Ekonomia

Midis 108 vendeve: Shqipëria, Serbia e Kroacia, si të rrezikuar nga kriza e borxheve.

Në raportin mbi borxhet 2016 ekspertët përmendin 108 vende, ndër to edhe Shqipëria, Serbia e Kroacia, si të rrezikuar nga kriza e borxheve. Në këto vende gjendja nuk ka përmirësim dhe tendenca e borxheve është në rritje

Ekspertët gjermanë të zhvillimit tërheqin vëmendjen për zhvillime të reja të rrezikshme lidhur me krizën e borxheve shtetërore në vendet në zhvillim dhe ato në ekspansion. “Ne shohim prej vitesh një përkeqësim dramatik të situatës së borxheve në hemisferën jugore në përgjithësi”, deklaroi Jürgen Kaiser nga organizata Erlassjahr.de të mërkurën (13.04) në Berlin gjatë paraqitjes së raportit të borxheve 2016 të përpiluar bashkarisht me organizatën e ndihmës Misereor.

“Nga rënia e çmimeve të lëndëve të para dhe rritja e papritur e interesave kërcënojnë borxhe të reja si në vitet 1980”, theksoi Kaiser. Sipas të dhënave të Misereor dhe Erlassjahr.de borxhet shtetërore kundrejt donatorëve të jashtëm në vendet në zhvillim dhe ato në ekspansion janë në rritje prej vitesh dhe kanë arritur ndërkohë një shumë të përgjithsme prej rreth 5,4 bilion bilionë Dollarë borxhe. Kjo rritje është pesë herë më shumë se përpara 25 vjetësh.

Sipas raportit mbi borxhet, 108 shtete konsiderohen si “me borxhe kritike”. Raste dramatike paraqiten në periferinë europiane si në Kroaci, Serbi, Ukrainë e Shqipëri. Këtyre u shtohen edhe vende si Gambia, Gana dhe Mauritania në Afrikë, India e Pakistani si dhe Libani e Jordania në Lindjen e Mesme.

Rreziqet e një përkeqësimi të gjendjes së borxheve në vendet e prekura, sipas ekspertëve, kanë të bëjnë me rënien e ndjeshme të çmimeve për lëndët e para, zhvillimet e paparashikueshme në tregjet e kapitalit dhe një rritje e dobët ekonomike globale. Lëvizjet aktuale të migracionit janë një “dëshmi e dështimit të politikës perëndimore të zhvillimit”, tha koordinatori i Erlassjahr.de. Natyrisht që borxhet nuk janë e vetmja dhe arsyeja e drejtpërdrejtë për arratinë e njerëzve, por megjithatë mungesa e perespektivës ekonomike është një faktor i rëndësishëm, theksoi ai.

Erlassjahr.de dhe Misereor i bëjnë thirrje qeverisë gjermane, që krizën që kërcënon ta vendosë në agjendën ndërkombëtare. Të dyja këto organizata me karakter fetar kërkojnë krijimin e një kuadri global ligjor për zgjidhjen e krizës së borxheve, në të cilin të merren parasysh edhe interesat e vendeve në borxhe. “Vendet e pasura deri tani e kanë bllokuar krijimin e një procesi të detyrueshëm dhe korrekt të shlyerjes së borxheve”, deklaroi Kristina Rehbein nga organizata Erlassjahr.de.

Eksperti i financave i Misereor, Klaus Schilder, paralajmëron nga pasojat e krizave të borxheve për vendet e prekura. Rritja e borxhit shtetëror është një “pengesë qendrore” për zhvillimin, theksoi ai. “Detyrimet për kthimin e borxhit e rëndojnë shumë buxhetin e shtetit – e nuk mbetet aspak hapësirë për të investuar p.sh. në fushën e shëndetësisë e arsimit.” Në këtë kontekst nuk duhet të lihet jashtë vëmendjes as përgjegjësia e donatorëve.

Raportin për borxhet nuk sheh parimisht si problem borxhet jashtë vendit, por e vendos theksin tek raporti mes kapacitetit ekonomik dhe atij financiar të një vendi si dhe tek qendrueshmëria e strategjisë së tij financiare. Sipas mendimit të ekspertëve në këtë drejtim influencojnë në mënyrë problematike zhvillimet e ndryshme aktuale.

Ndër të tjera në një sërë vendesh në zhvillim dhe në ekspansion janë ulur të ardhurat prej shitjes së lëndëve të para për shkak të rënies dramatike të çmimeve. Njëkohësisht interesat e ulëta të obligacioneve shtetërore për vite me radhë në përgjithësi e kanë ulur gatishmërinë për blerjen e tyre. Por së fundi inetersat për bonot e thesarit të këtyre shteteve janë rritur dukhhëm në sfondin e shtimit të pasigurisë në tregjet e kapitalit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button