan në kthimin e inflacionit drejt objektivit. Gjithashtu, sektori bankar shfaqet i shëndetshëm, i aftë për të përballuar goditje dhe për të ushtruar misionin e tij të ndërmjetësimit financiar.
• Së treti, dëshiroj të nënvizoj se, gjatë vitit 2016, Shqipëria bëri hapa përpara edhe në drejtim të reformimit të sistemit financiar dhe të ndërtimit të kapaciteteve institucionale në fushën e hartimit dhe të zbatimit të politikave. Këtu dëshiroj të sjell në vëmendjen e lexuesit se, gjatë vitit 2016, janë miratuar një sërë ligjesh dhe rregulloresh që forcojnë aftësitë tona monitoruese dhe administruese të sistemit financiar. Për të përmendur vetëm disa: Ligji për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në Banka rrit aftësinë tonë si rregullatore për t’u përballur me goditje të ndryshme; Rishikimi i Ligjit për Falimentimin dhe i Ligjit për Zyrat e Përmbaruesve Privatë ndihmon në përmirësimin e klimës së kreditimit në vend; Ligji për Funksionimin e Shoqërive të Kursim-Kreditit synon konsolidimin e tyre dhe vendosjen e raporteve më të drejta midis tyre dhe pjesës tjetër të sistemit financiar. Po kështu, gjatë vitit 2016 janë realizuar ndryshime në Ligjin Organik të Buxhetit, duke synuar rritjen e qëndrueshmërisë së financave publike dhe sanksionimin në ligj të një rregulli fiskal.
Mendoj se gjithë kjo tablo është e mjaftueshme për të ilustruar kahun pozitiv të zhvillimit gjatë vitit 2016. Megjithatë, ndonëse kahu i zhvillimit ka qenë pozitiv, ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet larg shfrytëzimit të plotë të potencialit të saj prodhues. Po kështu, ky potencial duhet zgjeruar më tej, nëpërmjet reformave ambicioze strukturore. Me fjalë të tjera, ekonomia shqiptare vazhdon të përballet me dobësi ciklike dhe probleme strukturore. Sfidat tona si politikëbërës janë ende të shumta. Megjithatë, si në çdo lëvizje, ajo që është e rëndësishme është kahu dhe shpejtësia; të dy këta tregues janë në drejtimin e duhur.
Natyrisht, si një institucion qendror në jetën ekonomike dhe financiare të vendit, Banka e Shqipërisë ka kontribuar ndjeshëm në këto zhvillime.
Politika jonë monetare stimuluese ka ndihmuar uljen e kostove të financimit, rritjen e portofolit të kredisë në lekë, përmirësimin e situatës së likuiditetit në ekonomi dhe zgjerimin e konsumit dhe të investimeve. Kjo politikë ka hedhur bazat për respektimin e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve dhe ka krijuar parakushtet për forcimin e stabilitetit financiar të vendit. Ky i fundit është mbështetur po ashtu nga mbikëqyrja dhe rregullimi i kujdesshëm që Banka e Shqipërisë i bën sektorit bankar. Ne kemi iniciuar të gjitha nismat ligjore që unë rendita më sipër dhe kemi udhëhequr punën për hartimin e dy prej tyre. Po ashtu, ne kemi punuar për zgjerimin dhe rritjen e eficiencës së sistemit të pagesave në Shqipëri, për mbështetjen proceseve të integrimit evropian, si dhe për forcimin e proceseve dhe procedurave të vendimmarrjes së Bankës së Shqipërisë.
Duke reflektuar mbi sa më sipër, mendoj se, po, Banka e Shqipërisë i ka realizuar – në tërësinë e tyre – objektivat e saj institucionalë për vitin 2016.
Ndërkohë përsa i përket objektivave të mia personale mendoj se duhet ende punë. Sikundër kam pasur rastin ta theksoj dhe më parë, sfida ime personale është ngulitja e një filozofie moderne të bankingut qendror në veprimtarinë ditore të institucionit në përgjithësi dhe të çdo punonjësi të saj në veçanti. Kjo nuk është e lehtë. Bëhet fjalë për një sfidë të përditshme në qendër të së cilës ka njeriun, një sfidë që kërkon një punë të diferencuar sipas departamenteve dhe karakteristikave të individëve të veçantë. Vetëm kështu do të mundësojmë kultivimin e një mendësie të re, e cila në vetvete do të ndikojë në thellimin e kulturës institucionale duke e bërë Bankën e Shqipërisë më të aftë për t’u përballur me të gjitha sfidat e kohës.
Sfida
Sfida ime personale është ngulitja e një filozofie moderne të bankingut qendror në veprimtarinë ditore të institucionit në përgjithësi dhe të çdo punonjësi të saj në veçanti. Kjo nuk është e lehtë. Bëhet fjalë për një sfidë të përditshme në qendër të së cilës ka njeriun, një sfidë që kërkon një punë të diferencuar sipas departamenteve dhe karakteristikave të individëve të veçantë. Vetëm kështu do të mundësojmë kultivimin e një mendësie të re, e cila në vetvete do të ndikojë në thellimin e kulturës institucionale duke e bërë Bankën e Shqipërisë më të aftë për t’u përballur me të gjitha sfidat e kohës.
Shifrat e fundit nga INSTAT-i tregojnë se inflacioni për muajin janar shënoi për herë të parë rritje në vlerën 2.8 për qind, duke iu afruar objektivit të Bankës së Shqipërisë. Cilat ishin arsyet e kësaj rritjeje?
Në të vërtetë inflacioni në Shqipëri ka pasur një tendencë rritëse gjatë gjithë nëntë muajve të fundit të vitit 2016, dhe kjo vazhdoi edhe me të dhënat e muajit janar. Natyrisht, vlera prej 2.8% e regjistruar këtë muaj ishte më e larta e disa viteve të fundit dhe mjaft afër objektivit tonë; dhe ky ishte padyshim një zhvillim interesant.
