Mitingu përmbyllës i ASHE-së në Dibër. Rama: Të vazhdojmë me Rilindjen
Në mitingun përmbyllës të ASHE-së në prag të zgjedhjeve në Dibër, kryeministri Edi Rama deklaroi se dibranët, të dielën, duhet të vazhdojnë rrugën e Rilindjes.
“Nuk e prisja që ky shesh të ishte kaq i mbushur dhe entuziast, por jam i bindur se PD-ja do thotë që sheshi ishte bosh dhe Dibra e braktisi Edi Ramën. Keni për të bërë zgjedhje mes një kandidati që ka ardhur për partinë e tij dhe Muharemit që është këtu për komunitetin e tij. Muharemi është për të shëruar bashkë me ju plagët e trashëguara të Dibrës. Shkurt, një kandidat nga halli, që është Sherefedini dhe një kandidat për të zgjidhur hallet tuaja. Ditën e dielë të vazhdojmë së bashku rrugën e Rilindjes për Dibrën”, tha Rama.
Ndërsa vetë kandidati, Muharem Rama, u shpreh se ka bërë zgjedhjen e duhur kur pranoi të hidhte kandidaturën: “Kam bërë zgjedhjen e duhur, e kam kuptuar nga mikpritja juaj. I njoh shumë mirë hallet dhe dua t’i jap zgjidhje. Kemi gati atë që duhet të bëjmë. Jam i bindur se do e bëjmë qytetin të zhvilluar ekonomikisht”.
Koordinatori Damian Gjiknuri theksoi se mazhoranca erdhi në Dibër me njeriun e duhur: “Erdhëm me dikë që i është gjendur njerëzve dhe që ka sakrifikuar për qytetin. Nuk erdhëm me njerëz që e kanë harruar Dibrën dhe që nuk kanë bërë gjë edhe kur e kanë përfaqësuar. Është fjalëpak e punëshumë. Pala tjetër i do zgjedhjet në Dibër për shpresat elektorale që nuk do të vijnë kurrë. Të kishit hall, ku do trokisnit? Të dera e Sherefedinit apo e Muharem Ramës. Të gjithë më kanë thënë: te Muharemi sepse është njeri”.
Ndërkohë, Gramoz Ruçi u shpreh se “ata flasin sikur do të zhvillohen zgjedhje në Shqipëri, ndërsa ne po flasim për zgjedhje në Dibër”.
“Doktor Remi ka ndenjur këtu gjithë jetën. Të ardhmen e fëmijëve të tij e ka lidhur me Dibrën dhe ai i di hallet e do të zgjidhë problemet e qytetit. Jam e bindur që do t’i jepni fitoren”, tha Olta Xhaçka.