Midis krimit civil dhe krimit shtetëror
ILIR YZEIRI
Gjithmonë e më shumë më mundon pyetja: si ka mundësi që tani që jemi hapur me botën, që tani që nuk kemi kufij ideologjikë, kulturorë apo edhe fizikë, ne jemi bërë më të mbyllur, më të vrazhdë, më të pakulturuar?! Është e vërtetë që kemi përmirësuar në mënyrë thelbësore jetën materiale, që jetojmë qindra herë më mirë se ç’kemi jetuar më parë, po si ka mundësi që jemi tharë në shpirt e jemi bërë të gjithë mediokër dhe kemi mbetur të varur pas turbo-folkut kulturor. Humnera e thellë shpirtërore në të cilën jemi zhytur që të gjithë duket sidomos te mungesa e modeleve. Ne nuk kemi sot një elitë kulturore ku të identifikohemi. Shkrimtarin tonë të madh, Kadarenë e kemi mënjanuar nga qarkullimi ynë kulturor dhe vendin e tij e kanë zënë telenovelat turke apo librat rozë. Nuk kemi më muzikë të lehtë. Nëse do të dëgjosh radion apo tv-në, do të dëgjosh nga mëngjesi në darkë këngë banale orientale që këndohen pa asnjë filtër nga të ashtuquajtur këngëtarë që vijnë përgjithësisht nga tradita e këngëve të ahengut krijuar nëpër mejhanet moderne me pishina e makina luksoze. Nuk kemi filma shqiptarë, nuk kemi teatër. Edhe një dramë që po shfaqet këto ditë me aktorë që bërtasin e ulërijnë si në teatrin partizan, më shumë të kujton se sa të vjetruar jemi në shije dhe jo se sa teatër kemi. Çdo shoqëri e shfaq imazhin përmes asaj që quhet ligjërim publik, i cili materializohet apo shfaqet sidomos përmes medias. Media është pasqyra ku ne shohim identitetin tonë, fytyrën tonë, problemet që kemi, kulturën, ambiciet, orientimin politik dhe gjithçka që përcakton natyrën e një shoqërie moderne dhe perëndimore. Prej kohësh filozofët kanë vënë re njëlloj etnocentrizmi sidomos në ato raste kur kultura perëndimore shpallet si modeli më i arrirë dhe imazhi që duhet imituar. Në të tilla vende, ligjërimi publik zotërohet kryesisht nga rrëfimi që bën media për shëndetin e demokracisë, të ekonomisë, të shkencës, të artit, të kulturës. Njerëzit informohen në mënyrë të menjëhershme dhe nga shumë burime për gjithçka që ndodh në fushë të mendimit, të politikës apo të artit e të sportit. Cilido që e ndjek jetën shqiptare, ka vënë re se ajo ka vetëm një përmasë. Ligjërimi publik përbëhet vetëm nga debati politik. Mediat shqiptare janë kthyer në qendra zëri apo në ekrane në të cilat shfaqet vetëm një dramë – ajo politike. Dhe ligjërimi politik shqiptar përbëhet vetëm nga një model, nga konflikti midis dy palëve që e akuzojnë njëra-tjetrën si kriminelë. Pas këtij ligjërimi rendin si në kor që të gjithë për të përcaktuar se cili është më shumë kriminel dhe se sa gradë kriminel është njëri apo tjetri. Në fakt, shoqëria shqiptare gjendet e mbërthyer mes krimit civil dhe krimit shtetëror.