Duke qenë se ruajtja e stabilitetit të çmimeve, e kuptuar si një normë inflacioni rreth nivelit 3%, është në fokusin e punës sonë, po ndalem disi më gjatë në shkaqet dhe implikimet e kësaj rritjeje.
Pas goditjes së ofertës në tremujorin e parë të vitit të shkuar, inflacioni ka shënuar një trajektore rritëse në pjesën e mbetur të tij. Kjo ecuri reflekton ndikimin e kombinuar të një sërë faktorësh: (i) rritja ekonomike dhe shfrytëzimi më i mirë i kapaciteteve kanë sjellë rritjen e punësimit dhe kthimin drejt normalitetit të marzheve të fitimit të biznesit; (ii) efektet e goditjeve të huaja u zbutën në pjesën e mbetur të vitit dhe, ajo që është më e rëndësishmja, ato nuk lanë gjurmë në strukturën e kostove të ekonomisë shqiptare; dhe (iii) pritjet e agjentëve ekonomikë dhe financiarë për inflacionin nuk pësuan luhatje të forta.
Të tre këta faktorë janë ndihmuar, në mënyrë direkte apo indirekte, nga politika jonë monetare. Banka e Shqipërisë rriti më tej dozën e stimulit monetar gjatë vitit 2016, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit, si dhe nëpërmjet orientimit më të fortë të tregjeve financiare mbi të ardhmen e politikës sonë monetare, si dhe nëpërmjet furnizimit të tregut ndërbankar me likuiditetin e kërkuar.
E parë në këtë kontekst, ecuria e inflacionit ka qenë jo vetëm në përputhje me pritjet tona, por edhe një rrjedhojë logjike e politikës së ndjekur nga Banka e Shqipërisë.
Nga ana tjetër, analizat tona sugjerojnë se rritja e shpejtë e inflacionit në muajin janar, ndonëse shkon në drejtimin e duhur, nuk është tregues për shpejtësinë e kthimit të inflacionit në objektiv. Me fjalë të tjera, pavarësisht rritjes së shpejtë, këndvështrimi ynë mbi zhvillimet e pritura ekonomike nuk ka ndryshuar: parashikimet tona sugjerojnë se kthimi i qëndrueshëm i inflacionit në objektiv do të ndodhë vetëm përgjatë vitit 2018. Kjo nënkupton dhe se qëndrimi aktual i politikës monetare është ai i duhur dhe se orientimi që i kemi dhënë tregjeve financiare mbi të ardhmen e saj mbetet i pandryshuar.
Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare lehtësuese, e cila është reflektuar tek çmimi i kredisë dhe depozitave në monedhën vendase, por nga ana tjetër vihet re se kursi i këmbimit ka ecur në drejtim të kundërt me politikën monetare lehtësuese. Në gjykimin tuaj cilat kanë qenë arsyet dhe si po i ndikon kjo eksportet dhe ekonominë në përgjithësi?
Është e vërtetë se leku ka pasur tendenca forcimi në raport me monedhat e huaja gjatë vitit 2016. Për më tepër, kjo ecuri theksoi tendencat e vëna re gjatë vitit 2015.
Përpara se të komentoj më tej, gjej me vend të sqaroj se – në përputhje me politikën tonë – kursi i këmbimit është një çmim i përcaktuar tërësisht dhe lirisht nga tregu, në reflektim të raporteve të kërkesës dhe të ofertës për valutë të huaj në të.
Nga ky këndvështrim, faktori dominues në sjelljen e kursit të këmbimit gjatë vitit 2016 ka qenë rritja e ofertës së valutës. Nga analizat tona, kjo ka ardhur pjesërisht nga nivelet e larta të investimeve të huaja direkte, nga niveli i lartë i të ardhurave të sezonit turistik, nga zhvendosje të mundshme portofoli dhe nga përpjekjet për uljen e informalitetit.
Sidoqoftë, këndvështrimi i Bankës së Shqipërisë është se kushtet monetare në vend janë stimuluese. Kjo do të thotë se, nëpërmjet mekanizmit të saj të transmetimit, politika monetare është mbështetëse për zgjerimin e kërkesës agregate dhe fuqizimin e rritjes ekonomike.
Luhatjet e kursit
“Faktori dominues në sjelljen e kursit të këmbimit gjatë vitit 2016 ka qenë rritja e ofertës së valutës. Nga analizat tona, kjo ka ardhur pjesërisht nga nivelet e larta të investimeve të huaja direkte, nga niveli i lartë i të ardhurave të sezonit turistik, nga zhvendosje të mundshme portofoli dhe nga përpjekjet për uljen e informalitetit”
Zhvillimet më të fundit në tregjet e huaja tregojnë se bankat qendrore kanë nisur të rishikojnë kurset e tyre në drejtim të normave të interesit, i referohemi këtu vendimit të Rezervës Federale apo dhe diskutimeve nga Banka Qendrore Evropiane. Nisur nga këto zhvillime të reja në tregjet ndërkombëtare, a do të ketë dhe Banka e Shqipërisë një ndryshim të kursit të politikës monetare dhe jeni ju optimist se Banka e Shqipërisë do ta kthejë inflacionin brenda objektivit sipas parashikimeve tuaja?
Politika jonë monetare hartohet ekskluzivisht në funksion të përmbushjes së objektivit të stabilitetit të çmimeve në vend. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ne nuk monitorojmë zhvillimet në partnerët tanë tregtarë e financiarë. Këto zhvillime shpesh kanë ndikim të ndjeshëm në ekonominë e në sistemin financiar shqiptar. Në analizë të fundit, ato ndikojnë dhe nivelin e çmimeve, çka përbën dhe objektivin e punës sonë.
Lidhur me zhvillimet në tregjet e huaja, mendoj se keni të drejtë: informacioni i fundit tregon fuqizim të presioneve inflacioniste në Eurozonë, ndërkohë që Rezerva Federale ka filluar tashmë ciklin e shtrëngimit të politikës monetare, ndonëse në mënyrë mjaft të kontrolluar.
