ParlamentarePolitika

Meta takon një grup deputetësh shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi

Kryeparlamentari Ilir Meta gjatë vizitës së tij në Mal të Zi, zhvilloi një takim edhe me deputetët shqiptarë të Parlamentit malazez.

Gjatë bashkëbisedimit me deputetët Halil Dukovic, Luigj Shkrela,  Nikollë Gegaj, Nik Gjeloshaj dhe Dritan Abazovic,  Meta diskutoi për problematikat që prekin popullsinë e pakicës autoktone shqiptare të Malit të Zi dhe dëgjoi me vëmendje shqetësimet dhe sugjerimet e tyre për disa çështje të ndjeshme për këtë pakicë nacionale.

Meta pasi u informua nga deputetët për çështje konkrete që lidhen me decentralizimin e pushtetit lokal në komunën e Tuzit, me zbatimin e ligjit për të mirat detare në Ulqin dhe rrethina, ashtu siç zbatohet edhe në komuna të tjera të bregdetit malazez, për çështje të arsimit të fëmijëve shqiptarë, apo edhe për përdorimin e simboleve kombëtare dhe gjuhës amtare shqipe në institucione lokale në komuna me shumicë shqiptare, nënvizoi se Kuvendi i Shqipërisë i mbështet kërkesat legjitime të pakicës shqiptare dhe është në komunikim të vazhdueshëm edhe me autoritetet malazeze të cilat kanë treguar mirëkuptim për shumë çështje.

Kryeparlamentari Meta, shoqëruar prej Kryetares së Komisionit të Jashtëm, Arta Dade dhe deputeti i Malësisë së Madhe njëkohësisht Kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë, Paulin Sterkaj, përcolli mesazhin se duke vlerësuar progresin substancial të arritur deri më sot si dhe vëmendjen e autoriteteve malazeze, Tirana zyrtare do të punojë më ngushtë me Podgoricën dhe Kuvendi i Shqipërisë do t’i mbajë dyert hapur për të gjithë shqetësimet legjitime të tyre.

Njëkohësisht, Meta konfirmoi angazhimin e tij personal për të avancuar kërkesat shqiptare të cilat duhet t’i shërbejnë jo vetëm interesit ekonomik e social të shqiptarëve, por edhe stabilitetit e forcimit demokratik si dhe perspektivës euro-atlantike të Malit të Zi.

Kryetari Meta theksoi se një Mal i Zi i fortë e i integruar në BE e në NATO, i shërben më mirë nevojave të shqiptarëve, të cilët kanë merita të pamohueshme në të gjithë momentet kyçe shtetformuese e demokratike të vendit fqinj.

Meta bashkërisht me znj. Dade dhe z. Sterkaj i inkurajuan deputetët shqiptarë që pavarësisht përkatësive partiake, kur bëhet fjalë për prioritetet që prekin popullsinë shqiptare, të gjithë faktorët politikë duhet të bashkohen për t’i shërbyer më me efikasitet këtij interesi të përbashkët kombëtar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button