Miratohet drafti për KLD-në, kërkohet më shumë transparencë
Komisioni për çështjet Ligjore miratoi me 15 vota pro dhe 1 kundër projekt-ligjin për ndryshimet në ligjin për funksionimin e KLD-së, i propozuar nga 10-të deputet të mazhorancës.
Gjatë seancës të zhvilluar sot, në komisionin e ligjeve, Kreu i këtij Komisioni, Fatmir Xhafa rrjeshtoi ndryshimet kryesore që parashtron pr/ligji i propozuar nga 10 deputet të Kuvendit të Shqipërisë, Spartak Braho, Vexhi Muçmata, Vasilika Hysi, Ulsi Manja, Silva Caka, Pirro Lutaj, Petrit Vasili, Pandeli Majko, Bashkim Fino, Ermonela Felaj.
Gjatë seancës nuk pati debate dhe kundërshtime të shumta për ligjin. I vetmi zë kundra ishte, ai deputeti të opozitës Nard Ndoka, i cili e konsideroi këtë pr/ligj si presion të qeverisë ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “
“Votova kundër këtij pr/ligj. Byroja të tërheqë ligjin, duhet debat gjithëpërfshirës. Ju nuk jeni konslutuar me asnjë faktor ndërkombëtarë”- deklaroi Ndoka.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj theksoi se reforma në drejtësi është emergjente, duke nënvizuar se me këtë ligj nuk shkelet asnjë kompetencë e KLD-së. “Është e vërtet që kemi pasur vërejtje dhe për këtë arsye jemi munduar që këto vërejtje t’i reflektojmë në pr/ligj. Opozita ka qenë e lirë të marrë pjesë në komision e të japë mendimet e saj. Ne nuk mund të lëmë KLD-në pa punë se opozita nuk vjen në Kuvend”, tha Xhafa.
Nga mbledhja e KLD-se Foto ATSH (ARKIVE)
Çfarë sjellë pr/ligji i ri për KLD-në:
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar”, përmban 10 nene dhe fokusohet në rritjen e transparencës dhe forcën vepruese të KLD-së.
Neni 1, i projektligjit ndalon fenomenin e promovimit të vetvetes nga ana e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, gjatë ushtrimit të mandatit të tyre. Pika 1 e nenit 6 të ligji, parashikon se anëtarët e zgjedhur qëndrojnë në detyrë për një periudhë 5-vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme. Ky ndryshime lexohet në relacionin bashkangjitur ligjit vjen pasi në praktikë është vënë re tendenca e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të dhënë dorëheqjen përpara mbarimit të mandatit, duke u promovuar në sistemin gjyqësor, në sajë të shfrytëzimit të lidhjeve të krijuara mes tyre. Për shmangien e këtij fenomeni abuziv, në pikën 1.1 është parashikuar se nëse anëtari i zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare jep dorëheqjen përpara mbarimit të afatit 5-vjeçar, ai nuk mund të transferohet apo të ngrihet në detyrë, deri në përfundim të periudhës 5-vjeçare.
Në nenin 2, të projektligjit parashikohet modalitetet e shkarkimit të anëtarëve. Konkretisht te neni 2 sqarohet se Anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi, shkarkohen për shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit. Anëtarët e zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, shkarkohen për shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit. Ky parashikim bëhet me synim shprehjen në mënyrë eksplicite se shkelja e Kushtetutës dhe ligjit gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e anëtarëve të KLD-së, të zgjedhur nga Kuvendi apo nga KGJK-ja, përbën shkak për mbarimin e mandatit të tyre, duke shmangur kështu sjelljet abuzive gjatë ushtrimit të detyrës.
