Politika

Meta në Berlin: Shqipëria është një vend tranzit për projekte ndërkombëtare në infrastrukturë dhe energjetikë

Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Gjermani, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta mori pjesë më 19 shkurt në Konferencën Vjetore të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme gjermane në Berlin, ku mbajti edhe një fjalë përshëndetëse si i Ftuar Nderi. Konferenca vjetore është një nga aktivitetet më të rëndësishme politike dhe ekonomike në Berlin, ku marrin pjesë mbi 3500 personalitete të shquara gjermane dhe ndërkombëtare të politikës, botës së biznesit dhe shoqërisë civile.

Këtë vit, në panelin kryesor përveç Presidentit Meta, përshëndetën me fjalimet e tyre dhe Presidentja e Republikës së Kroacisë, Znj. Kolinda Grabar – Kitaroviç, edhe Ministri Federal për Çështjet Ekonomike dhe Energjinë, Peter Altmaier.

Presidenti Meta gjatë fjalës së Tij, vlerësoi parneritetin strategjik dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit në të gjitha fushat mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë. Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen financiare dhe teknike të Gjermanisë, për më shumë se 30 vite, në fushat më jetike të ekonomisë tonë si: energjetika, infrastruktura, bujqësia, turizmi, shëndetësia, SME-të dhe arsimi profesional, ku kontributi i saj tejkalon vlerën e 1 miliard $, duke u renditur si donatori më i rëndësishëm në Shqipëri. Presidenti Meta gjatë fjalës së tij bëri një ekspoze të potencialeve në sektorët prioritar, ku renditi mes të tjerash dhe disa oportunitete investimesh për biznesin e huaj dhe atë gjerman në veçanti. Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta ftoi biznesin gjerman për mundësitë e investimeve në sektorin e turizmit dhe energjetikës në Shqipëri. “Ftesa ime e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë është që t’ju ftoj në Shqipëri jo vetëm si turistë për të shijuar bukuritë e saj të jashtëzakonshme, por edhe si investitorë potencial duke shfrytëzuar kapitalin tuaj financiar dhe ekspertizën menaxheriale në sektorin e turizmit” theksoi Presidenti Meta.

“Gjermania është promotorja kryesore në Europë e ‘ekonomisë së gjelbër’ dhe energjisë së rinovueshme. Në këtë kontekst, është një oportunitet i artë që investitorët gjermanë të eksplorojnë dhe të investojnë në tregun energjetik shqiptar dhe atë rajonal sepse qeveritë e Ballkanit, me ndihmën edhe të donatorëve të huaj siç është dhe ‘KfW’, po financojnë projekte të përbashkëta në linjat e transmetimit dhe në sistemin e shpërndarjes, sikurse po synohet krijimi i një ‘burse energjetike rajonale’ në mënyrë që edhe kapacitetet e reja prodhuese të penetrojnë në tregun europian.” – tha ndër të tjera, Presidenti Meta. Në përfundim, Presidenti Meta nënvizoi se bota po përjeton epokën e globalizimin 4.0, ku ekonomia dixhitale dhe teknologjia e informacionit janë bazat e modelit të ri të zhvillimit ekonomik dhe ku Shqipëria ka shumë për të mësuar edhe nga eksperienca gjermane. Presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e prezencës së kompanive gjermane në Shqipëri dhe në rajon në forcimin e prespektivës europiane të vendeve tona.

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës:

Është një privilegj i veçantë dhe një nder i madh që të përshëndes Konferencën vjetore të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme gjermane, ku janë të ftuar mbi 3500 personalitete të spikatura nga bota e politikës, biznesit dhe shoqërisë civile. Së pari, më lejoni të falenderoj posaçërisht Presidentin Ohoven dhe Profesorin Jerger për ftesën e tyre në këtë aktivitet, e cila erdhi natyrshëm pas një vizite dhe një takimi shumë të frytshëm që patëm vitin e kaluar në Berlin. Shqipëria dhe Gjermania janë dy vende mike dhe partnere, me marrëdhënie të shkëlqyera në të gjitha fushat e bashkëpunimit.

Viti 2018 ishte një vit jubile për vendet tona, sepse përkoi me festimin e 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe “bashkëpunimit ekonomik Shqipëri – Gjermani”.

