Ekonomia

Mikrofinanca ka injektuar në ekonominë kombëtare mbi 1 miliard dollarë

Mikrofinanca vazhdon të mbetet një nga instrumentat më të rëndësishëm në kreditimin e sipërmarrjeve të vogla dhe ekonomive të varfra rurale.

Në konferencën “Mikrofinanca shqiptare, një histori suksesi në shërbim të zhvillimit të vendit”, që u zhvillua në Tiranë, u vu theksi se ndër vite, institucionet e mikrokredisë që operojnë në vendin tonë, kanë kredituar mbi 350.000 fermerë, sipërmarrës dhe familje shqiptare duke injektuar në ekonominë kombëtare mbi 1 miliard dollarë.

Institucionet e mikrofinancës janë një ndihmë e madhe për ekonominë vendase dhe po ndihmojnë mijëra fermerë, sipërmarrës të vegjël dhe familje fshatare.

Një kategori kjo që përfiton çdo ditë shërbimet e mikrokredisë duke shmangur burokracitë e institucioneve bankare. Dhe më konkretisht, mikrofinanca paraqet sot 20% të totalit të numrit të kredive që jepen në vend. Një shifër tejet e lartë kjo që tregon dhe nevojat e larta financiare të fermerëve dhe sipërmarrësve të vegjël në vend.

Në konferencë u vu theksi edhe tek impakti social i institucioneve të mikrofinancës, të cilat i vijnë çdo ditë në ndihmë individëve dhe bizneseve që nuk plotësojnë kushtet për t’u kredituar nga sistemi bankar.

Mikrofinanca shqiptare (2)Foto Flor Abazaj“Prioriteti ynë janë zonat rurale dhe të thella. 100% e territorit mbulohet së paku nga një prej institucioneve tona. Një nga prioritetet tona ka qenë fuqizimi i sipërmarrjeve të grave. Shpresojmë dhe besojmë që këtë vit të mbështesim edhe më shumë sipërmarrje të grave. Për çdo kredi të re hapen mesatarisht 1.4 vende të reja pune. Nisur nga konteksti i krizës ekonomike dhe rëndësisë që ka sipërmarrja private në vend (95% e sipërmarrjeve kanë 1 deri në 4 punonjës), mikrofinanca është realisht një shtyllë e zhvillimit ekonomik në vend”, u shpreh Zana Konini nga USHKK.

Institucionet e mikrofinancës kanë një dimension social shumë të theksuar duke synuar që të jenë gjithëpërfshirës dhe jo përjashtues ndaj kategorive të veçanta. Për këtë arsye kanë adaptuar procedura të thjeshta, të shpejta dhe me kritere të lehtësuara për t’i ardhur në ndihmë popullatës. Institucionet e mikrofinancës kanë krijuar një model qeverisës dhe pronësie ku klientët janë vetë vendimmarrës. Në këtë drejtim, tashmë SHKK-të janë edhe pjesë e ligjit për Sigurimin e Depozitave, duke ofruar garanci edhe më të larta përmes ASD-së.

Përtej gjithçkaje, sfidat për të ardhmen ngelen të mëdha. Në veçanti në drejtim të përmirësimit të legjislacionit apo modelit të taksave të aplikueshme në mënyrë që kuadri rregullativ të pasqyrojë realisht dimensionin social të këtij aktiviteti. Rishikimi i ligjit për SHKK-të, aktualisht në Bankën e Shqipërisë, është në këtë drejtim një sfidë e cila kërkon mbi të gjitha nxjerrjen e mësimeve nga ky aktivitet 22- vjeçar. Nevoja e financimit të ekonomisë lokale ngelet gjithashtu ende një sfidë e madhe për shkak të problemeve të shumta që lidhen me pronësinë dhe nivelin e ekonomisë informale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button