Ministri Cani: Ekonomia po jep shenja përshpejtimi
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani prezantoi sot në komisionin parlamentar të Ekonomisë aktin normativ të qeverisë që propozon disa shtesa dhe ndryshime në ligjin e buxhetit të shtetit për vitin 2014. Pas diskutimit, akti u miratua me votat e deputetëve të maxhorancës, ndërsa opozita vijon të bojkotojë veprimtarinë e parlamentit. Ky akt, efektet e të cilit kufizohen me miratimin e tij brenda 45 ditësh nga Kuvendi, konsiston në ndryshimin e ligjit të buxhetit për arritjen e tre objektivave të rëndësishëm. Ai zgjidh përfundimisht çështjen e financimit të paaftësisë me rreth 4.3 miliardë lek; rrit ndjeshëm nivelin e realizimit të projekteve të investimeve publike me financim të brendshëm në masën rreth 8.7 miliardë lek; si dhe ul nivelin e deficitit buxhetor nga 6.6 % e PBB, në 6.3% të PBB.
Gjatë prezantimit të pr/ligjit ministri i Financave tha se rishikimi i buxhetit tregon një mentalitet të ri të qeverisë dhe maxhorancës. “Ndryshe nga qeveria e mëparshme që priste shirita dhe më pas shkurtonte buxhetin, tani ka ndryshuar situata, duke filluar me hartimin e buxheteve realiste”, nënvizoi ministri Cani. Në fjalën e tij kreu i Financave vuri në dukje se ekonomia po jep shenja përshpejtimi. Tremujori i parë ka shënuar një rritje 1.7 %, tha Cani, ndërsa të dhënat indirekte tregojnë se rritja ekonomike është më e lartë në tremujorin e dytë. Sipas tij, kjo tregon për kthim të kahut të zhvillimit të ekonomisë ndryshe nga viti 2014 kur ajo ishte me tkurrje. Ministri nënvizoi se të gjithë treguesit janë realizuar sipas planifikimeve që iu bënë buxhetit në muajin dhjetor. “Ky buxhet parashikonte një deficit prej 6.6% të PPB, ndërsa ne deri në fund të vitit do e ulim në 6.3%. Ne kemi nisur që këtë vit të ulim deficitin buxhetor dhe borxhin publik”, u shpreh ai.
Ministri i Financave pranoi se kreditimi i ekonomisë ka rënë për një periudhë dy vjeçare, megjithëse shtoi ai të dhënat e fundit tregojnë për rritje modeste të kreditimit, ndërsa ka stabilitet të kredive me probleme. Duke u ndalur në detaje në buxhetin e rishikuar, Cani tha se të ardhurat e buxhetit janë rritur me 3.2 miliardë lekë më shumë se planifikimi fillestar. Në tërësinë e tyre, disa të ardhura janë me realizim të tjera jo, por ministri nënvizoi rritjen në tërësi të tyre.
Kjo rritje e të ardhurave do të shkojë për ulje të deficitit dhe borxhit publik, ndërsa shpenzimet nuk ndryshojnë, vetëm do të rishpërndahen. “Janë 11 miliardë lekë që kërkojnë rishpërndarje”, tha Cani, ndërsa pranoi se ‘me investimet publike jemi pas me kohën, por me rishikimin e buxhetit do ta kapim dhe do i realizojmë. Ministri i Financave parashtroi arësyet që e detyruan qeverinë të rishikojë buxhetin 2014, ku më kryesorja është parja me një dinamikë tjetër e shpenzimeve kapitale. “Me këtë projektligj ne synojmë të heqim para nga ato projekte që nuk e kanë gjetur veten për t’u realizuar dhe për t’ia kaluar ato (paratë), projekteve që kanë performancë më të mirë. Këtu përmend projektet e investimeve me financime të huaja, kryesisht me kredi në sektorin e rrugëve nacionale, fonde të cilat do të rialokohen. Në totalin e tyre këto rialokime kapin vlerën e 15 miliardë lekëve”, u shpreh ministri i Financave.
Gjithashtu, tha Cani rishikimi i buxhetit lidhet dhe me kriterin e performancës. “Ne kemi pasur të ngurtësuara 4.5 miliardë lekë në fondin e kontigjencës dhe me rënien dakord me Fondin Monetar Ndërkombëtar është gjykuar që ne do t’i realizojmë dhe tejkalojmë të ardhurat. Paratë që do të çlirohen nga ky fond do të përdoren për investime”, u shpreh drejtuesi i dikasterit të Financave.