Për veçori që kanë të bëjnë me shkallën relative të ekspozimit të ekonomisë dhe të sistemit tonë financiar, mendoj se politika monetare e BQE-së është mjaft më relevante në ambientin shqiptar. Analizat që disponojmë sugjerojnë se rritja e inflacionit në Eurozonë është përcaktuar ndjeshëm nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë; artikuj këta që nuk janë direkt dhe tërësisht në kontrollin e politikës monetare apo tregues të presioneve të përgjithshme inflacioniste në ekonomi. Për këtë arsye, mendoj se BQE do të vazhdojë të jetë e kujdesshme dhe të mos shtrëngojë kushtet monetare, për sa kohë nuk ka shenja të qarta të një progresi të dukshëm ekonomik.
Duke e pasur këtë në vëmendje, natyrisht që ne do të mbetemi në monitorim të situatës. Reagimi i BQE-së, dhe mbi të gjitha pasojat e tyre për Shqipërinë, do të jenë në fokus të analizave tona. Dëshiroj të ndërgjegjësoj publikun se, ndërsa kushtet e jashtme mbeten një faktor, ato nuk janë as faktori i vetëm dhe as faktori më thelbësor në përcaktimin e inflacionit në Shqipëri. Për këtë arsye, politika monetare e ndjekur nga BQE nuk përkthehet automatikisht apo mekanikisht në politikën monetare të Bankës së Shqipërisë.
Vihet re se pavarësisht uljes të njëpasnjëshme të normës bazë të interesit përsëri niveli i kreditimit nuk është ai i prituri. Çfarë mund të thoni lidhur me ecurinë e kreditimit?
Efektet e politikës sonë monetare në kredi besoj janë të dukshme. Së pari, normat e interesit të kredisë në lekë gjatë vitit 2016 ishin, në mesatare, 0.7 pikë përqindjeje më të ulëta se një vit më parë dhe më të ulëtat që kemi pasur në histori. Së dyti, portofoli i kredisë në lekë shënoi rritje me 10.2% gjatë vitit 2016, ndërkohë që portofoli i kredisë në valutë u ul me 1.2% dhe portofoli i kredisë totale u rrit me 3.2%. Së treti, dhe këtu dëshiroj të nënvizoj një fakt që shpesh anashkalohet, politika monetare lehtësuese sjell edhe uljen e kostos së shërbimit të borxhit për kreditë ekzistuese. Pra, ajo jo vetëm që ndihmon në rritjen e kredisë, por lehtëson dhe gjendjen financiare të bizneseve dhe të individëve kredimarrës. Në këtë kontekst, ndikimi i politikës monetare në lehtësimin e kreditimit në lekë ka qenë i padiskutueshëm.
Megjithatë, është e vërtetë se rritja e kredisë mbetet relativisht e brishtë. Lidhur me këtë fenomen, dëshiroj të bëj dy sqarime:
Sqarimi i parë ka të bëjë më shkaqet e ecurisë së kredisë dhe perspektivën e saj.
• Nga njëra anë, rritja e ulët e kredisë reflekton edhe një kërkesë relativisht të ulët për kredi, apo të paktën kërkesë cilësore relativisht të ulët. Në fazat e zhvillimit ku ndodhet vendi, kjo është deri-diku e kuptueshme. Bizneset dhe individët tentojnë së pari të përdorin fondet e tyre të brendshme për financim, përpara se t’i drejtohen kredisë bankare. Këto fonde janë të pranishme në ekonominë shqiptare. Shlyerja e detyrimeve të prapambetura nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2014-2015 ishte një injeksion i madh likuiditeti në ekonomi. Po ashtu, gjallërimi i konsumit privat dhe nivelet e larta të investimeve të huaja direkte gjatë vitit 2016 kanë sjellë rritjen e likuiditetit të bizneseve, fakt që vihet re në nivelin e shtuar të depozitave të bizneseve me rreth 20%. Shumë vende të Evropës Lindore dhe më gjerë kanë përjetuar një rritje ekonomike pa rritje të kreditimit në fazat fillestare, dhe kjo është diçka që po ndodh edhe në Shqipëri.
• Nga ana tjetër, edhe oferta e kredisë paraqitet e shtrënguar. Vrojtimet tona tremujore të standardeve të kreditimit tregojnë se bankat aplikojnë kërkesa të shtrënguara gjatë kredidhënies, në terma të kolateralit të pranuar, në terma të kohëzgjatjes së kredisë, në terma të sektorëve të mbuluar, dhe në terma të vlerësimit të rrezikut. E gjitha kjo vjen sepse rreziku i kreditit në Shqipëri ka qenë i lartë dhe sepse oreksi për rrezik nga grupet bankare evropiane ka qenë i ulët. E ndërgjegjshme për këtë fakt, Banka e Shqipërisë inicioi planin e masave për reduktimin e nivelit të kredive me probleme, ku ndër të tjera, ky plan synon të reduktojë rrezikun real dhe të perceptuar të kreditit në Shqipëri, duke ndihmuar direkt përmirësimin e ofertës së kredisë bankare.
Duke peshuar sa më sipër, Banka e Shqipërisë gjykon se ecuria aktuale e kredisë nuk është bërë pengesë penalizuese për rritjen ekonomike. Megjithatë, zgjerimi i mëtejshëm i aktivitetit ekonomik do të shoqërohet gradualisht me rritjen e kërkesës për kredi. Shkalla dhe aftësia e sektorit bankar për të shërbyer këtë kërkesë të rritur, do të përcaktojë edhe ecurinë e kredisë dhe të ekonomisë shqiptare.
Sqarimi i dytë ka të bëjë me faktin se Banka e Shqipërisë shqetësohet jo vetëm për rritjen e kredisë, por edhe për cilësinë e saj. Kjo do të thotë se nismat dhe instrumentet tona për promovimin e aktivitetit kreditues, do të synojnë të ruajnë gjithnjë një raport të drejtë midis këtyre dy objektivave.
