Mitrovicë- Ura që nuk arriti të bashkojë veriun e jugun e qytetit as në vitin 2015
Simboli i qytetit të ndarë, ura mbi lumin Ibër, që prej pas luftës u bë e njohur si një pikë e nxehtë e tensioneve ndëretnike, nuk arriti të bashkojë as gjatë vitit 2015 veriun me jugun e qytetit të Mitrovicës dhe as qytetarët e saj.
Analistët shqiptarë e serbë, por edhe qytetarët, fajësojnë politikën për gjendjen aktuale, ndërsa ka qytetarë të cilët thonë se gjithçka ka marrë fund sa i përket Mitrovicës, sepse ajo është shitur nga politikanët.
Një qytetare që nuk ka dashur të identifikohet ka bërë politikën fajtore për urën e bllokuar dhe gjendjen e përgjithshme aktuale në Mitrovicë.
Sipas saj, sikur vërtetë të pyeteshin qytetarët, ura me siguri nuk do të ishte e bllokuar siç është sot.
Ajo nuk shikon përmirësim të gjendjes as në vitin e ardhshëm.
“Politika është fajtore dhe askush tjetër, vetëm politika. Ne qytetarët nuk jemi fajtorë, sikur ne të pyeteshim, kjo barrikadë nuk do të ishte me siguri”, tha ajo për Kosovapress.
Edhe Muhamet Zeqiri, qytetar nga pjesa jugore e qytetit, tha se politika i ka fajet për situatën e tanishme.
Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që kjo situatë të ndryshojë për mirë gjatë vitit 2016, ndonëse u shpreh se nuk është shumë i sigurt.
“Mendoj se politika i ka fajet dhe derisa nuk merren vesh ata mes vete, s’ka gjë”, tha Zeqiri.
Ndërsa Besi Suhodolli shprehet se nëse ura hapet ndonjëherë, ajo ka për të shërbyer vetëm si kufi.
Analisti Nexhmedin Spahiu fajësoi edhe klasën politike në Prishtinë, për joseriozitet dhe jointeresim total për zgjidhjen e kësaj çështje.
Spahiu veprimet e fundit të opozitës i shikon si emancipim të klasës politike dhe shoqërisë në përgjithësi, të cilat mund të ndikojnë pozitivisht, duke përfshirë edhe problemin e Mitrovicës, pavarësisht se këto veprime mund të shihen si të dhunshme në sytë e qytetarëve.
Gazetari dhe analisti nga veriu i Mitrovicës, Zhelko Tvërdishiç, thekson se problemi kryesor për gjendjen në këtë qytet dhe qytetarët e saj, janë politika dhe politikanët.
Ai tha se politika ndanë qytetarët dhe derisa nuk ndryshon kjo, nuk do të ketë përafrim mes shqiptarëve dhe serbëve.
“Problemi kryesor është politika dhe politikanët. Vërehet se nuk ka gatishmëri tek politikanët që të ndërmarrin veprime, të cilat janë jashtë politikës, e që do të kishin një domethënie për ekonominë, sikur të fillojnë të merren me çështje dhe tema të ekonomisë, do të vinte deri tek afrimi i qytetarëve. Politika ndanë qytetarët dhe derisa nuk ndryshon kjo, nuk do të ketë përafrim të qytetarëve nga veriu dhe atyre nga jugu i Ibrit. Dyshoj, duke u bazuar në retorikën që përdorin politikanët nga të dyja palët dhe duke marrë parasysh situatën ekonomike në Kosovë, e cila është jashtëzakonisht e brishtë, dyshoj se edhe viti 2016 do të sjellë diçka për bashkimin e qytetarëve, mbase është e mundur të hiqet barrikada mbi urë ose ‘parku i paqes, që do të ishte një hap në drejtim të afrimit mes dy popujve, përkatësisht qytetarëve shqiptarë dhe serbë”, ka thënë për KosovaPress Tvërdishiç.
Kështu, qyteti që sot jeton i ndarë, por me nostalgjinë se një ditë do të bashkohet, mbetet në mëshirën e kohës që të përcaktojë fatin e tij, derisa mitrovicasit presin që sa më parë të zgjidhet ky problem.