MF: Disa banka shprehin interes për të financuar borxhin prej 250 milionë euro
Disa banka kanë shprehur interes për të financuar borxhin prej 250 milionë euro që qeveria kërkon të marrë me garancinë e Bankës Botërore.
Sipas burimeve nga ministria e Financave, marrja e këtij borxhi në tregjet ndërkombëtare nga ana e qeverisë do të krijojë hapësirën e nevojshme që sistemi i brendshëm bankar të rrisë kreditimin për biznesin.
Qeveria u ka kërkuar bankave apo investitorëve të huaj, që të dërgojnë brenda datës 1 Prill ofertat e tyre zyrtare në Ministrinë shqiptare të Financave. Financat publike duket se kanë fituar besueshmëri në tregun ndërkombëtar financiar, edhe pse niveli borxhit publik [sht[ objekt i debateve politike në vend.
Borxhi kërkohet me afat dhjetëvjeçar dhe Banka Botërore do të garantojë 200 nga 250 milionë eurot e paketës. Burimet thanë se procesi pritet të përfundojë me sukses, pasi situata në tregje është pozitive.
Veç kësaj, Qeveria paralelisht do të dalë në tregjet ndërkombëtare edhe për të rinovuar 300 milionë euro të tjera borxh, që ka marrë në vitin 2010 përmes eurobondit. Kjo do të thotë se, në total, gjatë këtij viti Shqipërisë do t’i duhet të gjejë 550 milionë euro financime nga investitorët privatë në tregjet botërore.
Ministria e Financave synon që i gjithë procesi i dorëzimit të ofertave dhe vlerësimit të tyre të përfundojë brenda muajit të ardhshëm, ndërsa kredia të bëhet efektive duke nisur nga muaji maj. Qeveria e ka argumentuar vendimin për të marrë borxh të ri në tregun e jashtëm me nevojën për të krijuar më shumë hapësira financimi për ekonominë, pa cënuar burimet e brendshme financiare.