Meucci: Rreth 20 të dyshuar për krime lufte në Gjakovë
Shefi i EULEX-it, Gabriele Meucci ka deklaruar për “Veçernje Novosti” të Beogradit se deri tani janë identifikuar rreth 20 persona të dyshuar kundër të cilëve mund të ngritët aktpadi për krime lufte në vitin 1999 kundër popullatës civile në territorin e komunës së Gjakovës.
Meucci në intervistë nuk ka përmendur emra, por se gazeta përkujton se së fundmi është bërë publike se ndër të dyshuarit është edhe ish-shefi i Agjencisë Ushtarake të Sigurimit (VBA) Momir Stojanoviq, i cili aktualisht gjendet në krye të Këshillit për Kontroll të Shërbimeve të Sigurimit në Parlamentin serb.
“Me këto lista të personave të kërkuar prokurorët e EULEX-it kanë iniciuar vetëm hetimet për krimet e luftës në komunën e Gjakovës më 27 dhe 28 prill 1999 në Mejë, Orize dhe fshatra të tjerë në atë rajon”, ka thënë Meucci.
Shefi i EULEX-it është shprehur i bindur se e vërteta për krimet e luftës në fund do të dalë në shesh.
“Kam siguruar që ekipi hetues t’i ketë në dispozicion të gjitha resurset e domosdoshme që i nevojiten për ta kryer punën e vet, kështu që në këtë moment duhet të presim që të zbatohet procedura dhe të përfundojë hetimi i nisur. Jam thellësisht i bindur se në fund drejtësia megjithatë do të mbisundojë”, ka thënë Meucci, transmeton KP.
Në vërejtjen e gazetës serbe se që nga ardhja e bashkësisë ndërkombëtare, drejtësia në Kosovë s’ka hetuar asnjë vepër të rëndë penale të kryer kundër serbëve, ai ka thënë se rastet, si ai i autobusit të Nish-ekspresit, Grackës dhe Gorazhdevcit, gjithmonë mund të rihapen, nëse paraqiten prova të reja.