Ministrja Gjosha: Siguria e rajonit dhe zhvillimi i tij i shërbejnë sigurisë së Europës
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, mori pjesë në Konferencën e Ambasadorëve “Perspektivat e Ballkanit Perëndimor duke notuar drejt rrymës”, e cila u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Të pranishëm në këtë konferencë ishin ministra dhe ambasadorë.
Duke folur mbi perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor, Ministrja Gjosha u shpreh se sot këto vende kanë ende një sërë problemesh delikate, menaxhimi i të cilave nën ombrellën e procesit të integrimit mund të bëhet edhe më i lehtë.
“Shtetet e Ballkanit Perëndimor, për shumë arsye nuk i përballojnë dot vetëm të gjitha sfidat. Ato, kanë nevojë për ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë për t’i zhvilluar dhe forcuar lidhjet e tyre aktuale, dhe për të formuar rrjete pragmatike rajonale, për bashkëpunim në çështje praktike”, tha Ministrja Gjosha.
Ministrja Gjosha, shprehu bindjen se sfida e integrimit europian nxit avancimin dhe funksionimin e institucioneve demokratike, aftësimin e tyre për të menaxhuar dhe përparuar në fushat kulturore, ekonomike, institucionale dhe jetën politike.
“Pavarësisht se në situatën që flasim, me kaq shumë pikëpyetje, kaq paqartësi që ka sot Europa, veçanërisht pas Brexit, anëtarësimi për ne duket jo shumë i afërt, vetë procesi i integrimit për Shqipërinë dhe gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor është më i rëndësishëm sesa të qenit sa më shpejt një vend anëtar”, tha Ministrja Gjosha.
Duke e cilësuar si një proces transformues, Ministrja Gjosha nënvizoi se përpjekjet e bëra në drejtim të integrimit në BE, krijojnë kushtet e një ekonomie moderne tregut dhe rrisin kapacitetet për të konkurruar brenda BE-së.
“Ne jemi të vetëdijshëm, se Europa sot më shumë se kurrë, ka nevojë para së gjithash të vendosë rregull brenda vetes, për një debat të brendshëm, për zgjidhje afatgjata. Por nga ana tjetër, si vende aspirante për të qenë pjesë e BE-së, ne na takon të bëjmë maksimumin duke thelluar reformat, duke mbajtur sytë nga e ardhmja, përtej problemeve të BE-së sot”, tha Ministrja Gjosha.
Ministrja theksoi se brenda familjes europiane, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë një kthinë e Europës. Popujt e këtyre vendeve pavarësisht gabimeve, problemeve janë me shpirt, kulturë, mentalitet europian.
“Vonesa dhe pengesat me procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të dëmtojë shpresat e integrimit dhe t’u hapin udhe problemeve madhore. Nëse do të ndodhë, atëherë nuk do të ketë fitues e të humbur, por vetëm të humbur bashkërisht. Humbin vendet tona, por humb edhe vetë Europa”, tha Ministrja Gjosha.
Në këtë kontekst, ajo shtoi se përtej nevojës emergjente që Europa ka sot për të gjetur ekuilibrat me veten, vendet anëtare nuk munden të neglizhojnë Ballkanin Perëndimor.
“Kjo nuk do ta ndihmonte Europën për të kapërcyer sfidat e saj, mbi të gjitha për të garantuar sigurinë e saj e cila varet shumë edhe nga siguria, stabiliteti dhe zhvillimi i rajonit tonë”, tha Ministrja Gjosha.
Duke përfunduar, ajo nënvizoi se Bashkimi Europian, sot më shumë se më parë, pas largimit të një vendi anëtar, duhet ta përdorë procesin e integrimit, për të krijuar një moment të ri dhe pozitiv në politikën e zgjerimit, për të përcjellë mesazhin e qartë se ky parim shërben sigurisë të vetë Europës.