Ekonomia

Ministria e Ekonomisë nxjerr në shitje 70 objekte

Në listë: Ish-uzina, fabrika, magazina, zyra, reparte, shkolla e vatra kulture të kohës së komunizmit

Nga Zamir Alushi

Paketa e dytë e privatizimit, e përgatitur nga Ministria e Ekonomisë në fund të dhjetorit 2015, përmban 70 objekte, të cilat do të dalin në shitje duke filluar nga ditët e para të janarit. Në këtë listë, është skeleti i ekonomisë së dikurshme socialiste me uzina e fabrika që përpiqeshin të prodhonin gjithçka në vend, me depo që mbanin drithë për bukën, zyra e objekte me vlerë e pavlerë (përfshirë vatrat e kulturës masive që ishin në çdo fshat dhe disa prej tyre tani do të privatizohen). Për t’u përfshirë në garën e privatizimit mjafton një kërkesë në Ministrinë e Ekonomisë ose në institucionin që e nxjerr në shitje objektin. Ish-pronarët e trojeve kanë të drejtën e parablerjes së objekteve.

Industria

2. 1.12.15 Paketa e dyte e privatizimeve.xlsxNë këtë listë përfshihet një pjesë e Metalurgjikut në Elbasan, që ishte krenari e propagandës ekonomike të regjimit. Ajo quhet “Uzina 12 & Ni-Co” dhe ka pasur destinacion prodhimin e çeliqeve të kromuara ose me kobalt. Tashmë i kanë mbetur vetëm rrënojat, por vlera e saj mbetet për t’u parë, sepse ndodhet në Kombinatin Metalurgjik, ku aktualisht punojnë disa uzina të çelikut dhe ndërmarrje të tjera. Në atë kohë ka pasur një gazsjellës që furnizonte rafinerinë e Cërrikut dhe metalurgjikun. Për këtë funksion ishte stacioni i aspiratorëve të gazit në Bradashesh, Elbasan. Objekti është në shitje dhe mund të përdoret për qëllime nga më të ndryshmet. Objekte me vlerë në këtë listë janë magazina e ish-repartit të montimit në Tiranë, si dhe godina e sharrave prerëse të kampionëve, po ashtu në Tiranë. Ndërsa reparti i axhusterisë në Fier nuk ka më instrumente, por ka vlerë si objekt. Në listë janë edhe godina e ish-ndërmarrjes gjeologjike Pogradec, ofiçina e ish-ndërmarrjes gjeologjike Burrel, që janë një gjurmë e kohës ku sektori i gjeologjisë ishte shumë i zhvilluar në këto zona. Ndërsa privatizimi i magazinës së sulfatit Beratex në Dibër dhe uzinës së mekanikës bujqësore në Shkozet, pasi nuk kanë punuar për 25 vjet, ndoshta do të sjellë funksione të reja për këto objekte që i shërbenin bujqësisë. Në shitje është nxjerrë edhe objekti i ish-repartit të prodhimit i Shoqërisë Duhan-Cigare në Shkodër.

Kooperativat

Si një arkeologji e komunizmit, lista rendit për shitje mensa, zyra dhe magazina të ish-kooperativave bujqësore. Të krijon habi fakti që këto objekte nuk janë nxjerrë në ankande akoma, pasi kanë kaluar më tepër se dy dekada të ndarjes së tokave, të shitjes përmes komisioneve të privatizimit, të kthimit dhe të kompensimit të pronave, të koncesioneve dhe partneritetit publik-privat. Gjithsesi, tani në shitje janë serrat dhe magazinat e Institutit të Patates në Tiranë, mensat dhe zyrat në Buçimas të Pogradecit, objekti ish-kooperativa bujqësore “Partizani” në Fushë-Krujë, zyrat e ish-kooperativës në Golem (tani mund të rindërtohen në funksion të turizmit), objekti ish- koçekë (depo) i kooperativës Glinë në Gjirokastër, si dhe ish-mensa njëkatëshe e kompleksit blegtoral të ish-NB Bushat, në Shkodër.

Vatrat e kulturës

Në shitje janë edhe objektet “muzeore” të propagandës së regjimit: vatrat e kulturës. Në listë janë vënë vatra e kulturës e fshatit Sovjan, qendra e kulturës e Voskopit, në Korçë, si dhe mjediset e ish-shtëpisë botuese “Naim Frashëri”. Edhe disa shkolla të shkatërruara janë objekte për privatizim. Këtë vit do të shiten: ish-shkolla 8-vjeçare Lapardha 1, Berat; ish-shkolla fillore Veterik, Berat; shkolla e vjetër Potom, Berat; ish-shkolla 8-vjeçare Lapardha, Berat; shkolla e vjetër Çarçovë, Përmet.

Reparte dhe institucione të mbyllura

Ministria e Ekonomisë privatizon me këtë paketë edhe disa reparte ushtarake dhe të Ministrisë së Brendshme, të cilat tashmë nuk kanë ndonjë funksion. Përveç ish-zyrave të SHIK-ut në Kuçovë dhe Gjykatës së Rrethit Skrapar, objektet e tjera në listë ndodhen në rajone larg qendrave të mëdha. Për shembull, në shitje është ish-posta kufitare në Mesare Përmet. Objektet më të vogla janë ish-zyra dhe bodrume të mbetura në qytete, por që nga vlera tashmë kushtojnë më tepër se ndërtesa të mëdha në zonat rurale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button