Një tjetër arësye e rishikimit të buxhetit nga qeveria lidhet me mbështetjen sociale. Me buxhetin e rishikuar qeveria ka rialokuar për këtë sektor rreth 4.3 miliardë lekë. Kjo sipas ministrit është mbështetje për shtresat në nevojë dhe për personat me aftësi të kufizuar. “Kjo shumë (4.3 miliardë lekë) ka qënë detyrimi që qeveria dhe shteti ka pasur ndaj tyre në vite. Me këtë rialokim mbyllet dhe detyrimet e prapambetura ndaj kësaj shtrese”, theksoi Cani.
Nga rialokimi i fondeve në buxhet do të përfitojnë në mënyrë modeste dhe disa institucione të kultit, ndërsa shëndetësia si një sektor prioritar i qeverisë po ashtu do të përfitojë ndjeshem. “Meqë Ministria e Shëndetësisë është treguar e aftë për të absorbuar fonde, një pjesë e atyre në buxhetin e rishikuar do të kalojnë për këtë sektor”, tha ai. Fondet gjithashtu do të shtohen dhe për ministrinë e Arsimit dhe ministrinë e Brendshme, në përmbushje të reformave të ndërmarra nga këto institucione. “Në buxhetin e rishikuar jepen 1.2 miliardë lekë kryesisht shpenzime operativedhe të mirëmbajtjes. Një pjesë e mirë e këtyre parave do të shkojë për ministrinë e Transporteve për mirëmbajtjen e rrugëve, në kuadër të forcimit të sigurisë rrugore”, saktesoi, ministri i Financave.Pas prezantimit të aktit normativ, kryetari i komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe kërkoi përgjigje nga ministria e Financave për mosrealizimin e planit të shpenzimeve kapitale, rënien e të ardhurave nga akciza, frenimin e procesit të kthimit të detyrimeve të prapambetura, si dhe ecurinë e kontrollit mbi koncesionet e markimit të karburanteve dhe pullave fiskale. Ministri Cani sqaroi se performanca e akcizës së këtij viti është e ulët dhe se ajo ka mosrealizim të ndjeshëm, ndërsa ajo e TVSH-së është më e lartë dhe kjo është arsyeja pse është bërë ndryshimi i planifikimit të të ardhurave. Sipas tij, shkaku bazë i rënies së të ardhurave nga akciza lidhet me uljen e importit të cigareve. “Në këtë 8 mujor niveli i importeve të cigareve është më i ulëti në këto vitet e fundit. Por, po ta hedhim vështrimin përtej kësaj periudhe ne e rritëm me 20 lekë akcizën e cigareve dhe në muajin dhjetor ishte 174% importi i tyre. Sasitë e importit të cigareve për periudhën 2012-2013 ishte 132 ton, ndërsa në periudhën 2012-2013 sasia në ton e cigareve të importuara ishte 183 ton, me një rritje të lehtë të sasisë së cigareve të importuara.
Cani tha se ministria e Financave kanë reaguar duke ndryshuar personat në administratën fiskale, që janë përgjegjës për mbledhjen e të ardhurave nga akcizat, me motivacionin e performancës së ulët. Lidhur me dy koncesionet e përmendura nga kryetari Braçe për pullat fiskale dhe markimin e karburanteve, ministri Cani tha se është synuar prishjen e kontratave dhe se janë në negociata me ta për të gjykuar çfarë është bërë keq nga ky dikaster dhe çfarë është bërë keq nga koncensionarët. Kur të përfundojë procesi, tha ministri, do të jepen të dhëna. Ndërkohë, frenimi i kthimit të detyrimeve të prapambetura tek biznesi, sipas Canit ka ardhur nga fakti që po pritet auditi ndërkombëtar që do të kontrollojë mënyrën sesi janë shlyer ato, një kusht ky i FMN-së. Raporti mbi ecurinë e këtij procesi pritet të bëhet publik në nëntor dhe më pas Cani tha se do përshpejtohet kthimi i detyrimeve të prapambetura. Deri tani janë shlyer rreth 26 miliardë lekë nga 35 miliardë lekë që ishte planifikimi i vitit, saktësoi ai.