Politika

Minatorët do dalin në pension 55 vjeç, Veliaj: Mbajtëm premtimin

Qeveria miraton projektligjin, ja përfitimet

Llogaritja – Caktimi, administrimi dhe pagimi i pensioneve që rrjedhin nga ky ligj bëhen nga ISSH-ja sipas procedurave në fuqi për pensionet

Kompensimi – Personat që do të trajtohen sipas këtij projektligji të miratuar do të përfitojnë edhe kompensimin për të ardhurat minimale

Energjia – Është parashikuar që minatorët që dalin në pension të përfitojnë kompensime dhe për shkak të rritjes së çmimit të energjisë

55 vjeç – Kanë të drejtë të kërkojnë pension pleqërie si punonjës të minierave, në nëntokë, ata që arrijnë moshën 55 vjeç

30 vite – Sigurimet shoqërore të individëve parashikohen 30 vite gjithsej, nga të cilat 12 vjet e 6 muaj punë në nëntokë

5 për qind – Ata që do punojnë në miniera, në nëntokë, pas hyrjes në fuqi të ligjit do paguajnë kontribute shtesë, në masën 5% të pagës bruto

NGA ARTEMISA HOXHA

Minatoret 02Ulet mosha e përfituesve të daljes në pension nga 60 në 55 vjeç e punëtorëve që kanë punuar në miniera në nëntokë. Qeveria miratoi në mbledhjen e saj projektligjin “Pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, duke mbajtur një premtim elektoral të socialistëve. Në draft përcaktohen edhe kushtet e periudhës së sigurimeve shoqërore të individëve, e cila parashikohet 30 vite gjithsej, nga të cilat 12 vjet e 6 muaj punë në nëntokë. Referuar kushteve për pension, sipas këtij projektligji, dhe bazuar në numrin aktual të të punësuarve në miniera në nëntokë, parashikohet që për katër vite numri i personave që përfitojnë nga ulja e moshës të arrijë në 3.840 vetë. Personat që do të trajtohen sipas këtij projektligji, përveç pensionit të parashikuar, do të përfitojnë edhe kompensimin për të ardhurat minimale, si dhe kompensimet që rrjedhin nga rritja e çmimit të energjisë elektrike etj., ashtu si edhe personat e tjerë që përfitojnë pension pleqërie. Në total, efekti financiar vjetor për 3.840 përfitues, arrin në 793 milionë lekë.

Projektligji

Ky draft që pritet të shqyrtohet në Kuvend ka për qëllim rregullimin e pensioneve për punonjësit që kanë punuar në miniera, në nëntokë, me moshë, vjetërsi të përgjithshme dhe vjetërsi pune në profesion, më të vogël se ato të përcaktuara në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Sipas këtij, projektligji kanë të drejtë të kërkojnë pension pleqërie si punonjës të minierave, në nëntokë, punonjësit, të cilët arrijnë moshën 55 vjeç, si dhe ata që kanë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë, nga të cilat jo më pak se 12 vjet e 6 muaj të jenë në procese pune në miniera, në nëntokë. “Përjashtohen nga kushtet e vendosura në shkronjën “b”, të këtij neni, ish-punonjësit e nëntokës që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, të cilët do të përfitojnë pension sipas këtij ligji kur të arrijnë moshën 55 vjeç dhe të kenë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë (përfshirë këtu edhe periudhën e trajtimit të veçantë financiar), nga të cilat, jo më pak se 11 vjet e 6 muaj të jenë në procese pune në miniera, në nëntokë”, thuhet në projektligj. Përfituesit e këtij pensioni do të jenë punonjësit, të cilët deri në datën 30.9.1993 kanë kryer procese pune në miniera, në nëntokë, sipas përcaktimeve në vendimin nr.526, datë 20.12.1958, të KM-së “Për ndarjen e punëve në kategori, për efekt pensioni”, të ndryshuar si dhe punonjësit, të cilët pas datës 30.9.1993 kanë kryer procese pune në miniera, në nëntokë, të dokumentuara pavarësisht nëse të punësuarit kanë kryer aktivitet ekonomik në subjekte private apo me kapital plotësisht ose pjesërisht shtetëror. Ndërkohë që, personi, i cili kërkon të përfitojë pension sipas këtij ligji, jo më vonë se një vit nga data e lindjes të së drejtës, e merr pensionin nga ajo datë. Në raste të tjera, pensioni do të paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës. Në të njëjtën kohë projektligji përcakton edhe mënyrën e përfitimit të personave që do të punojnë ende në minierë pas miratimit të këtij ligji në Kuvend. “Personat, të cilët do të kryejnë procese pune në miniera, në nëntokë, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji do të paguajnë kontribute shtesë, në masën 5 për qind të pagës bruto, për efekt kontributi. Kontributi shtesë paguhet 3 për qind nga punëdhënësi dhe 2 për qind nga punëmarrësi. “Kontributi i sigurimeve shoqërore, në masën 5 për qind, mblidhet dhe derdhet në fondin e sigurimeve shoqërore të detyrueshme, sipas procedurave për mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore të detyrueshme, të përcaktuar në ligjin nr.9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Pas miratimit të këtij projektligji në mbledhjen e djeshme të qeverisë, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, u shpreh se: “Me uljen e moshës së daljes në pension të minatorëve, mbajtëm premtimin e dhënë që në vitin e parë të qeverisjes tonë. Ndjesë për 8 vitet e qeverisjes së shkuar, gjatë të cilave qeveria e kaluar u tall vazhdimisht me shtresën e minatorëve, të cilët bëjnë çdo ditë një punë të vështirë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button