Mëshirë për fitimtarët
Eduardi (Edward), Princi i Uellsit, dikur rrethoi Limousin-in, një qytet në qendër të Francës. Lotët dhe lutjet e galëve nuk mundën të ndalnin atë çka po ndodhte. Ushtria plaçkiste dhe masakronte. Në një moment, Eduardi u gjend përpara tre ushtarëve francezë, të cilët vazhdonin betejën, pa asnjë shpresë për të fituar, pasi ishin të rrethuar nga një numër i madh kundërshtarësh. Princi Eduard u befasua aq shumë me krenarinë dhe trimërinë e tre burrave sa që, menjëherë, urdhëroi të ndalnin masakrat.
Kur ballafaqohesh me një kundërshtar më të fortë, duhet të zgjedhësh çfarë taktike do të përdorësh. Sidoqoftë, as ikja, as lufta dhe as kërkimi i mëshirës së armikut nuk mund të të ofrojnë mbijetesë të sigurt. Nuk ka kanun mbijetese në shoqërinë njerëzore, pikërisht sepse kompleksiteti i saj varet nga rrethanat dhe kontekstet përkatëse në lidhje me paparashikueshmërinë e sjelljes njerëzore.
Biologët evolucionistë shpesh i referohen së ashtuquajturës “Four Fs”, katër funksioneve themelore të trurit të kafshëve: Fighting (luftim), Fleeing (ikje), Feeding (ushqyerja) dhe… Fucking, ose ndryshe, siç e quajnë me humor… Reproduction (riprodhim).
Mund ta keni vënë re edhe vetë në dokumentarë ose te kafshët që mbajmë në shtëpi. Kur krijohet një konflikt, kafshët zgjedhin midis ikjes (Fleeing) dhe dyluftimit (Fighting). Nën stres, ato studiojnë njëra-tjetrën, peshojnë shanset, qoftë edhe në mënyrë të pandërgjegjshme, dhe bëjnë zgjedhjen që konsiderojnë më të favorshme për mbijetesë. Ndërkohë që, janë të dyja në pozicion luftimi (fighting) dhe beteja midis tyre fillon. Pasi njëra palë të kuptojë ose besojë se është e dobët, do të largohet (fleeing). Në këtë moment, është thuajse e sigurt se fituesi do të ndjekë nga mbrapa humbësin.
Akoma edhe njerëzit (të cilët janë kafshë, në rastin më të mirë) kanë më shumë gjasa për të sulmuar dhe për të përndjekur dikë që përpiqet të largohet se sa dikë që reziston. Dhe kjo, jo sepse është çështje e logjikës, por sepse është instinkti i Four Fs, që e kemi të shkruar në trurin tonë.
Por çfarë ndodh me dikë që lyp, me një person paraprakisht humbës që kërkon mëshirë? Nuk ka taktika, nuk ka rregulla. Nuk ka asgjë të sigurt. Në atë moment, gjithçka varet nga morali i fituesit, humori dhe qëllimet e tij përfundimtare. Sepse njerëzit nuk funksionojnë vetëm me Katër F-të. Dikush që karakterizohet nga zemërgjerësia, dhembshuria ose mëshira, mund të kthehet në njeriun më të pamëshirshëm dhe e anasjella.
“Ndryshime të vogla të kushteve fillestare, më vonë, shkaktojnë rezultate të paparashikueshme në sistemet dinamike”. Kështu thotë teoria e kaosit, të cilën e vërtetojnë edhe matematicienët e dinamikës jolineare. Versioni më popullor i saj është ajo çka do të shqipërohej “efekti flutur” (rrahja e krahëve të një fluture mund të shkaktojë një Cunami në anën tjetër të botës).
