Ministria e Mbrojtjes, aktivitet “Mbi rekrutimin për ushtar/detar aktiv në FA”
-Në ambientet e auditorit pranë Ministrisë së Mbrojtjes, u zhvillua sot aktiviteti “Mbi rekrutimin për ushtar/detar aktiv në Forcat e Armatosura”.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, komandanti i Qendrës së Personel Rekrutimit, kolonel Leonard Çoku, drejtorë dhe ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, si dhe nxënës të shkollave të mesme të kryeqytetit.
Ministrja e Mbrojtjes në fjalën e saj, pasi ka përshëndetur të pranishmit e në mënyrë të veçantë nxënësit e shkollave të mesme të Tiranës që ndodheshin në sallë, me nota gazmore theksoi se, unë kam mësuar në gjimnazin “Sami Frashëri”, i cili në atë kohë linte pas liste gjimnazin “Partizani” dhe disa gjimnaze të tjera. Nuk e di se sot çfarë ndodh, por mendoj se ministrja Nikolla i ka bërë vlerësimet dhe nuk e di kë ka vendosur në vend të parë. Ne kemi kaluar vitet më të bukura të jetës sonë në shkollë dhe pavarësisht se ku kemi mbërritur sot, nuk do ta harrojmë kurrë gjimnazin tonë, universitetin tonë ku kemi mësuar. Tek ju, brezi i ri që ka lindur pas viteve 1990, është dhe duhet të jetë pamja e vërtetë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve”, theksoi Kodheli.
Më pas ministrja Kodheli duke u fokusuar te FA u shpreh “Le të vijmë tek diskutimi ynë, pse Forcat e Armatosura? Kam vetëm një përgjigje: Sepse janë maja e shoqërisë. Patjetër që për të arritur te maja ka mund, ka disiplinë, ka dhe zhgënjime, por në fund të fundit, ajo maja është një shans i madh për gjithë secilin prej jush që do të vazhdoni apo jo universitetin, sepse në FA hyhet 18 vjeç, por mund të hyhet edhe pas universitetit. Për të pasur një shkollim falas, brenda e jashtë vendit, për të pasur një shërbim shëndetësor falas, për ju dhe familjet që do të krijoni nesër, për të pasur një mjedis të disiplinës, por një mjedis të strukturuar, dashamirës, dhe që ka respekt për veten. Është një shans shumë i madh për të qenë pjesë e një strukture, e cila bën një gjë për veten, por bën një gjë edhe për komunitetin. Madje bën për komunitetin, pa bën dhe për veten. Vetëm Forcat e Armatosura kanë mbërritur të jenë në front të parë, të barabartë midis të barabartëve në misione, kanë arritur ta kenë kaq të lartë moralin”.
Më pas, nxënësit e shkollave të mesme të kryeqytetit që morën pjesë në këtë veprimtari promovuese vizituan nga afër Muzeun e Forcave të Armatosura, si dhe mjedise të tjera të garnizonit “Skënderbej”.