Ministeriali kundër ekstremizmit/ Rama: Koha të shohim përpara, sfida është globale
Kryeministri Edi Rama i pranishëm në punimet dy ditore të Ministerialit Rajonal për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, kërkoi nga drejtuesit e vëndeve të rajonit të harrojnë të shkuarën, pasi ka ardhur momenti për të parë përpara.
Në fjalën e tij, Rama kujtoi se viti i shkuar përkonte me 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore, që shpërtheu në Ballkan dhe ishte dhe viti i parë në historinë tonë të përbashkët, kur të gjithë ne mund të uleshim, siç e bëmë në një tryezë të përbashkët, duke mos shkuar dhe mos vënë në diskutim kufijtë mes nesh, por duke folur për të ardhmen dhe hapësirën e jashtëzakonshme për një paqe të cilën Ballkani nuk e ka përjetuar si rajone të tjera.
“Sigurisht, tha Rama, ne jemi të vetëdijshëm që kjo paqe është fryt i një përpjekjeje të hershme të partnerëve tanë të mëdhenjë e strategjik, SHBA nga njëra anë dhe BE nga krahu tjetër. Ne jemi të vetëdijshëm, vijoi ai, që koha për të qendruar me kokën pas ia ka lënë vendin kohës për të parë së bashku përpara, por jemi të vetëdijshëm se bashkëpunimi në rajon dhe kontributi aktiv i gjithësecilit prej nesh është një sfidë e rëndë dhe është një sfidë që askush prej nesh, popujve dhe vendeve të ballkanit nuk mund ta përballojnë dot pa mbështetjen e BE-së, si destinacionin dhe partnerin ynë për integrimin në familjen Europiane”, theksoi Rama.
Kryeministri gjithashtu vuri në dukje faktin se në jetën e përditshme të vëndeve tona shohim se sa shumë kjo paqe është e kërcënuar nga kompleksiteti i botës ku jetojmë, nga kërcënimet që vinë nga konflikte të ndryshme. Nga dhuna dhe terrorizmi që janë sot e gjithë ditën fakt shqetësues për shoqërinë tonë. Në një botë ku asgjë nuk zhvillohet larg nesh dhe gjithçka na prek edhe ne. Diçka që ndodh me kilometra larg nesh, na prek edhe ne, pasi nesër mund të ndodh në shtëpinë tonë dhe duhet parandaluar, prandaj bashkëpunimi për të tejkaluar këtë problematikë është i domosdoshëm”, tha Rama.
Sipas tij, sfida nuk është vetëm lokale apo rajonale, por ajo është globale. “Forcimi dhe intensifikimi rajonal ka një rëndësi thelbësore për ardhmërinë e aspiratave dhe qëllimit tonë të përbashkët. Në një studim, thuhet se vëndet e ballkanit janë më pranë BE-së se me vetveten, ky konstatim ka një vërtetë të madhe. Pasi të gjithë jemi më pranë Brukselit se njëri-tjetri dhe ky është problemi ynë i përbashkët, që zgjidhet duke intensifikuar bashkëpunimi rajonal, që ka nisur me axhendën e Selanikut pak vite më parë. Pakti i stabilitetit shërbeu si nxitës për të tërhequr rajonin përtej krizave të dhunshme”, vijoi Rama, i cili uroj që takimi të mos konfirmojë vetëm gadishmërinë e vendeve për të bashkëpunuar, por të forcojë vendosmërinë për të pasur një frymë të përbashkët në krijimin e mekanizmave të bashkërenduar në luftimin e krimit, terrorizmit dhe konflikteve dëmsjellëse për vëndet tona.
“Shqipëria, tha Rama, në samitin e NATO-s në Wells e ka mbështetur fuqimisht nevojën për të përfshirë sa më shpejtë në këtë proçes të gjitha vëndet e ballkanit, duke patur parasysh specifikisht Malin e Zi, i cili duhet ta ketë vendin në NATO dhe BE dhe është një vend, që pavarsisht madhësisë ka një rol kyç në garantimin e stabilititetit dhe qendrueshmërisë së rajonit përballë problematikave të sipërcituara. Kosova natyrisht, pjesë e pandarë e këtij proçesi e cila po përjeton një paradoks të pandodhur më parë, pasi qytetarëve të Kosovës sot i lypset viza për të udhtuar në Europë, teksa dje pjesë e një regjimit të frikshëm nuk i kërkohej kjo gjë, ç’ka sipas Ramës rrezikon të hedh ujë në mullirin e gabuar. Dhe në fund Maqedonia, për të cilën Rama nënvizoi se gjithashtu duhet të jetë pjesë e NATO-s.
Por në këtë rast, Kreu i Ekzekutivit sqaroi se vendi ynë e ka bërë të qartë dhe të detyruar respektimin deri në fund të Marrëveshjes së Ohrit.