ParlamentarePolitika

Meta-Ahlin: Dy parlamentet do të promovojnë potencialet e Shqipërisë për investimet e huaja

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i shoqëruar nga deputetët Arta Dade, Agron Duka dhe Kejdi Mehmetaj u pritën sot në një vizitë zyrtare në Parlamentin e Suedisë nga Kryetari i Riksdag, Urban Ahlin.

Dy delegacionet parlamentare zhvilluan bisedime mbi marrëdhëniet dypalëshe, intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe mbi zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit dhe në BE.

Kryeta Meta shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e pakursyer të Suedisë ndaj zhvillimit ekonomik, social dhe integrimit evropian të Shqipërisë, duke nënvizuar se marrëdhëniet e shkëlqyera politike duhet të reflektojnë një nivel më të lartë shkëmbimesh ekonomike e tregtare, ku dy parlamentet mund dhe duhet të luajnë një rol kyç dhe parësor në intensifikimin e kontakteve.

Meta vuri në dukje se Shqipëria është e vetëdijshme që duhet punuar më fort për krijimin e një klime më të besueshme biznesi, dhe në këtë drejtim po vërehet progres përmes një axhende ambicioze reformash, ku pas reformimit të ndarjes administrative e territoriale të vendit, fokusi është në përfundimin brenda pranverës së reformës thelbësore të sistemit të drejtësisë, si reformë parësore e kyçe për suksesin në luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, për forcimin e sundimit të ligjit dhe për krijimin e një ambienti më tërheqës për investimet e huaja.meta me ahlin takim

Në këtë kontekst, Meta nënvizoi se Shqipëria si një vend stabël dhe me peshë specifike në rajon, përfaqëson një potencial të rëndësishëm për investitorët suedezë, të cilët sjellin në vend një ekspertizë dhe kulturë pune që mbetet model jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera të Evropës Juglindore.

Kryetari i Riskdag, Urban Ahlin i uroi mirëseardhjen z. Meta dhe delegacionit shqiptar duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Mbretërisë së Suedisë për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. “Suedia mbështet fuqishëm integrimin evropian të Shqipërisë dhe zhvillimin ekonomik e social të të gjithë rajonit”, – theksoi Ahlin.

Në këtë drejtim u theksua rëndësia e konkretizimit dhe thellimit të bashkëpunimit ndërparlamentar, dhe duke vlerësuar takimin mes dy Sekretareve të Përgjithshme te dy parlamenteve, znj. Albana Shtylla dhe znj. Kathrin Flossing, Kryetari Ahlin vuri në dukje se Riksdag është i gatshëm të ofrojë asistencën e tij veçanërisht në fushat e teknologjisë, rritjes së efikasitetit të administratës, procesit legjislativ e monitorues, etj.

meta me ahlin takim_2Gjithashtu, Ahlin u shpreh se Parlamenti i Suedisë do të jetë i hapur për promovimin e Shqipërisë pranë komunitetit të investitorëve suedeze dhe dhomave të tregtisë, me qëllim shtimin e kontakteve dhe vizibilitetit të Shqipërisë në Suedi.

Duke biseduar mbi zhvillimet në rajon, u nda bindja se rajoni i Ballkanit ka bërë progres të dukshëm gjatë viteve të fundit dhe u vlerësua roli konstruktiv dhe përqasja pozitive rajonale e Shqipërisë. Në këtë kuadër, z. Meta u shpreh se duke marrë në konsideratë marrëdhëniet e shkëlqyera që Shqipëria gëzon me të gjitha vendet e rajonit, duhet punuar për promovimin e një pakete rajonale ekonomike, e cila do të ishte më tërheqëse për investimet e huaja.

Ndërsa në një prononcim të përbashkët për mediat, Meta tha se “Suedia është një vend model përsa i takon zhvillimit, përsa i takon teknologjisë dhe cilësisë së investitorëve të saj. Dhe ne besojmë se shumë shpejt investitorët të rëndësishëm nga Suedia do të eksplorojnë mundësitë për të investuar në vendin tonë”.meta me ahlin

“Ne e dimë që për investitorët suedezë është shumë e rëndësishme siguria juridike dhe rendi ligjor, prandaj dhe e kam njohur, e kam siguruar Kryetarin e Parlamentit, z. Ahlin, për vendosmërinë tonë për të përmbyllur me sukses reformën madhore në sistemin e drejtësisë, që do të krijojë një ambient shumë më të besueshëm për investitorët e huaj në vendin tonë”, u shpreh Kryeparlamentari Meta.

Edhe Kryetari i Riksdag, Urban Ahlin theksoi se “ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të nxitur investimet në Shqipëri, por natyrisht edhe investimet shqiptare në Suedi. Bashkë me z. Meta biseduam gjatë për këtë çështje dhe me aq sa di, Shqipëria ka resurse të mëdha, të pashfrytëzuara ende, Shqipëria është një vend i mrekullueshëm për turizmin. Kur unë udhëtoja së bashku me z. Meta nëpër Shqipëri në fillim të viteve ‘90 dhe pashë këtë vend të mrekullueshëm, është e lehtë të kuptosh arsyen pse më shumë turistë të huaj duhet të vizitojnë Shqipërinë”.

Gjatë vizitës së tij në Parlamentin suedez Riksdag, Kryeparlamentari Meta dhe delegacioni parlamentar shqiptar u pritën edhe nga një delegacion i përbashkët i Komisionit të Jashtëm Parlamentar dhe kryetari i tij Keneth Forslund si dhe Komisionit për Çështjet Evropiane drejtuar prej Carl Schlyter.

Njëkohësisht delegacioni shqiptar zhvilloi bisedime me anëtarë të Komisionit Parlamentar të Drejtësisë kryesuar prej znj. Beatrice Ask si dhe me Presidentin e Gjykatës së Apelit, Fredrik Wersall.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button