Simbolikisht, Gjermania e rrëzoi më herët se në Berlin “perden e hekurt” të Shqipërisë komuniste të vitit 1988, duke qenë vendi i parë demokratik dhe përëndimor që i shtriu “dorën bujare” Shqipërisë dhe shqiptarëve, përmes asistencës financiare dhe teknike, që ishte aq kritike për ekonominë tonë komuniste, e cila ishte në prag të falimentit.

Sot pas 30 vitesh, i jemi mirënjohës pafundësisht Gjermanisë, jo vetëm për mbështetjen e saj politike në të gjitha proceset demokratizuese dhe europianizuese të Shqipërisë, por edhe për faktin se ajo renditet si donatori i parë në vend, me një asistencë financiare prej më shumë se 1 miliard $, të alokuara për investime madhore në fusha si: energjetika, infrastruktura, turizmi, bujqësia, arsimi profesional, zhvillimi i SME-ve etj.

Tashmë, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësimin në BE. Falë vizionit të kancelares Merkel, të mishëruar edhe në “Procesin e Berlinit”, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një aspiratë dhe një destinacion të qartë drejt integrimit europian. Ne shpresojmë se edhe me mbështetjen e paçmuar të Gjermanisë dhe me vullnetin e të gjithë vendeve anëtare, të jemi të gatshëm të çelim negociatat me BE-në qershorin e 2019-s.

Procesi i Berlinit mund të shërbejë si një katalizator dhe instrument i fuqishëm për reformat e nevojshme strukturore ekonomike, si dhe për krijimin e një “tregu të përbashkët rajonal” apo “zonës ekonomike rajonale” (Regional Economic Area).

Ky synim madhor mund të arrihet vetëm përmes investimeve strategjike të interkonektivitetit rajonal në infrastrukturë, energjetikë, apo sektorët të tjerë prioritarë, me synimin final fuqizimin e ekonomive tona, thithjen e investimeve të huaja, rritjen e produktivitetit e konkurrueshmërisë së produkteve si dhe përgatitjen e biznesit lokal dhe rajonal për tregun e përbashkët europian.

Shqipëria për shkak të pozicionit të saj gjeostrategjik në Ballkanin Perëndimor, ka potencialin e madh për t’u kthyer në një “portë hyrëse” në tregun europian dhe në një “qendër ekonomike dhe biznesi” për shtrirjen e investimeve të huaja në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Aktualisht, Shqipëria është një vend tranzit për projekte të rëndësishme ndërkombëtare të ndërlidhjes në fushën e infrastrukturës dhe energjetikës.

Projekti i gaz-sjellësit TAP (Trans-Adriatic Pipeline) – si pjesë integrale e “Korridorit të Gazit të Jugut” – i cili sjell gazin e Kaspikut nga Azerbajxhani deri në Itali dhe pastaj në tregun europian përmes Shqipërisë, është në fazën finale të investimit. Sasitë e para të gazit azer në Europë, parashikohen të transportohen përmes Shqipërisë vitin e ardhshëm.

Projekti TAP, ka krijuar premisën për realizimin e një projekti tjetër me impakt strategjik rajonal në fushën e gazit, siç është ai i Ionian-Adriatic Pipeline, ndryshe i njohur si projekti IAP.

Projekti IAP, si një degëzim i projektit TAP, synon të transportojë gazin azer nga Shqipëria, në Mal të Zi, Bosnje dhe Hercogovinë, deri në Split të Kroacisë. Aktualisht, pas fazës së suksesshme të studimit të fizibilitetit, qeveria shqiptare dhe ajo malazeze kanë siguruar një grant prej 2.5 milion euro nga BE, për hartimin e projektit.

Këto projekte jo vetëm që fuqizojnë pozitën gjeostrategjike të Shqipërisë dhe garantojnë diversifikimin e resurseve tona energjetike, por mbi të gjitha, kontribuojnë qenësishëm në sigurinë energjetike për vendin tonë, rajonin e Ballkanit dhe vetë Europën.

Të nderuar pjesëmarrës,

Ekonomia shqiptare është modeste, por potencialet dhe oportunitetet e saj investuese janë të mëdha, sidomos duke vlerësuar pozitën e saj gjeografike dhe sinergjinë me të gjithë tregun e Ballkanit Perëndimor, i cili përfshin rreth 20 milion konsumatorë.

Natyrshëm, edhe për Shqipërinë, “Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme” janë shtylla kurrizore dhe motori i ekonomisë, duke përfaqësuar në total 99.7% të bizneseve, duke kontribuar me 80% në PBB dhe me rreth 67% të stokut të investimeve private, si dhe duke punësuar mbi 81 % të fuqisë punëtore.