Kredia e tkurrur
“Nga njëra anë, rritja e ulët e kredisë reflekton edhe një kërkesë relativisht të ulët për kredi, apo të paktën kërkesë cilësore relativisht të ulët. Në fazat e zhvillimit ku ndodhet vendi, kjo është deri-diku e kuptueshme. Bizneset dhe individët tentojnë së pari të përdorin fondet e tyre të brendshme për financim, përpara se t’i drejtohen kredisë bankare. Këto fonde janë të pranishme në ekonominë shqiptare”
Vazhdimisht, Banka Qendrore ka tërhequr vëmendjen për rrezikun e kursit të këmbimit që shoqëron kredimarrjen në monedhën e huaj. Cilat janë disa nga masat që ju keni ndërmarrë për uljen e euroizimit në ekonomi?
Për shkak të rëndësisë që ka fenomeni i euroizimit në përgjithësi, më lejoni të ndalem pak më gjatë në përgjigjen për këtë pyetje.
Përdorimi në nivel të lartë i monedhës së huaj në transaksionet e sistemit financiar, është një fenomen që quhet “euroizim” apo “dollarizim”, në varësi të monedhës së huaj që mbizotëron. Sipas formave të shfaqjes, kemi të bëjmë me euroizim të “aktiveve” kur kemi preferencë të subjekteve për të mbajtur në valutë kursimet/investimet e tyre; dhe me euroizim të “detyrimeve”, kur kemi të bëjmë me preferencë të subjekteve për huamarrje në monedhë të huaj. Euroizimi mund të thellohet më tej kur monedha e huaj përdoret si mjet pagese për transaksionet e ndryshme në ekonomi. Nëse nuk merren masa për uljen e tij, euroizimi ka vetinë të çojë në ndryshime strukturore të padëshiruara, ku çmimet në përgjithësi fillojnë dhe indeksohen me monedhën e huaj. Përgjithësisht, përvojat e vendeve të ndryshme lidhur me dollarizimin/euroizimin, tregojnë se ai është një pasojë e periudhave me inflacion të lartë, me zhvlerësime të ndjeshme të monedhës kombëtare në raport me monedhat e huaja, me zhbalancime të natyrës makroekonomike, me kriza financiare e kështu me radhë. Nga këndvështrimi i politikave ekonomike dhe financiare, një nivel i lartë i euroizimit në sektorin bankar mund të shoqërohet:
(a) me ulje të efektivitetit të politikës monetare të bankës qendrore. Kjo ndodh për shkak të tkurrjes së dy prej kanaleve të rëndësishme të transmetimit të saj, siç është kreditimi në monedhën e vendit dhe përdorimi i kursit të këmbimit si instrument automatik i stabilizimit financiar dhe ekonomik. Kjo e dyta lidhet dhe me rritjen e kostove oportune që lidhen me madhësinë dhe mënyrën e përdorimit të rezervës valutore;
(b) me shtimin e rreziqeve për stabilitetin financiar. Më konkretisht, bëhet fjalë për ekspozimin e aktorëve të tregut dhe klientëve të tyre ndaj rrezikut të kursit të këmbimit; për mungesën e instrumenteve efektive për trajtimin e një situate stresi në sistemin financiar që buron nga ekspozimi i lartë ndaj veprimtarisë financiare në valutë.
Në përgjithësi në rang ekonomie, përdorimi i lartë i monedhës së huaj mund të jetë pengesë në përpjekjet e autoriteteve për formalizimin e ekonomisë, zbatimin e politikave fiskale efektive, reformave të nevojshme për transparencën financiare dhe arsye të tjera.
Ka disa studime të autorëve vendas dhe të huaj, të cilët e klasifikojnë Shqipërinë si një vend me nivel të lartë euroizimi. Në këtë drejtim, Shqipëria është përsëri e ngjashme me disa vende të tjera të rajonit dhe reflekton, mes të tjerash, edhe ekspozimin ndaj flukseve në monedhë të huaj për shkak të lidhjeve të rëndësishme ekonomike me vende të BE-së dhe të Eurozonës. Pa hyrë në detaje të shkaqeve të niveleve të euroizimit, dua të theksoj që ky është një fenomen kompleks dhe sfidues për t’u trajtuar, ku ndikimi i masave të ndryshme mund të bëhet i prekshëm vetëm në mënyrë graduale dhe në afat të mesëm ose të gjatë. Megjithatë, pavarësisht nga vështirësitë, gjykoj se është e nevojshme të reagohet me vendosmëri ndaj këtij fenomeni. Kjo do të ndihmonte në rritjen e rezistencës së ekonomisë shqiptare, kryesisht nëpërmjet uljes së ekspozimit të saj ndaj rreziqeve dhe përmirësimit të efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare të nevojshme për trajtimin e këtyre rreziqeve.
Me këtë synim, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, kanë nisur diskutimet për të ndërtuar një qasje strategjike në trajtimin e këtij fenomeni, sipas fushave respektive të kompetencës. Në këtë drejtim, po përgatitet një Memorandum mirëkuptimi, përmes të cilit autoritetet nënshkruese do të shprehin angazhimin për të vepruar në drejtim të uljes së përdorimit të monedhave të huaja, pra për rritjen e përdorimit të monedhës vendase, në ekonominë shqiptare. Si autoritet monetar dhe mbikëqyrës i veprimtarisë bankare, Banka e Shqipërisë është duke punuar për të identifikuar disa masa të cilat do të synojnë të rrisin koston e përdorimit të monedhës së huaj në transaksionet e sektorit bankar, të forcojnë rezistencën e sektorit bankar ndaj stresit të likuiditetit në valutë, dhe të përmirësojnë më tej kërkesat për ndërgjegjësimin e huamarrësve në valutë ndaj rrezikut shoqërues të kursit të këmbimit. Kur të kemi arritur në një konkluzion përfundimtar rreth këtyre masave, Banka e Shqipërisë do të bëjë kujdes që faza e zbatimit të tyre në banka të jetë graduale.