***
Debati që ka filluar këto kohë në Parlamentin shqiptar është në vijim të llomotitjeve të mërzitshme e banale që bëjnë një tufë njerëzish ndër më të pamoralshmit në Shqipëri që janë parlamentarët shqiptarë. Opozita e sotme është përgjegjëse dhe fajtore e pandëshkuar e krimit shtetëror. Lideri i saj i fshehur sot pas Lulëzim Bashës, Sali Berisha, është autori i disa krimeve shtetërore që kanë penalizuar rëndë shoqërinë shqiptare. Historia politike e këtij njeriu është e mbushur me veprimtari kriminale që kanë penalizuar rëndë këtë vend. Që nga vjedhja masive e votave në vitin 1996, te skemat piramidale, te vrasjet në bulevard dhe deri te përfshirja e familjes së tij në krime të pastra siç ishte Gërdeci, Sali Berisha mund të jetë politikani me rekordet më të zeza të krimit shtetëror ndaj të cilit nuk ka filluar asnjë hetim. I tillë është edhe kryetari formal i PD-së, Lulzim Basha, ndaj të cilit janë të pambyllura ende krimet si shpërdorimi i 220 milionë eurove në “Rrugën e Kombit” ashtu dhe vrasjet e 21 janarit. Krimi shtetëror i pandëshkuar është modeli më tragjik i krimit, sepse ai i deligjitimon institucionet. Krimi shtetëror i pandëshkuar na ka kthyer prapa në kohë dhe na ka bërë të ngjashëm me vendet autokratike të Afrikës dhe ish-shtetet diktatoriale të Amerikës Latine. Vetëm Mugabeja i Kongos nuk hetohet me gjithë krimet e tmerrshme që ka kryer ndaj popullit të tij. Krimi shtetëror i pahetuar në Shqipëri, na ka bërë ne përfundimisht një vend tribal, në të cilin vend nuk vendosin ligjet apo institucionet, por klientët dhe tarafet. Kjo frymë e pandëshkueshmërisë së krimit shtetëror ka shkaktuar edhe kriminalizimin e drejtësisë. Drejtësia shqiptare është një instrument politik që mbron krimin shtetëror dhe nuk e heton atë. Në hierarkinë e krimit, pas atij shtetëror vjen krimi mafioz që mbështet në grupe të organizuara që kryejnë trafiqe të llojllojshme. Këto kohë ne pamë vetëm fillimin e kriminalizimit politik e shoqëror, por në të ardhmen, në qoftë se nuk fillon hetimi i krimit shtetëror, atëherë, krimi civil dhe bandat do të gjejnë gjithmonë shtigje që të ulen në Parlament. Sot në Shqipëri e dinë të gjithë se si sponsorizohet politika nga grupe të dyshimta dhe me veprimtari të errët ekonomike. Mirëpo, rasti i Mark Frrokut që, megjithëse ishte i dyshuar për një seri krimesh të errëta, u bë edhe deputet, është një rast spektakolar që tregon se shoqëria jonë jo vetëm që nuk ka kritere etike, morale e ligjore, por është e sunduar në pjesën më të madhe nga trysnia e kësaj kategorie. Mirëpo paradoksi nuk qëndron këtu, paradoksi është diku tjetër. Deputetët shqiptarë kanë nisur fushatën e dekriminalizimit duke akuzuar njëri-tjetrin. Kjo është fyerja dhe tallja më e madhe që i bëhet publikut që i ndjek ato seanca dhe popullit shqiptar në përgjithësi. E gjithë kjo mua më kujton një skenë nga filmi i famshëm “Kumbari” dhe përkatësisht skenën kur Vito Korleone kërkon një takim me të gjitha familjet mafioze dhe aty vendosin që të pajtohen dhe të ndërpresin vrasjet, vendosin gjithashtu që të kufizojnë trafikun e drogës, madje njëri prej tyre propozon që drogën t’ua shesin vetëm të zinjve. Debati që bën veçanërisht opozita për dekriminalizimin më kujton pikërisht këtë skenë. Në çdo vend normal demokratik, deputetët miratojnë ligje që e shmangin kriminalizimin e politikës dhe pastaj institucionet e pavarura e dekriminalizojnë politikën. Aq më tepër deputetët tanë që i kanë shkaktuar aq mundime me krimin shtetëror këtij vendi, do të duhej që të heshtnin dhe të mbyllnin gojën, të miratonin një paketë ligjore që të dënonte në fillim krimin shtetëror pastaj të gjitha krimet e tjera dhe kriminelët me kollare që llomotisin në Parlament për dekriminalizimin.