Shqipëria prej vitesh ka konsoliduar stabilitetin politik, makroekonomik si dhe ka përmirësuar klimën e biznesit, duke lehtësuar drastikisht procedurat burokratike për të hapur dhe operuar një biznes.

Për vitin 2018, pritshmëritë për rritjen ekonomike janë në nivelin e rreth 4.1 % të PBB-së nga rreth 3.8% që ishte për 2017, ndërkohë që edhe agjensitë ndërkombëtare financiare si Standard & Poors Global dhe Moody’s e kanë vlerësuar pozitivisht me B+ dhe B1, performancën e ekonomisë shqiptare dhe financave publike.

Fakt për këtë ndjenjë besimi të tregjeve dhe investitorëve të huaj në ekonominë shqiptare është dhe emetimi i suksesshëm i Eurobondit të 2018-s në tregjet financiare ndërkombëtare, me një vlerë prej 500 milion euro, me normë interesi 3.5% dhe me një maturitet 7 vjeçar, i cili do të shërbejë edhe për “rifinancimin” e Eurobondit të 2015-s që kishte vlerën e 300 milion euro, me normë më të lartë interesi prej 5.75% dhe një periudhë më të shkurtër maturiteti, prej 5 vitesh.

Të dashur miq të komunitetit të biznesit gjerman,

Shqipëria, ky “thesar i paeksploruar” i Mesdheut, është një vend i bekuar me shumë pasuri natyrore, me resurse të mëdha nëntokësore dhe me një kapital human dinamik, me të reja dhe të rinj energjikë dhe të talentuar.

Më lejoni të shfrytëzoj rastin që të prezantoj shkurtimisht potencialet sektoriale dhe oportunitetet për investitorët e huaj në tërësi dhe për ata gjermanë, në veçanti!

Sektori i turizmit në vitet e fundit po njeh një zhvillim impresionues edhe pse potencialet e tij janë akoma të pashfrytëzuar. Vetëm për 2018, Shqipërinë e vizituan rreth 5.6 milion turistë të huaj, nga rreth 4.6 milion që erdhën më 2017, ndërkohë që kontributi total i sektorit të turizmit në ekonominë tonë është rreth 26.3% e PBB-së.

Agjensia më prestigjoze ndërkombëtare “Lonely Planet” e ka renditur Shqipërinë në vendin e 8 nga 10 destinacionet globale për t’u vizituar në vitin 2019, për plazhet e saj me ujë të kristaltë, për bukuritë unikale të Alpeve shqiptare, për sitet e njohura arkeologjike dhe trashëgiminë e pasur kulturore (disa janë trashëgimi e UNESCO-s), për mikpritjen e ngrohtë dhe kulinarinë e mrekullueshme.

Pavarësisht këtij bumi turistik dhe fluksi të lartë të turistëve të huaj, ne kërcënohemi të jemi “viktima të suksesit tonë” nëse nuk thithim investime serioze të huaja për zgjerimin e kapaciteve të strukturave akomoduese të hoteleve dhe resorteve turistike.

Ne kemi nevojë për projekte të reja strategjike në fushën e turizmit, për të qënë konkurues me rajonin dhe me gjerë, për të mikpritur turistë të huaj duke synuar fashën e klientelës elitare, siç janë dhe turistët gjermanë, të cilët preferojnë aktualisht plazhet e Turqisë për shkak të një ofertë turistike më atraktive.

Së fundmi kemi miratuar një paketë të re fiskale për ndërtimin e hoteleve me 4 dhe 5 yje. Praktikisht, hotelet me 4 ose 5 yje që gezojnë status të veçantë apo që janë mbajtësit e një marke të regjistruar ndërkombëtare, përjashtohen nga tatim fitimi për 10 vjet. Për hotelet me 5 yje, TVSH-ja për të gjitha shërbimet e tyre do të jetë vetëm 6%, nga 20% që është TVSH-ja standarte.

Gjithashtu, me një kontribut të rëndësishëm në ekonominë shqiptare dhe punësimin, si dhe në sinergji integrale me potencialin turistik, janë sektorët e bujqësisë, agro-turizmit dhe industrisë ushqimore, të cilat në vitet e fundit kanë njohur rritje të investimeve private.

