Ministria e Bujqësisë prezanton reformën në shërbimin veterinar
Ministria e Bujqësisë prezantoi reformën në shërbimin veterinar përmes ligjit të ri, ku synohet mbyllja e kapitullit të fragmentarizimit dhe informalitetit në kë sektor.
Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve në konferencën “Reforma për Shërbimin Veterinar Shtetëror”, ministri Edmond Panariti tha se ligji i ri rregullon një sërë veprimtarish në fushën veterinare.
“Ligji për shërbimin veterinar formalizon 1200 veterinerë që kthehen zyertarisht të punësuar me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që derivojnë nga ligji i ri. Ligji rregullon edhe veprimtarinë e teknikëve të mesëm veterinarë. Në aspektin strukturor dhe organizativ, shërbimi veterinar mbyll kapitullin e fragmentimit, moskomunikimit, mungesës së bashkëveprimit, kaosit dhe mbivendosjes së përgjegjësive”, tha Panariti.
Ministria e Bujqësisë thotë se ligji i jep fund ndarjes institucionale mes shëndetit të kafshëve dhe shëndetit publik veterinar dhe krijon një shtrat të integruar përgjegjësish dhe institucionesh.