Meta: Të sjellim në vëmendjen e turistëve, bukuritë përrallore natyrore
Kryetari i Kuvendit, në prezantimin e projektit për mbështetjen e zhvillimit turistik të Skraparit-
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në prezantimin e projektit për mbështetjen e zhvillimit turistik të Skraparit. Ky projekt i iniciuar nga Programi Italo-Shqiptar i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim (IADSA) dhe i mbështetur nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Bashkia e Çorovodë dhe disa komuna të zonës synon që nëpërmjet infrastrukturës turistike të promovohen bukuritë natyrore dhe produktet bio të Skraparit.
Të pranishëm në firmosjen e marrëveshjes së bashkëpunimit ishin Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, Ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani, Kryetari i Bashkisë së Çorovodës, Nesim Spahiu, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, përfaqësues të IADSA-s si edhe deputetë. Duke përgëzuar për bashkëpunimin midis qeverisë italiane dhe asaj shqiptare për mbështetjen e turizmit në këtë zonë, Meta tha se “jemi në kohën e duhur për të sjellë në vëmendje të turistëve vendas dhe të atyre ndërkombëtarë këto bukuri përrallore natyrore që u përmendën këtu. Natyrisht duke sjellë edhe disa produkte turistike që deri tani i mungojnë zonës, sidomos në fushën e shërbimeve, të ruajtjes së traditave dhe të prezantimit të tyre në mënyrë sa më të cilësore”.
Kryetari i Kuvendit shprehu bindjen se me mbështetjen e duhur do të nxirren në pah vlerat turistike që ka zona e Skraparit dhe do të lehtësohet zhvillimi i turizmit. “Lugina e Osumit është e jashtëzakonshme, unike, aq më tepër kur ajo bashkohet edhe me luginën e Vjosës. Unë mendoj që projekti italian ka qenë shumë i suksesshëm në rrethin e Përmetit dhe besoj se do të jetë shumë i suksesshëm edhe këtu në Skrapar.E gjithë infrastruktura do të nxjerrë në pah këto produkte turistike dhe këto bukuri natyrore, do të lehtësojë si asnjëherë më parë zhvillimin e turizmit”. deklaroi Meta.
Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, u shpreh se Qeveria shqiptare e konsideron turizmin sektor strategjik të zhvillimit të ekonomisë.
“Vërtet jam shumë e kënaqur në lidhje me marrëveshjen e një projekti të rëndësishëm që përputhet tërësisht me strategjinë e zhvillimit të turizmit që ka Qeveria shqiptare. Jo vetëm duke e konsideruar turizmin si sektor strategjik të zhvillimit të ekonomisë, por nga ana tjetër duke e parë çdo qytet, çdo njësi vendore si një potencial të jashtëzakonshëm për t’u kthyer në një destinacion të preferuar turistik”, tha znj. Gjermeni.
Duke vlerësuar modelin e bashkëpunimit ndërinstitucional, por dhe me partnerët privatë, Ministrja theksoi se sektori i ekonomisë nuk mund të zhvillohet vetëm nga një ministri apo vetëm nga një qeverisje vendore, por nga të gjithë aktorët duke i koordinuar përpjekjet e përbashkëta.
“Skrapari i ka të gjitha bukuritë natyrore, i bekuar nga Zoti , natyra dhe të gjitha bashkë, dhe ajo që duhet të bëjmë ne është që ta nxjerrim më në pah këtë potencial turistik duke shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke respektuar natyrën dhe duke sjellë modele të zhvillimit të turizmit. Projekti i sotëm në fakt ka disa komponentë të rëndësishëm që krijon një model bashkëpunimi. E para ka partnerë Ministrinë e Turizmit , Bashkinë Çorovodë që është dhe partneri lider, komuna, operatorë turistikë etj, duke treguar se turizmi është sektori i ekonomisë që nuk mund të zhvillohet vetëm nga një ministri apo vetëm nga një qeverisje vendore. Por nga të gjithë aktorët duke i koordinuar përpjekjet e përbashkëta. Them s ky model që ne fillojmë me këtë projekt është modeli i cili jam i sigurt që do të jetë i suksesshëm”, tha Gjermeni.
Realizimi i këtij projekti pritet që t’i japë një impuls pozitiv rritjes së punësimit dhe të zhvillimit ekonomik të zonës.