Të përdoret monedha vendase
“Me këtë synim, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, kanë nisur diskutimet për të ndërtuar një qasje strategjike në trajtimin e këtij fenomeni, sipas fushave respektive të kompetencës. Në këtë drejtim, po përgatitet një Memorandum mirëkuptimi, përmes të cilit autoritetet nënshkruese do të shprehin angazhimin për të vepruar në drejtim të uljes së përdorimit të monedhave të huaja, pra për rritjen e përdorimit të monedhës vendase, në ekonominë shqiptare”.
Pas krizës së vitit 2008, biznesi i bankave është vështirësuar disi për shkak të forcimit të rregullave të mbikëqyrjes, auditeve etj., teksa kthimi nga kapitali për aksionerët ka pësuar rënie. Si janë përditësuar bankat në Shqipëri me këto zhvillime dhe a mendoni se do të ketë konsolidim në të ardhmen apo tregu do të zgjerohet më tej?
Ndryshimet që kanë ndodhur në kuadrin ligjor dhe rregullator të veprimtarisë bankare në nivel ndërkombëtar pas vitit 2008, janë të rëndësishme. Në to është reflektuar analiza dhe konkluzionet rreth shkaqeve dhe pasojave të krizave financiare ndërkombëtare, përfshirë dhe rrugët për parandalimin e tyre në të ardhmen. Ndër këto ndryshime, mund të veçohen ato për: përmirësimin e superstrukturës mbikëqyrëse, përmirësimin e kuadrit që vlerëson dhe parandalon rreziqet sistemike (politika makroprudenciale dhe instrumentet e saj), vlerësimin më të saktë të aktiveve me rrezik në banka dhe përmirësimin e sasisë dhe cilësisë së kapitalit të tyre. Por, sigurisht që spektri i tyre është më i gjerë.
Këto masa, të cilat kanë filluar të hyjnë në fuqi gradualisht, kanë dhënë ndikim mbi veprimtarinë bankare në vend. Për shembull, ju e dini që kërkesat më të larta për kapital në bankat evropiane, në vijim të ushtrimeve përkatëse të provës së rezistencës, janë plotësuar pjesërisht edhe nëpërmjet pakësimit të disa aktiveve me rrezik të bankave evropiane. Një nga rrugët e ndjekura ka qenë dhe pakësimi i ekspozimit të filialeve të tyre në tituj të qeverive të vendeve joanëtare të BE-së dhe në borxhin e subjekteve private në këto vende. Më i dukshëm ky ndikim në Shqipëri ka qenë në periudhën 2012-2013, por fenomeni është i pranishëm edhe sot. Paralelisht, përpjekjet për të konsoliduar pozicionet e kapitalit, mund të kenë shtyrë disa grupe bankare evropiane të ristrukturojnë rrjetin e tyre në të gjithë Evropën (pra edhe jashtë BE-së), duke e reduktuar atë në ato vende ku potenciali për gjenerimin e të ardhurave është më i ulët dhe nevoja për injektim të kapitalit shtesë nga grupi bankar është i lartë. Në ndryshim nga disa vende të rajonit, deri tani vendi ynë nuk është prekur nga ky fenomen. Grupet bankare evropiane kanë qenë të gatshme të mbështesin me kapital filialet e tyre në Shqipëri në rastet kur ka qenë e nevojshme (kryesisht në vitet 2013-2015). Megjithatë, kur siç e theksoni edhe ju, kapitali është shtrenjtuar, përvoja e kaluar në këtë drejtim nuk mund të interpretohet si një garanci për të ardhmen.
Në këto kushte Banka e Shqipërisë e ka fokusuar veprimtarinë e saj mbikëqyrëse në këto drejtime kryesore:
a) Ruajtjen e qëndrueshmërisë së sektorit bankar, ku, për situatën aktuale, marrin rëndësi më të madhe veprimtaritë që lidhen me: verifikimin e standardeve të bankave për identifikimin e hershëm të kredive me probleme, provigjionimin e përshtatshëm të tyre, ndërmarrjen e veprimeve konkrete rregullatore për uljen e nivelit të kredive me probleme; realizimin e ushtrimeve të provës së rezistencës, të cilat synojnë të identifikojnë përshtatshmërinë e kapaciteteve financiare (kapitalit, likuiditetit) për përballimin e situatave hipotetike të stresit financiar; hartimin dhe vlerësimin e planeve të rimëkëmbjes së bankave, ku identifikohen mënyrat se si ato do të përshtatnin veprimtarinë e tyre me qëllim përballimin e një situate potenciale stresi;
b) Adoptimin e standardeve ndërkombëtare, në mënyrë që sektori ynë bankar të jetë i qëndrueshëm dhe konkurrues, dhe njëherazi veprimtaria jonë mbikëqyrëse të jetë e krahasueshme me standardet e kërkuara nga sistemi i bankave qendrore evropiane. Në këtë drejtim, veprimtaria e Bankës së Shqipërisë është përqendruar në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor e rregullator lidhur me instrumentet për administrimin e situatave hipotetike të stresit në veprimtarinë bankare dhe financiare. Në ligjet kryesore që rregullojnë veprimtarinë bankare, Banka e Shqipërisë është kujdesur që të vendosë një balancë të përshtatshme mes objektivit për të përmirësuar qëndrueshmërinë e sektorit bankar nëpërmjet rregullimit më të mirë nga njëra anë, dhe nevojës për të shmangur mbirregullimin dhe kostot e panevojshme për industrinë bankare.
c) Identifikimin dhe vlerësimin paraprak të rreziqeve, ku Banka e Shqipërisë është përqendruar në drejtim të: zhvillimit dhe përmirësimit të metodologjive për identifikimin dhe vlerësimin e rrezikut sistemik, për ushtrimin e provës së rezistencës ndaj goditjeve hipotetike që e ekspozojnë veprimtarinë bankare ndaj rreziqeve të tregut, të kreditit dhe të likuiditetit; ndërtimit të një kuadri për politikën makroprudenciale dhe mënyrën e zhvillimit dhe zbatimit të instrumenteve përkatëse.
