Ekonomia

Ministria e Bujqësisë: Janë përmbytur mbi 5 mijë hektarë tokë bujqësore

Ministria e Bujqësisë bëri të ditur të premten se grupet e punës po vazhdojnë me intensitet punën për tërheqjen e ujërave nga zonat e përmbytura nga reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve fundit dhe situata po shkon drejt përmirësimit të vazhdueshëm.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, gjatë dy ditëve të fundit ka pasur rritje të prurjeve të lumenjve dhe përrenjve malorë, e për pasojë edhe përmbytje të tokave bujqësore. Lumenjtë Drin i Zi në zonën e Bulqizës, Ishëm dhe Zezë në zonën e Fushë-Krujës dhe Erzeni dolën nga shtretërit e tyre. Sipërfaqja e përmbytur në zonën e Lezhës arriti në rreth 1500 ha, ndërsa në zonën e Ishmit rreth 300 ha. Në zonën e Elbasanit në ish-komunën Shushicë niveli i ujit në një rezervuar kapërceu kurorën e digës, por me masat e marra nga Bordi i Kullimit Elbasan situata u normalizua plotësisht pa asnjë pasojë.

Prurjet në lumin e Shkumbinit arritën nivele maksimale, u dëmtua një argjinaturë mbrojtëse në zonën e Çermës Lushnjë, duke bërë që uji të përhapet me shpejtësi në një sipërfaqe prej rreth 500 ha. Është duke u punuar për riparimin e saj edhe me ndihmën e forcave të ushtrisë. Ministria e Bujqësisë bën të ditur se, po kështu, nga dalja nga shtrati i lumit të Erzenit u shkaktuan përmbytje në rreth 3000 ha tokë.

Gjatë natës dhe aktualisht po vazhdon tërheqja e ujërave nëpërmjet rrjeteve të kanaleve kulluese në të gjithë zonat e përmbytura. Të gjithë hidrovoret kanë punuar me kapacitet të plotë dhe nuk ka munguar furnizimi me energji elektrike. Nga Bordet e Kullimit po monitorohen pa ndërprerje argjinaturat mbrojtëse dhe digat e rezervuarëve në të gjithë territorin e vendit, duke marrë edhe masat përkatëse në zonat më të rrezikuara.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button