Michel: Mbledhje historike në Tiranë, hapa shtesë në rrugën e integrimit
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel deklaroi sot, në konferencën për mediet në përfundim të punimeve të samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë se, “ka pritshmëri, me qëllim që reformat në fushën e shtetit të së drejtës, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, të avancojnë”.
Michel fillimisht falënderoi Kryeministrin Edi Rama për mikpritjen.
“Kjo është një mbledhje historike gjatë së cilës ne shkruam historinë. Shkruajmë historinë, sepse për herë të parë kjo mbledhje u organizua në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Për herë të parë BE dhe liderët e Ballkanit janë rreth të njëjtës tryezë në vijim të takimit që ka ndodhur në Brdo në Slloveni dhe takimet që u zhvilluan në Bruksel, gjatë samitit që u zhvillua në muajin korrik”, tha Michel.
“Kjo mbledhje e sotme është deklarata që shoqëron punimet tuaja. Është e rëndësishme, sepse përmban hapa shtesë në rrugën e integrimit”, tha Michel.
“Besoj thellësisht se e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e sigurt dhe më e begatë me Ballkanin Perëndimor brenda BE-së. Dhe kjo bindje e përbashkët na bashkon për të favorizuar përmes projekteve konkrete dhe të prekshme këto përafrime në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Michel.
“Të gjithë kemi detyrat tona për të realizuar. Ka pritshmëri, me qëllim që reformat në fushën e shtetit të së drejtës, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit të avancojnë. Nga ana tjetër BE duhet të forcojë kapacitetin e tij për të përforcuar tregun e përbashkët. Është ideja e marrëveshjes roaming që u nënshkrua sot. Është një hap përpara në vijim të Samitit të Brdo-së, ku lindi kjo ide, dhe kjo bëri të mundur që vitin e ardhshëm dhe në horizont 2027-a, të zvogëlojmë dhe të heqim praktikisht shpenzimet e roaming, gjë që është vërtetimi i një angazhimi konkret për ndërmarrjet, për kontaktet mes shtetasve dhe gjithashtu për zhvillimin turistik të rajonit të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Michel.
Michel u shpreh se, “progrese konkrete janë realizuar për të përballuar bashkë pasojat negative të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Kjo luftë ka pasur pasoja të rënda në fushën e energjisë, në fushën ekonomike dhe në fushën e furnizimit me ushqime. Prandaj është shumë e rëndësishme që të kemi një paketë financiare për të mbështetur dhe për të ndihmuar Ballkanin perëndimor kur vjen fjala për të luftuar këto pasoja”.
Michel foli edhe për emigracionin.
“Kjo është një temë sfiduese dhe natyrisht ne përballemi sërish me vështirësi lidhur me këtë dhe gjithashtu me rritjen e shifrave. Kështu që ky bashkëpunim konkret operativ në Ballkanin Perëndimor është thelbësor për të gjithë ne. Do të doja që të shpreh mirënjohjen time sepse ne patëm mundësi që të shënojmë një lloj progresi duke harmonizuar politikën e vizave që është një hap konkret në drejtimin e duhur. Ne e dimë që duhet të merren vendime shtesë dhe natyrisht që do të duhet të bëjmë progres të mëtejshëm për të menaxhuar së bashku këtë situatë”, tha Michel.
Michel falënderoi edhe një herë Kryeministrin Rama dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor. pati sot shumë respekt, shumë besim. Jemi të kthjellët për momentin që jetojmë, për brezat e ardhshëm, janë momente shumë tronditëse. Tronditje klimatike, tronditje numerike, kriza e COVID-it na tronditi të gjithëve. Gjithashtu kjo lufta, që shkaktoi këto pasoja. Çështja është të dimë në cilën shoqëri do të jetojmë nesër. A duam lirinë? A duam që parimet demokratike të garantojnë jetën dhe shoqërinë njerëzore? A duam ne një model tjetër? Zgjedhja është në dorën tonë. Ne të gjithë duhet të shohim në një drejtim për të ndërtuar një BE që do të jetë i qëndrueshëm, i bazuar në vlerat tona të përbashkëta”, përfundoi Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.