Në praktikë, jemi gjithmonë të vëmendshëm për monitorimin e ekspozimit të sektorit bankar ndaj rreziqeve të brendshme dhe të jashtme, dhe kërkojmë që përmes një komunikimi dhe bashkëpunimi të rregullt me industrinë bankare, të përmirësojmë dhe zbatojmë kërkesat ligjore në mënyrën më efektive të mundshme.
Ju, që kur erdhët në krye të Bankës së Shqipërisë, keni iniciuar me ngulm një reformë që synonte të ulte nivelin e kredive të këqija. Teksa Ligji i Falimentit ende nuk mund të zbatohet, çfarë hapash po ndjek Banka Qendrore për të parandaluar zgjerimin e NLP-ve dhe si po ecën procesi i ristrukturimit?
E kam deklaruar që në momentin e pranimit të detyrës se ulja e nivelit të kredive të pakthyera në afat do të jetë një nga sfidat kryesore të punës sime.
Kjo ka qenë arsyeja që në bashkëpunim me faktorë të tjerë vendimmarrës të brendshëm dhe partnerët tanë ndërkombëtarë ideuam një grup ndërhyrjesh të natyrës ligjore dhe nënligjore të cilin e emërtuam “Plani i masave për reduktimin e kredive me probleme”.
Dua të theksoj se plani mori përmasat e plota vetëm në vitin 2016. Së pari, nëpërmjet miratimit nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë të ndryshimeve rregullatore të dakordësuara në vitin 2015, tashmë ekziston një qartësi më e madhe në interpretimin dhe kuptimin e disa koncepteve të rëndësishme që lidhen me fshirjen e kredive nga bilanci, me trajtimin mbikëqyrës të pronave të patundshme të marra në pronësi si pasojë e proceseve gjyqësore për ekzekutimin e kolateraleve të kredive me probleme, me lehtësimin dhe shitjen e kredive me probleme, si dhe me evidentimin më të shpejtë në regjistrin e kredive.
Së dyti, miratimi nga ana e Kuvendit të Shqipërisë të paketës ligjore që lidhej ndër të tjera me falimentimin dhe proceset përmbaruese plotësoi dhe kolonën e dytë dhe më të rëndësishme të këtij plani. Tashmë mendoj se kemi “kopsitur” të gjitha hallkat dhe ambienti në vitin 2017 na lejon një ndërhyrje më energjike.
Paralelisht me miratimin, është intensifikuar komunikimi me industrinë bankare për të nxitur fshirjen nga bilanci të kredive të humbura, përgatitjen e strategjive për uljen e kredive me probleme dhe hartimin e planeve të rimëkëmbjes e të zgjidhjes për kredimarrësit e mëdhenj. Dëshiroj të shtoj se nëse do të kemi progres në zbatimin e reformës në drejtësi atëherë sinergjia që do të çlirohet, do të rrisë akoma më shumë suksesin e planit të përbashkët të ndërveprimit për uljen e kredive të këqija.
Nga një këndvështrim sasior dhe kronologjik, dua të theksoj se dy vitet e fundit kanë regjistruar uljen më të madhe të treguesit të kredive me probleme (që nga viti 2008, ky tregues njohu rritje të vazhdueshme duke kulmuar në nivelin 22.8% në fund të vitit 2014). Në fund të vitit 2016, rënia e kredive me probleme u materializua si në treguesin relativ duke zbritur në nivelin 18.3% ashtu dhe në vlerë absolute duke u tkurrur me rreth 19%. Të dhënat e muajit janar 2017 tregojnë për vazhdimësinë e tendencës rënëse.
Ecuria e fenomenit është ndjekur në vazhdimësi dhe me intensitet të shtuar në fund të vitit 2016.
Lidhur me ristrukturimet, aktualisht jemi duke rishikuar udhëzuesit për ristrukturimet e kredive, duke përfshirë në to parimet më të mira ndërkombëtare për procese të tilla, veçanërisht të atyre komplekse dhe me shumë pjesëmarrës si nga ana e kredimarrësve ashtu edhe institucioneve huadhënëse. Po ashtu, parashikojmë të hartojmë një skemë kuadër bashkëpunimi midis bankave, të cilat do të duhet të koordinohen në gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme e të qëndrueshme për kredimarrësit e përbashkët, kjo në bashkëpunim dhe me ekspertë të Bankës Botërore.
Kreditë e këqija
“Parashikojmë të hartojmë një skemë kuadër bashkëpunimi midis bankave, të cilat do të duhet të koordinohen në gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme e të qëndrueshme për kredimarrësit e përbashkët, kjo në bashkëpunim dhe me ekspertë të Bankës Botërore”.
Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë reformash gjatë mandatit qeverisës të saj. Në gjykimin tuaj, çfarë efektesh kanë pasur këto reforma në rritjen ekonomike të vendit?
Besoj se një vlerësim përfundimtar i efekteve të reformave do të kërkojë kohën e vet.
Së pari, kjo lidhet me dimensionin kohor të veprimit të reformës. Shumë reforma mund të kenë natyrë të dhimbshme në fillim dhe pastaj shfaqen efektet pozitive. Së dyti, jo të gjitha reformat kanë synuar direkt zgjerimin e potencialit të rritjes ekonomike. Përkundrazi, një pjesë e tyre kanë synuar forcimin e ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit, apo reduktimin e dobësive të tij.
Megjithatë, mendoj se të gjitha reformat që kanë prekur fushën ekonomike kanë shkuar në drejtimin e duhur dhe pasojat pozitive do të ndihen gjithnjë e më shumë në afatin e gjatë.
Raporti më i fundit i FIAA-s tregon së klima e biznesit në Shqipëri është përkeqësuar dukshëm. Ndërkohë që vrojtimi i besimit të biznesit dhe konsumatorit që publikon Banka e Shqipërisë flet për një përmirësim të dukshëm. Pse kjo mospërputhje?