Prandaj, ftesa ime e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë është që tju ftoj në Shqipëri jo vetëm si turistë për të shijuar bukuritë e saj të jashtëzakonshme, por edhe si investitorë potencial duke shfrytëzuar kapitalin tuaj financiar dhe ekspertizën menaxheriale në këtë sektor kaq fitimprurës.

Sektori energjetik dhe sidomos energjia e rinovueshme është një fushë tjetër prioritare që ofron potenciale të mëdha investimesh.
Shqipëria renditet e dyta në Europë për burime ujore për frymë pas Norvegjisë. Mbi 97% e energjisë elektrike në vend prodhohet nga hidrocentralet, ndërkohë që aktualisht vetëm 35% e potencialit të energjisë hidrike është i shfrytëzuar.

Kompania norvegjeze Statkraft brenda vitit finalizon investimin e saj gjigand dhe fillon operimin në një nga HEC-et më të mëdha në Shqipëri dhe në rajon, të quajtur Devolli HydroPower.

Shqipëria, si një vend mesdhetar me rreth 270 ditë me diell në vit, synon të zgjojë interesin e investitorëve të huaj edhe në projektet e “energjisë diellore” përmes paneleve fotovoltaike, sikurse kërkon të shfrytëzojë edhe energjinë e erës, përmes parqeve eolike.

Së shpejti, edhe me asistencën teknike të BERZH, fillon investimi për ndërtimin e parkut të parë fotovoltaik në Jug të Shqipërisë (Vlorë), me një kapacitet instalues prej 50 MW dhe një vlerë financimi mbi 70 milion euro, nga kompania India Power Coporation ltd.

Gjermania është promotorja kryesore në Europë e “ekonomisë së gjelbër” dhe energjisë së rinovueshme.

Në këtë kontekst, është një oportunitet i artë që investitorët gjermanë të eksplorojnë dhe të investojnë në tregun energjetik shqiptar dhe atë rajonal sepse qeveritë e Ballkanit, me ndihmën edhe të donatorëve të huaj siç është dhe “KfW”, po financojnë projekte të përbashkëta në linjat e transmetimit dhe në sistemin e shpërndarjes, sikurse po synohet krijimi i një “burse energjetike rajonale” në mënyrë që edhe kapacitet e reja prodhuese të penetrojnë në tregun europian.

Përsa i përket eksporteve, ekonomia shqiptare është mbështetur kryesisht në industrinë nxjerrëse dhe atë të tekstileve.

Shqipëria zotëron një nga rezervat më të pasura me krom në Europë (Bulqiza), sikurse ka edhe fushën më të madhe, në tokë (on-shore), me rezerva nafte në Europë (Patos-Marinzë).

Prej vitesh janë prezente në Shqipëri kompani multinacionale, siç është Kompania Shell, të cilat po operojnë në Shqipëri në fushën e hidrokarbureve si dhe në fushën minerale.

Nga ana tjetër, industria tekstile ka nje kontribut të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, sidomos për impaktin e saj social në punësimin e mbi 100 mijë personave. Tashmë, prej vitesh disa “marka” të njohura ndërkombëtare të veshjeve prodhojnë nga Shqipëria për tregun europian dhe atë botëror.

Një prioritet tjetër është krijimi i “zonava të lira ekonomike” dhe “parqeve industriale dhe teknologjike” në formën e “klusterave ekonomike”, në të cilat parashikohen lehtësira fiskale dhe doganore për të thithur investitorë të huaj serioz në sektorin e manifakturës dhe logjistikës.

Në këtë kontekst, duke shfrytëzuar dhe potencialin e saj portual, Shqipëria mund të kthehet në një “qendër rajonale e produkteve industriale” për kompanitë ndërkombëtare.

Aktualisht, në fushën e manifakturës dhe logjistikës, ne kemi në Shqipëri histori suksesi të kompanive gjermane, siç janë “Forschner” dhe “Lidner”, të cilat prej disa vitesh kanë investuar dhjetëra miliona euro dhe kanë hapur mijëra vende të reja pune.

Të dashur miq,

Ju e dini më mirë sesa unë se në epokën e globalizimit 4.0, ekonomitë tona mund të jenë të suksesshme dhe të konkurrojnë denjësisht vetëm nëse investojnë mjaftueshëm në kapitalin human.

Revolucioni i dijes dhe “inteligjencës artificiale” na dikton nevojën emergjente për të ndërmarrë reforma të thella strukturore në sektorin e arsimit, duke iu përgjigjur dinamikës së tregut të punës dhe “paradigmës së re” globale të zhvillimit ekonomik. Në këtë drejtim, modeli gjerman mund të shërbej si një busull edhe për reformat e nevojshme për transformimin ekonomik të shoqërive tona.