Shembulli më i mirë për të ilustruar teorinë e kaosit është reagimi i Aleksandrit të Madh (i famshëm për zemërgjerësinë e tij ndaj humbësve) ku bashkë me 45000 ushtarët e tij, u fut me vështirësi të madhe në Gaza. Komandant ishte dikush me emrin Vilio, i cili, edhe pse i gjakosur, vazhdonte ende të luftonte i vetëm kundër qindra kundërshtarëve maqedonas, të cilët kishin urdhër ta kapnin të gjallë. I tërbuar nga humbjet që kishte pësuar dhe plagët që kishte marrë në shpatull, Aleksandri kërkoi që Vilio të vuante keqazi. Dhe pse ai i pranoi të gjitha vuajtjet, Aleksandri i Madh nuk u mjaftua. Urdhëroi ta lidhnin mbrapa një karroce dhe ta tërhiqnin zvarrë deri sa të shpërbëhej nën muret e qytetit.
Si çdo sistem dinamik dhe truri i njeriut shpjegon shumë mirë kaosin. Sipas logjikës, ka më shumë gjasa që ndaj armikut njerëzit të sillen mizorisht dhe pa zemërgjerësi. Sidomos grupet, organizatat dhe shtetet, të cilat janë në përkufizim çnjerëzore, pasi brenda tyre humbet karakteristika e personalitetit individual.
Kaosi kërcënon rendin botëror bashkë në vijim të një ndërvarësie pa precedentë ndërmjet shteteve, pohon Henri Kisinger (Henry Kissinger), ish-sekretari i Shtetit amerikan.
Është e vërtetë, globalizimi i ekonomisë botërore ka gjeneruar kërcënime, të cilat i tejkalojnë kufijtë. Në një kohë kur mirëqenia është ngushtësisht e lidhur me problemet e mëdha botërore, rriten edhe konfliktet gjeopolitike ndërmjet komb-shteteve tradicionalë.
Motori kryesor i të gjithë kësaj pezullie është degjenerimi i rendit botëror. Ideja e të jetuarit në një boshllëk në rritje pushteti, i cili nuk mund të mbushet nga asnjë vend apo grup vendesh brenda një periudhe afatshkurtër. Kjo situatë përforcon dhe ndërlidh konfliktet gjeopolitike që mbijnë sot ngado, si për shembull në Ukrainë, Irak dhe Siri.
Jetojmë në një botë rajonesh, në të cilat shtete të ndryshme kanë sfera të ndryshme influence. Po shkojmë drejt një çrendi të ri botëror. Do të jetë një botë fitimtarësh dhe të humburish, në të cilën disa rajone do të arrijnë ta ruajnë më mirë stabilitetin dhe rendin krahasuar me të tjerat.
Për konstruktin që cilësohet si shtet shqiptar, kjo nuk do të ishte asgjë e re, pasi përherë u është nënshtruar rregullave të lojës së regjionalizmit dhe teleregjionalizmit. Fati i shteteve të vogla.
Që nga momenti i themelimit të tij, në njëfarë mënyre “lutej për mëshirë”, për të qenë pjesë e sferës së influencës së një fuqie që mund ta “evangjelizonte” drejt Perëndimit. Në parim, ishte një shtet që mbijetonte duke u mbështetur te dikush më i fuqishëm.
Akoma në kohën tonë, situata pak ka ndryshuar. Vazhdon kërkimi i mbështetjes, shpesh edhe i ndërhyrjes, së Peshave të Rënda. Jemi paraprakisht të dorëzuar dhe e vetmja shpresë qëndron te mëshira e superbankave dhe organizatave ndërkombëtare. Shpesh, për ndërhyrje të këtij soji, gjen referenca të tilla rrëqethëse si “kirurgji pa anestezi”. Dhe sa të marrë jemi ne? Që besojmë se dikujt do t’i vijë keq për ne? Në Afrikë, askujt nuk i vjen keq për asnjë.
Asnjë qytet, – ka thënë filozofi grek Thekidi, – nuk mund të jetë i lirë kur liria e tij është e varur nga të tjerë.
Në botën moderne, “tregu” botëror është Zoti absolut, Perëndia e lartë. Politikanët janë drejtues, jo sundimtarë. Popujt janë njerëzit e humbur. Dhe “Tregu” nuk tregon fare mëshirë për humbësit.