Më lejoni të theksoj se dy pyetësorët që cituat ju, kanë objektiva dhe natyra të ndryshme. Për këtë arsye, rezultatet e tyre nuk janë të krahasueshme dhe është e vështirë të konstatosh përputhje apo mospërputhje.
Për lexuesin e gjerë, vrojtimet tona për Besimin e Biznesit dhe të Konsumatorit janë ndërtuar mbi metodologjinë standarde të harmonizuar të Komisionit Evropian. Në këto vrojtime, kampioni i përdorur prej 1200 konsumatorësh dhe 1200 biznesesh është i përzgjedhur në mënyrë rastësore dhe është i shtresëzuar. Shtresëzimi i kampionit është i ndërtuar për të përfaqësuar sa më mirë konsumatorin dhe biznesin që operon në Shqipëri, duke marrë parasysh shpërndarjen gjeografike, madhësinë e firmave dhe shpërndarjen brenda sektorit prodhues. Kampioni përfaqësues i bizneseve nuk bën dallim mbi origjinën e pronësisë së biznesit, pra këtu përfshihen edhe bizneset me kapital vendas edhe ato me kapital të huaj. Nga ana tjetër, raporti i FIAA-s për Shqipërinë, i titulluar ‘Studim mbi Klimën e Biznesit’, i nxjerr rezultatet e saj me anë të rreth 70 intervistave vetëm me biznese me strukturë kapitali të huaj.
Gjithashtu, përtej diferencës së kampionit të intervistuar, pyetësori ynë është dizajnuar për të kapur lëvizjet ciklike të ekonomisë, pra ecurinë e shitjeve, prodhimit, punësimit dhe kahun e zhvillimit të ekonomisë shqiptare. Në të kundërt, pyetësori i FIAA-s është dizajnuar për të kapur problemet që has biznesi gjatë operimit të tij në Shqipëri. Mendoj se janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Cilat janë pritshmëritë për rritjen ekonomike të këtij viti dhe cilin mund të konsideroni Ju si faktorin më riskoz ndaj zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, duke marrë në konsideratë se 2017-a është një vit elektoral?
Banka e Shqipërisë e ka deklaruar dhe më parë se pritjet tona për rritjen ekonomike të vitit 2017 mbeten pozitive. Në terma të rritjes ekonomike, ne presim një përmirësim të lehtë gjatë vitit 2017 dhe një përmirësim më të qenësishëm gjatë vitit 2018. Parakushtet për këtë ekzistojnë: ambienti monetar dhe financiar është i favorshëm, besimi i biznesit dhe konsumatorit është në rritje, bilancet financiare janë të shëndosha dhe ambienti i huaj do të jetë disi më pozitiv krahasuar me vitin 2016. Në rast se ekonomia shqiptare ecën sipas këtij skenari bazë, ajo ka të gjitha gjasat të kthehet në potencial brenda vitit 2018.
Megjithatë, zhvillimet ekonomike janë gjithnjë subjekt pasigurish. Ju cilësuat një prej tyre: zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Unë do të shtoja edhe rreziqe potenciale që mund të vijnë nga ambienti ekonomik dhe gjeopolitik i huaj. Gjithsesi, vlen të theksohet se stabiliteti politik është një faktor i rëndësishëm për garantimin e ekuilibrave të përgjithshëm ekonomikë dhe financiarë të vendit.
Lidhur me shqetësimin për ndikimin e mundshëm të zgjedhjeve parlamentare, mendoj se eksperienca shqiptare ka shembuj nga të dy llojet: periudha zgjedhore dhe paszgjedhore me ndikim të lartë në ekonomi, dhe e kundërta. Personalisht, mendoj se një proces zgjedhor e paszgjedhor i qetë do të ishte pozitiv për vendin.
Pasiguritë
“Zhvillimet ekonomike janë gjithnjë subjekt pasigurish. Ju cilësuat një prej tyre: zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Unë do të shtoja edhe rreziqe potenciale që mund të vijnë nga ambienti ekonomik dhe gjeopolitik i huaj. Gjithsesi, vlen të theksohet se stabiliteti politik është një faktor i rëndësishëm për garantimin e ekuilibrave të përgjithshëm ekonomikë dhe financiarë të vendit.
Sa i shëndetshëm është sistemi bankar dhe si i parashikoni zhvillimet për 2017-ën?
Aktualisht, vlerësojmë se gjendja e sektorit bankar është e qëndrueshme. Në vitin 2016, sektori bankar shënoi tregues të mirë të nivelit të kapitalizimit, të likuiditetit dhe performancë financiare pozitive, si dhe veprimtaria në tërësi përshpejtoi ritmin e zgjerimit vjetor në 6.8%. Norma e rritjes vjetore të kredive dhe të depozitave, shënoi përkatësisht 2.5% dhe 5.4%. Në rritjen e depozitave të sektorit gjatë tremujorit të fundit, kontribuan dukshëm pozitivisht edhe ato në lekë. Raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 18.2% në fund të vitit dhe përmirësimi u shtri pothuaj në të gjitha bankat. Niveli i mbulimit të kredive me probleme, me provigjione dhe me kapital, u përmirësua.
Për vitin 2017, pritshmëritë tona janë më pozitive. Veprimtaria e sektorit bankar pritet të reflektojë përshpejtimin e rritjes ekonomike, dhe kjo duhet të reflektohet në rritjen e kredisë dhe çdo forme tjetër ndërmjetësimi të sektorit bankar. Presim që procesi i uljes së kredive me probleme të vijojë, si rezultat i ndikimit të disa veprimeve ligjore dhe rregullatore që veprojnë për këtë qëllim, dhe përmirësimit të rritjes ekonomike. Niveli i kredive me probleme vlerësojmë se mbetet ende në nivele të larta dhe ka nevojë që fokusimi ynë dhe i sektorit bankar në trajtimin dhe uljen e tyre gjatë vitit 2017 të jetë i plotë. Njëkohësisht, bankat duhet të monitorojnë ekspozimin e tyre ndaj rrezikut të tregut, pra të kursit të këmbimit dhe të normës së interesit.
