Politika

Ministri Cakaj: Shkarkohen mbi 20 punonjës të shërbimit diplomatik

Mbi 20 punonjës të shërbimit diplomatik të Shqipërisë largohen nga pozicionet e tyre. Kështu deklaroi ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj në një dalje për mediet.

“Ambicia për një shërbim ekselent diplomatik e ka karakterizuar përpjekjen e zellshme të Ministrisë për Europën e Punëve të Jashtme gjatë 5 viteve të fundit. Jetësimi i kësaj ambicieje mbetet ende një sfidë e hapur. Në këto 77 ditë në krye të këtij institucioni kam ngritur një grup të posaçëm pune për të shqyrtuar hollësisht cilësinë e burimeve njerëzore të shërbimit diplomatik të shtetit shqiptar”, theksoi Cakaj.

Ministri në detyrë Cakaj u shpreh se “pas kësaj ndërmarrjeje të kujdesshme sot jam me ju të ndaj faktin se kam vendosur të shkëpus marrëdhëniet me një pjesë të punonjësve që nuk përmbushin as kushtet ligjore, as kushtet minimale profesionale për kryerjen e kësaj detyre dhe lëre pastaj për të mbështetur ambicien e kësaj qeverie dhe vizionin e kryeministrit Rama për të çuar në lartësinë e merituar përfaqësimin ndërkombëtar të Shqipërisë”.

Sipas tij, një pjesë tjetër e punonjësve do të transferohen menjëherë për të vepruar dhe punuar sipas nevojave të punës dhe jo sipas inercisë së të shkuarës.

“Sfida europiane e Shqipërisë dhe axhenda jonë reformiste e kapërcimit të pellgut të ndenjur të së shkuarës nuk përkon kurrsesi me nepotizmin, klientelizmin politik dhe korrupsionin moral në asnjë sektor e lëre më pastaj në përfaqësitë nëpër botë”, tha Cakaj.

Duke vlerësuar njëkohësisht momentin e ri politik të hapjes së dyerve të shtetit për të rinjtë ekselentë, Cakaj tha se “ky është avantazh i madh që duhet shfrytëzuar me patjetër për të ripërtërirë në mënyrë thelbësore dhe përmbajtësore administratën tonë, komunikoj se ne kemi gati thirrjen publike për aplikim për vakancat e krijuara nga kjo valë pastrimi në shërbimin tonë diplomatik”.

“Shqipëria nuk është e miqve, e kushërinjve politikë, apo klaneve e krushqive të kujtdo qoftë, por është e të gjithëve pa dallim dhe meriton të përfaqësohet nga më të dalluarit që punojnë me mendje, veprojnë me shpirt e shërbejnë me pasion, me kapacitetin e plotë profesional dhe moral”, tha Cakaj.

Ai i ftoi gjithashtu gjithë të interesuarit për të aplikuar në vendet vakante në shërbimin diplomatik.

“Duke u mbështetur në shembullin kuptimplotë të 373 ekselentëve që janë bërë pjesë e administartës në përputhje me frymën e vlefshme të Paktit për Universitetin përmes një procesi transparent dhe të meritokracisë dhe mbi të gjitha atdhetar në shërbim të angazhimit tonë për transformim radikal i ftoj të gjithë të interesuarit për të aplikuar në vendet vakante në shërbimin diplomatik”, theksoi Cakaj.

Ai premtoi se aplikimet e tyre do të trajtohen me transparencë të plotë dhe vlerësimi për ta do të jetë vetëm në bazën e meritës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button