Ministria e Brendshme: Situata po përmirësohet
Ministria e Punëve të Brendshme bën të ditur se situata e zonave të prekura nga moti i keq i dy ditëve të fundit është duke u stabilizuar nga ora në orë.
Ujërat sipërfaqësorë janë tërhequr dhe në pjesën më të madhe të tokave kanë mbetur aluvione dhe inerte.
QARKU FIER
Ditën e sotme në të gjithë qarkun e Fierit situata po shkon drejt përmirësimit. Në zonën e njësisë administrative Çermë, ujrat janë tërhequr, përveç grykëderdhjes të lumit Shkumbin, ku argjinatura fundore vazhdon të jetë e pambyllur. Në këtë zonë ka rreth 120 banesa të përmbytura nga Njësia Administrative Çermë dhe Tërbuf. Gjithashtu përgjatë rrugës nacionale Çermë – Divjakë shumë nga banesat u rrethuan nga uji.
Në rrethin e Lushnjës uji ka filluar të tërhiqet në shtratin e lumit dhe tokat bujqësore kanë prezencë vetëm të aluvioneve sidomos në njësinë administrative Çermë. Po punohet për hapjen e tombinave të rrugës kombëtare pranë fshatit Çermë.
Të gjitha familjet që ishin në rrezik janë të evakuuara.
Mjetet e bashkive Lushnjë dhe Divjakë, si dhe disa nga ato të ushtrisë, janë në terren dhe po punojnë të mbyllin argjinaturën e dëmtuar.
QARKU DURRËS
Gjatë orëve në vazhdim, pas ndërprerjes së reshjeve, situata në qarkun e Durrësit është përmirësuar dhe niveli i ujërave në lumenjtë Erzen dhe Ishëm ka shkuar në shtratin e tyre.
Në Bashkinë e Shijakut dhe të Sukthit ka vazhduar puna nga fadromat e ushtrisë për pastrimin e rrugëve të qytetit nga aluvionet dhe inertet që solli përmbytja.
Janë shpërndarë gjithashtu ndihma për rreth 250 familjet e evakuuara.
Aktualisht hidrovoret funksionojnë normalisht.
QARKU TIRANË
Në qarkun e Tiranës janë ndërprerë reshjet dhe situata është përmirësuar dhe po shkon drejt normalitetit. Gjatë orëve në vazhdim prurjet në lumin e Lanës janë ulur dhe ujërat sipërfaqësore janë larguar nga disa rrugë dhe lagje të Bashkisë të Tiranës.
N/PREFEKTURA KAVAJË
Në njësinë administrative Gosë, situata po shkon drejt përmirësimit. Problem mbeten tokat bujqësore përgjatë lumit Shkumbin, ku si pasojë janë përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore në fshatin Kalush.
Hidrovorët funksionojnë normalisht dhe me kapacitet të plotë.
QARKU ELBASAN
Në të gjithë qarkun nuk ka banesa me prezencë uji. Gjithashtu ujërat janë drejt tërheqjes së plotë edhe nga tokat bujqësore.
Aksi rrugor Cërrik – Gramsh është i pakalueshëm sepse në pjesën e poshtme është rritur nivelii liqenit të H/C të Banjës, por funksionon rruga e sipërme Llixhat – Gramsh dhe me riparimin e urës së dëmtuar në stacionin e pompimit Çekin, aksi Elbasan – Gramsh nuk ka ndërprerje të qarkullimit të mjeteve.
Në aksin Elbasan – Librazhd, në vendin e quajtur Xibrakë, janë larguar inertet dhe qarkullimi i mjeteve bëhet normalisht në të dy senset.
Në hyrje të qytetit të Peqinit nga aksi Rrogozhinë – Peqin është dëmtuar ura e varur që lidh Peqinin me fshatin Budlis, Njësia Administrative Pajovë, Bashkia Peqin.
Prurjet e lumit Shkumbin kanë rënë dhe ujrat janë tërhequr në shtratin e tyre. Në gjithë zonat anës lumit Shkumbin, nga Elbasani deri në Rrogozhinë, nuk ka prezencë uji.
QARKU LEZHE
Situata është e përmirësuar. Akset rrugore janë të kalueshme plotësisht. Në aksin e vjetër rrugor Lezhë – Zejmen – Pllanë ka prani të ujrave sipërfaqësore. Gjithashtu edhe në disa fshatra si Spiten, Zejmen, Markatomaj dhe Pllane.
Ujërat nga qyteti i Lezhës janë tërhequr. Situata në këtë Bashki po shkon drejt normalizimit. Hidrovoret në Tale dhe Ishull Shëngjin punojnë me kapacitet të plotë.
Në rrethin e Mirditës mbetet problem ura e Cekajve që lidh Rrëshenin me zonën e Kaçinarit, e cila është e pakalueshme sepse ende ka rreth 1 metër uji mbi nivelin e saj.
QARKU BERAT
Aktualisht reshjet janë ndërprerë dhe niveli i lumenjve është në rënie.
Në Bashkinë Berat është bllokuar nga rrëshqitjet e dherave, segmenti Rabjak –Karkanjoz dhe po punohet me mjete për hapjen e këtij segmenti rrugor.
Në bashkinë Skrapar segmenti nga rruga nacionale deri në fshatin Therepel, Njësia Administrative Vendreshë, është i kalueshëm pas ndërhyrjes.
Në Bashkinë Kuçovë është dëmtuar ura në fshatin Lumas dhe është ndërprerë qarkullimi i mjeteve.
QARKU DIBËR
Gjatë orëve të fundit në këtë qark nuk ka patur reshje. Në Fushë Bulqizë ujërat në toka bujqësore po largohen si rezultat edhe i punës së bërë nga fadromat që pastrojnë kanalet e kullimit.
Situata problematike në fshatit Gjoricë e Poshtme është normalizuar. Aksi rrugor nacional Lurë – Kurbnesh – Rëshen është dëmtuar në vendin e quajtur “Përroi i Gjeologjisë”, ku po punohet me fadroma dhe situata është drejt përmirësimit.
Në Bashkinë Klos, Njësia Administrative Xibër, janë dëmtuara dy ura në fshatin Xibër Hane dhe një urë në Xibër Murrizë.
Akset rrugore kombëtare janë të kalueshme dhe po monitorohen nga shtabi i Emergjencave të Prefekturës, Bashkive dhe Policia rrugore.
QARKU KORÇË
Reshjet e shiut kanë dëmtuar një pjesë të rrugës në Njësinë Administrative Dardhas në Bashkinë e Pogradecit. Për momentin qarkullimi në këtë aks është i bllokuar.
QARKU SHKODËR
Në aksin rrugor Fierz – Fushë Arrëz në fshatin Mishka janë larguar inertet nga segmenti rrugor dhe është rivendosur qarkullimi i mjeteve.
Edhe aksi rrugor Pukë-Iballë është i kalueshëm me dy sense për shkak të largimit të inerteve.
Aksi rrugor Qafë Thore – Bogë – Theth ende vazhdon i pakalueshëm, kurse në aksin Qafë Mali – Fierzë po punohet për normalizimin e situatës.