Në fund të vitit 2016, u miratua një ligj i cili synonte krijimin e një fondi shpëtimi për bankat, në rastet kur ato mund të shfaqin vështirësi. A do të ketë kosto të shtuara për sektorin bankar dhe cilat janë hapat që do të ndiqen për zbatimin konkret të këtij ligji gjatë këtij viti?
Miratimi i Ligjit “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë” nga ana e Kuvendit në ditët e fundit të vitit 2016 përbën një lëvizje reformuese me rëndësi të madhe për garantimin e stabilitetit të sistemit bankar. Në përgjigje të pyetjes suaj, dua të sqaroj se vetë ligji parashikon hyrjen në fuqi të tij 6 muaj pas botimit në Fletore Zyrtare, që do të thotë se efektet e plota juridike ky ligj i prodhon në muajin korrik të këtij viti. Nga ky këndvështrim, dy janë drejtimet kryesore ku jemi angazhuar për zbatimin rigoroz të tij: ngritja e njësisë përkatëse organizative dhe hartimi i kuadrit nënligjor.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e tij të fundit miratoi krijimin e Departamentit për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme, si njësi e re që i bashkohet strukturës organizative të Bankës së Shqipërisë. Departamenti i ri do të ushtrojë funksionin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme në mënyrë të shkëputur nga funksioni mbikëqyrës. Ai do të ketë linja raportimi dhe varësie të pavarura, duke përmbushur në këtë mënyrë standardin e direktivës përkatëse të Bashkimit Evropian.
Paralelisht me krijimin e njësisë është duke u punuar dhe për hartimin e gjithë kuadrit nënligjor të nevojshëm. Vetëm kështu do të mundësohet zbatimi i plotë i detyrimeve që përcakton regjimi i ri për trajtimin e bankave në rastet kur ato përballen me vështirësi serioze financiare. Duhet theksuar se këtë periudhë edhe vetë sektori bankar do ta shfrytëzojë për të marrë veprimet e nevojshme për t’u përshtatur me kërkesat e reja ligjore.
Njësoj si në rastin e hartimit të këtij ligji edhe në fazën e përgatitjes së Autoritetit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga ligji i ri, Banka e Shqipërisë do të vijojë të bashkëpunojë dhe të marrë asistencën e nevojshme nga ekspertë të Bankës Botërore, si përsa i takon hartimit të kuadrit nënligjor të nevojshëm ashtu edhe përsa i takon trajnimit të burimeve njerëzore. Mos harrojmë se bëhet fjalë për një regjim të ri ndërhyrjeje dhe trajtimi të krizave të mundshme në sektorin bankar, shumë kompleks jo vetëm për ne por edhe në nivel evropian e ndërkombëtar.
Në lidhje me krijimin e fondit të ndërhyrjes, sikurse jeni të informuar, ai parashikohet të jetë 0.5% e totalit të detyrimeve që llogaritet si diferencë ndërmjet aktiveve dhe kapitalit të të gjitha bankave. Fondi do të krijohet me kontributin e bankave dhe do të administrohet nga ASD. Ligji nuk ka përcaktuar ndonjë afat specifik për derdhjen e kontributeve, por gjithsesi ky kontribut do të duhet të fillojë të mblidhet brenda 6-mujorit të parë të hyrjes në fuqi të ligjit. Banka e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe do të punojë për hartimin e metodologjisë së llogaritjes së kontributeve dhe mënyrën e pagesës së tij. Ky Fond parashikohet të plotësohet për një periudhë 10-vjeçare nga hyrja në fuqi e ligjit.
Ajo çka është më e rëndësishme dhe që i përgjigjet edhe pyetjes tuaj lidhet me faktin se këtë ligj e kemi konsultuar gjerësisht me sistemin bankar. Vetë sistemi nga ana e tij ka shfaqur një shkallë të lartë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, marrëdhënie kjo që besoj do të vazhdojë edhe gjatë procesit të zbatimit të Ligjit. Dua të garantoj publikun shqiptar se ky ligj siguron më mirë depozitat e publikut, i bën bankat më të përgjegjshme dhe qartëson më mirë rregullat e lojës në veprimet ndërhyrëse të Bankës së Shqipërisë. Në analizë të fundit, dua të them se kemi të bëjmë me një veprim që forcon më tej stabilitetin financiar të vendit.
Qeveria shqiptare ka përfunduar marrëveshjen 3-vjeçare me FMN-në, çfarë ndodh tani? Një opinion tuajin në lidhje me marrëdhënien e mëtejshme të qeverisë shqiptare me FMN-në.
Përfundimi i marrëveshjes 3-vjeçare mbyll një kapitull bashkëpunimi intensiv me FMN-në. Besoj se konkluzionet mbi efektet pozitive të kësaj marrëveshjeje janë të njohura për publikun. Po ashtu, është e qartë se forma e ardhshme e marrëdhënieve me FMN-në do të vendoset nga qeveria shqiptare. Realiteti politik nënkupton se kjo është një pyetje që mund të rihapet vetëm pas zgjedhjeve dhe nominimit të qeverisë së re.
Megjithatë, sa i takon stadit aktual, Shqipëria do të ketë marrëdhënie normale monitorimi dhe konsultimi me FMN-në, si dhe gjithë vendet e tjera, në kuadrin e diskutimeve për Artikullin iV.
Jam i bindur se respektimi i angazhimeve tona për reforma strukturore në funksion të promovimit të rritjes ekonomike dhe stabilitetit ekonomik, për konsolidim të mëtejshëm fiskal dhe për ndjekjen e politikave të kujdesshme monetare dhe makroprudenciale do të replikojë pjesën më të madhe të përfitimeve që Shqipëria ka pasur nga Marrëveshja.