Meta: Më 21 qershor do të votohet me hartën e re
Kryeparlamentari
“Bojkoti i zgjedhjeve? PD është parti, jo shoqatë, të zbatojë vendimet e gjykatave”
Edhe pse në seancën e fundit plenare të sesionit parlamentar, mazhoranca dhe opozita firmosën rezolutën e përbashkët për konsensus mes palëve, klima politike në vend vijon të jetë e tensionuar. Ndryshe nga opozita, që deklaron se nuk do të ketë zgjedhje vendore me hartën e re territoriale, mazhoranca është e vendosur që gara lokale e 21 qershorit të zhvillohet pikërisht me këtë ndarje. Në një intervistë dhënë dje në mbrëmje në “Vizion Plus”, kreu i LSI-së, Ilir Meta, theksoi se kjo hartë është pranuar edhe nga Gjykata Kushtuese, dhe zbatimi i vendimeve të saj është kushti i vendosur nga vetë opozita për nënshkrimin e marrëveshjes së 24 dhjetorit. “Thelbi i marrëveshjes është respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ky ka qenë një nga shqetësimet bazë, sepse incidenti që ndodhi në Parlament ishte preteksti për të dalë nga Parlamenti. Por shkaku kryesor ka qenë sipas tyre, gjoja moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, komisionet hetimore. Kështu që është rënë dakord nga të dyja palët të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Edhe për çështjen në fjalë do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, – u shpreh Meta. Kreu i Kuvendit përjashtoi çdo mundësi të moszhvillimit të këtyre zgjedhjeve, edhe në rast se opozita vendos që t’i bojkotojë ato. Në analizën e tij të situatës më të fundit politike në vend, Meta iu referua dhe deklaratave të javës së kaluar të raportuesit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, Knut Fleckenstein i cili theksoi se në rast se opozita vendos t’i bojkotojë ato, atëherë ky është një vendim i saj. “Është një detyrim kushtetues, sikur edhe mazhoranca të vendosë bojkotin, të gjitha institucionet, përfshirë edhe Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, janë të detyruara të zbatojnë Kushtetutën dhe të organizojnë zgjedhjet. Nuk është e thënë që të konkurrojnë vetëm partitë, mund të konkurrojnë edhe kandidatët e pavarur, çdo njeri, ne nuk mund të bllokojmë procese kushtetuese për arsye të qëndrimeve thjesht të karakterit politik. Por është absolutisht absurde, që opozita apo edhe një forcë serioze politike të bojkotojë, sepse në fund të fundit, këtu dallohet një forcë politike nga një shoqatë”,- u shpreh Meta. Në raport me Presidentin dhe vendimin e tij për kthimin mbrapsht të ligjit për Gjykatën e Lartë, Meta preferoi të qëndrojë brenda kornizave ligjore, duke theksuar se Kuvendi do të shqyrtojë me vëmendje çdo argument të kreut të shtetit që e detyruan atë të mos i pranojë këto ndryshime ligjore që u miratuan një muaj më parë nga mazhoranca. Nga ana tjetër, ai theksoi se ashtu si Presidenti, edhe Kuvendi ka të drejtën Kushtuese që të përgjigjet në të njëjtën mënyrë. “Parlamenti do të shohë me vëmendje të gjitha arsyet pse Presidenti e ka kthyer këtë ligj dhe vendimi i Parlamentit do të jetë i qartë besoj në të ardhmen. Kjo është një çështje do të thosha filozofike më shumë sa është çdo gjë tjetër. Pra unë e përjetoj shumë qetë për arsye sepse besoj që Presidenti është sovran në vendimet e tij, dhe është e drejta e tij të marrë përgjegjësitë që i jep Kushtetuta dhe natyrisht kjo nuk pengon as Parlamentin për të bërë të njëjtën gjë. Mendoj që ne kemi një demokraci funksionale. Është e rëndësishme që të dyja palët të bëjnë marrëveshjen që ju përmendët, kanë rënë dakord për të respektuar dhe për t’ju bindur Gjykatës Kushtetuese. Me Presidentin jemi marrë vesh për shumë çështje”- tha Meta. Ndërsa i pyetur në lidhje me një dakordësie mes mazhorancës dhe Presidentit në lidhje me emrin e ri të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, kreu i Kuvendit theksoi se dekreti i Nishanit për kandidaturën e Gentian Sejkos është ende në proces dhe nuk ka një vendim përfundimtar për këtë çështje.