Bota

Milicët e IS në Irak nuk janë ndalur nga sulmet ajrore të SHBA

Sulmet ajrore të SHBA në Irak, sipas vlerësimit të Pentagonit e kanë ngadalësuar marshimin e terroristëve, por deri tani nuk e kanë ndalur atë. Ndihma për refugjatët po përforcohet.

aeroplan

Prej sulmeve ajrore ritmi i luftimeve të organizatës terroriste “Shteti Islamik” (IS më parë ISIS) është “ngadalësuar”, thotë gjenerallejtnanti William Mayville në ministrinë e Mbrojtjes të SHBA në Uashington. Por ai nuk mund të thotë që goditjet nga ajri e kanë “frenuar faktikisht ose e kanë thyer” dinamikën e ofensivës së IS. Luftëtarët e IS “janë duke fituar edhe më tej rajone të mëdha”, deklaroi Mayville. Sipas të dhënave të policisë lokale, xhihadistët pushtuan qytetin që ndodhet rreth 115 km në verilindje të Bagdadit, Xhalaula.

Avionë luftarakë të SHBA i vazhduan edhe të hënën sulmet e tyre ndaj pozicioneve të IS në veri të Irakut. Midis të tjerave ato shkatërruan disa automjete të një autokolone, e cila donte të sulmonte luftëtarë kurdë në afërsi të Erbilit, bëri të ditur Pentagoni. Njëkohësisht, ministria e Jashtme në Uashington bëri të ditur se SHBA u dërgojnë armë milicëve të Peshmergas, të cilët janë përfshirë në luftime të ashpra me “Shtetin Islamik”.

Armë të SHBA për Peshmergan

Refugjatët në Irak.
Gjendje e rëndë e refugjatëve.

Furnizimet me armë patën filluar që javën e kaluar, tha një zëdhënëse e State Department-it. SHBA bashkëpunojnë me qeverinë irakiane “për t’u dërguar kurdëve armë, për të cilat ata kanë nevojë shumë urgjente”. Luftëtarët e armatosur keq të Peshmergas nuk mundën të përballojnë në fillim të gushtit një ofensivë të IS. Marshimi i ekstremistëve sunitë shkaktoi një arrati masive, para së gjithash të jezidëve dhe të krishterë në Veri të Irakut.

Ende 40.000 refugjatë në male

Sipas të dhënave të Këshillit Qendror të Jezidëve në Gjermani, rreth 40.000 pjesëtarë të këtij minoriteti fetar janë në siguri pas arratisë së tyre në malësinë Sinxhar. Por në rajonin malor në Perëndim të qytetit Mosul presin edhe 40.000 jezidë të tjerë për ndihmë. Njerëzit ndodhen në një gjendje me rrezik për jetën, tha përfaqësuesja e OKB-së në Irak, Eliana Nabaa. Siç bënë të ditur përfaqësues të Jezidëve, shumë refugjatë kanë humbur jetën për shkak të mundimeve në temperaturat e larta në terrenin e thatë.

Është planifikuar aksion shpëtimi

Avionë të SHBA kanë hedhur sërish ndihma për refugjatët në male. Përballë situatës dramatike, SHBA po shqyrtojnë tani mundësinë e një aksioni shpëtimi. Po shqyrtohen opsionet si mund të shpëtohen civilët nga Sinxhari, tha zëvëndësi i Këshilltarit amerikan të Sigurisë të SHBA, Ben Rhodes. Ish-eksperti i CIA-s për rajonin, Ken Pollack tha se një opsion do të ishte krijimi me ndihmën e Peshmergas i një korridori për largimin e refugjatëve. Refugjatët nuk mund të rrinë në mal, tha Pollack. Ndihmë për refugjatët, sipas SHBA kanë ofruar edhe Australia, Britania e Madhe dhe Franca. “Ne koordinojmë një grup partnerësh”, bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Chuck Hagel.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button