ministria-e-drejtesise
Neni 4, i projektligjit parashikon një përmirësim t ëligjit aktual “Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, nëpërmjet shtimit të dy paragrafëve, si mëposhtë ku sqarohet se për Kryeinspektorin dhe inspektorët, çdo 2 vjet, kryhet vlerësimi profesional dhe etik, sipas kritereve e procedurave të përcaktuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Po ashtu thuhet në pr/ligjin e ri se, brenda tre mujorit të parë të çdo viti, Inspektorati, nëpërmjet Kryeinspektorit, i paraqet Këshillit të Lartë të Drejtësisë një raport mbi veprimtarinë e tij në vitin paraardhës, në të cilin duhet të gjejnë pasqyrim problematikat e trajtuara dhe rezultatet e punës. Raporti i përgatitur nga Inspektorati paraqitet nga Zëvendëskryetari për diskutim në mbledhjen më të afërt të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.” Duke mbajtur në konsideratë detyrat e rëndësishme që ligji i ngarkon Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, sidomos në lidhje me vlerësimin e performancës së gjyqtarëve, ku vlerësimi bazohet kryesisht në veprimtarinë që kryejnë inspektorët e KLD-së, është e domosdoshme që për këta të fundit, të kryhet vlerësimi profesional dhe etik sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara nga KLD-ja. Gjithashtu, në funksion të sa më sipër, në ligj është parashikuar detyrimi i hartimit dhe paraqitjes së një raportimi vjetor, para KLD-së, mbi veprimtarinë e Inspektoriatit gjatë vitit paraardhës, ku duhet të gjejnë pasqyrim problematikat e trajtuara dhe rezultatet e punës së kësaj strukture. Ky parashikim, thuhet në relacionin bashkangjitur ligjit, është bërë me qëllim, rritjen e performancës dhe efikasitetit të veprimtarisë së Inspektoriatit të KLD-së, si dhe kontrollin e rezultateve të punës së tyre.
Në projektligjin e miratuar sot në Komisionin e Ligjeve është parshikuar edhe mbledhja e KLD-së brenda 24-orëve në rastet kur prokuroria nis hetim ndaj një gjyqtarit. Sipas nenit 5 në rastet e arrestit, heqjes së lirisë në cfarëdolloj forme, ushtrimit të kontrollit personal ose të banesës, së gjyqtarit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mblidhet brenda 24 orëve dhe vendos për kërkesën e paraqitur nga prokurori. Në rastin kur është regjistruar procedimi penal ndaj një gjyqtari Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendos pezullimin e gjyqtarit nga detyra derisa të merret vendim gjyqësor i formës së prerë. Në rastet kur fajësia nuk provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë të gjykatës, gjyqtari ka të drejtë të kthehet në punën e tij të mëparshme dhe të marrë pagën e plotë që nga koha e pezullimit.”
Në nenin 6, të projektligjit parashikohet se, në qoftë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzon masën disiplinore të propozuar nga Ministri, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mund të vendosë një masë disiplinore me të lehtë.
Sa i takon rritjes së transparencës së KLD-së, në nenin 7, të projektligjit, parashikohet mënyra e mbajtjes së procesverbalit të mbledhjeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, elementët dhe mënyra e miratimit i tij. Në nenin 8, të projektligjit parashikohen shprehimisht kushtet dhe rregulla të përgjithshme për emërimin e kryetarëve të gjykatave. Konkretisht parashikohet se vendi vakant për pozicionin e kryetarit të gjykatës, shpallet si i tillë, 3 (tre) muaj përpara përfundimit të mandatit katërvjeçar të kryetarit të gjykatës. Emërimi i kryetarit të ri nuk mund të bëhet përpara deklarimit të mbarimit të mandatit të plotë të kryetarit ekzistues dhe në çdo rast jo më vonë se një muaj nga mbarimi i mandatit të tij. Në rastet kur vendi i kryetarit në një gjykatë mbetet vakant për një nga situatat e mbarimit të mandatit përpara afatit ligjor, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, delegon një nga gjyqtarët e kësaj gjykate për të kryer përkohësisht detyrën e kryetarit të gjykatës. Vendi vakant në këtë rast, duhet të plotësohet brenda tre muajve nga krijimi i tij. Kryeinspektori i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, një herë në dy vjet ose kur kërkohet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, paraqet përpara Këshillit një raport për punën e kryer nga kryetari i gjykatës. Shqyrtimi i kandidaturave bëhet nga një komision i posaçëm i cili kryesohet nga
Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Përbërja, rregullat e funksionimit të komisionit të shqyrtimit të kandidatëve dhe procedurat e verifikimit dhe të testimit të tyre caktohen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.”
Në nenin 9 të projektligjit parashikohet se shqyrtimi i procedimit disiplinor bëhet brenda një muaji nga data e depozitimit të dokumentacionit përkatës nga Ministri i Drejtësisë, pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ky ndryshim propozohet me qëllim, shmangien e zvarritjes dhe shqyrtimin e procedimit disiplinor brenda një afati të përcaktuar.