Ky është një leksion i dhimbshëm për Shqipërinë dhe vendet e rajonit sepse prej dekadash po vuajmë nga plaga e emigracionit apo më saktë nga “rrjedhja e trurit”, e sidomos në vitet e fundit të të rinjve dhe të rejave të mirë-edukuar.

Kjo është sfida jonë më e madhe e stadit aktual të zhvillimit, e cila duhet adresuar me politika të zgjuara ekonomike, fiskale dhe sociale, për të mos u kthyer, në të ardhmen e afërt, në një bumerang me pasoja të parikuperueshme për vendet tona.

Për sa i përket emigracionit, nuk ka asnjë surprizë që Gjermania është destinacioni i tyre preferuar.

Megjithatë, është fakt se Shqipëria ka akoma një nga popullsitë më të reja në Europë me një brez të ri të mirë-edukuar dhe që flasin disa gjuhë të huaja. Një nga avantazhet tona krahasuese në rajon për thithjen e investimeve të huaja është kostoja e ulët e fuqisë punëtore.
Në këtë kontekst, industria e shërbimeve mbetet motori i zhvillimit tonë ekonomik. Në dekadën e fundit janë më shumë se 30 mijë të rinj që janë punësuar në sektorin e ICT dhe në sektorin e nënkontraktimeve të biznesit “outsource” BPO (Bussiness Process Outsourcing – ose “call center”).

Në vitet e fundit, Shqipëria është kthyer në destinacionin e lakmuar nga kompanitë italiane, spanjolle dhe gjermane të ICT, për shkak të kostove të ulta dhe fleksibilitetit në tregun e punës, aftësive komunikuese në disa gjuhë të huaja, apo dhe regjimit të taksave më të ulta krahasimisht me vendet e BE-së.

Nga ana tjetër, një treg që aktualisht është në fazën embrionale por me potencial të madh zhvillimi është sektori financiar i tregjeve të kapitaleve (bursat) apo fondet e investimeve, ku prezenca e kompanive gjermane me reputacion ndërkombëtar në këtë fushë do të ishte shumë e mirëpritur dhe me vlerë të shtuar për ekonominë tonë.

Më lejoni të mbyll fjalën time duke shprehur bindjen se ne jemi të vetëdijshëm që sot Bashkimi Europian sikurse dhe Gjermania si pjesë e rëndësishme e lidershipit të saj, ka sfida madhore për të adresuar dhe pikëpyetje ekzistenciale për të zgjidhur.

BE, duhet t’i japë zgjidhje të shpejtë çështjeve të “nxehta” si BREXIT, emigracionit illegal apo fluksit të refugjatëve kryesisht nga zonat e konfliktit të Lindjes së Mesme, turbulencave të brendshme politike të frymëzuara nga një populizëm radikal në ngjitje, apo dhe marrëdhenieve globale delikate të tregtisë me SH.B.A-në dhe Kinën.

Të gjitha këto zhvillime të vrullshme na orientojnë drejt një “epoke të re post-moderne të pasigurisë”, e cila në thelb kërkon të imponojë injorimin apo “rishkrimin” e rregullave të gjithëpranuara prej dekadash të rendit botëror, globalizimit dhe multilateralizmit.

Në këtë kontekst, unë besoj se të gjitha këto sfida kërkojnë një BE më të bashkuar, më të reformuar dhe më të hapur ndaj zgjerimit për Ballkanin Perëndimor, sepse një Ballkan në paqe dhe me stabilitet, me prosperitet dhe i integruar plotësisht në familjen europiane, është një garanci më shumë për një BE më të fortë në dimensionin politik, ekonomik, ushtarak, dhe në atë të kohezionit social.

Edhe një herë ju falënderoj për ftesën dhe mundësinë që më dhatë për të ndarë me ju disa ide dhe refleksione për Shqipërinë, për rajonin e Ballkanit, si dhe për parteneritetin tonë të palëkundur strategjik me Gjermaninë.

Duke ju uruar suksese dhe punime të mbarë konferencës, shpresoj që shumë prej investitorëve të nderuar gjermanë t’i takoj sërish në Shqipëri, për të diskutuar mbi projekte konkrete investimesh dhe oportunitete biznesi në të gjitha sektorët e ekonomisë!”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button