Mile: Prioritet i punës sime të përditshme, krijimin e hapësirave më të mira për ju
Kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetare të Bashkisë Pogradec, Diana Mile zhvilloi disa takime në qytet dhe në komunën e Hudënishtit. Kandidatja shoqërohej në këto takime edhe nga e deleguara e Lëvizjes Socialiste për Integrim në këtë qark, Klajda Gjosha.
Mile takoi një grup të moshuarish në pedonalen e qytetit, pikërisht në vendin ku prej vitesh ata mblidhen për të luajtur shah apo domino dhe ku qëndrojnë për disa orë gjatë ditës.
Kandidatja e koalicionit të majtë premtoi se pas 21 qershorit do të rikonstruktojë këtë mjedis duke krijuar kushte më të përshtatshme për të moshuarit. “Unë do ta kem prioritet të punës sime të përditshme, krijimin e hapësirave më të mira për ju. Unë nuk dua t’ju bëj shumë premtime, por ju siguroj se çdo fjalë që po them sot do ta bëj realitet nëse zgjidhem si Kryetare e Bashkisë së Pogradecit”, – u shpreh Mile.
Gjatë bisedës me të moshuarit kandidatja për kryetare e Bashkisë Pogradec u bëri me dije se në projektin e saj për zhvillimin e qytetit është parashikuar edhe ndërtimi i një mjedisi të ri në qendër të qytetit që të përdoret vetëm nga të moshuarit, gjatë sezonit të dimrit.
Gjatë një shëtitje në pedonalen e qytetit, kandidatja së bashku me të deleguarën e LSI-së, Gjosha, takuan dhjetëra banorë të qytetit dhe dëgjuan idetë dhe shqetësimet e tyre.
“Ju duhet të mbështesni znj.Mile, pasi ajo përfaqëson një model shumë të mirë të një zonje që Bashkinë e Pogradecit do ta kthejë në një qendër komunitare, që dyert t’i ketë të hapura për të gjithë ju”, u shpreh Gjosha, gjatë takimit me qytetarët. Ajo theksoi se pogradecarët me votën e tyre duhet t’i japin mundësinë kandidates së Aleancës për Shqipërinë Europiane, të vërë në zbatim të gjitha projektet që ka menduar.
“Në këtë mënyrë ju votoni jo vetëm për një grua, por edhe për një arkitekte të shkëlqyer që ka vizionin për të zhvilluar qytetin e Pogradecit, në mënyrë që të ofrohen më shumë shërbime dhe punësim për qytetarët, kushte më të mira për turizmin”, tha Gjosha.
Pas shëtitjes në pedonalen e qytetit, kandidatja Mile bëri edhe një vizitë në fshatin e Hudnishtit, ku u takua me banorët e këtij fshati. Kandidatja e koalicionit të majtë, u shpreh se çdo ide që kanë vetë banorët e zonës do të jetë ndihmë në punën e saj të përditshme.
Ndalesa e fundit ishte fshati turistik Lin, i cili pret qindra turistë të huaj çdo vit. Banorët e fshatit kërkuan ndriçim më të mirë dhe pastrim më të mirë të zonës, çka kandidatja premtoi se do tua mundësoi pas fitores.
“Ne duhet të nxisim rritjen e turizmit në Lin. Unë shoh që ju keni investuar shumë për të ngritur bizneset familjare, por do të keni mbështetjen maksimale të Bashkisë së qytetit për t’ju krijuar gjithë lehtësirat, për t’ju plotësuar çdo nevojë, në mënyrë që ta bëjmë Linin më të bukur nga sa e ka falur natyra dhe të kemi sa më shumë turistë”, tha Mile.