E kanë njohur njëri-tjetrin prej një kohe të gjatë, gjërat nuk kanë shkuar gjithmonë mirë mes tyre, por ata e dinë se mund të mbështeten tek njëri-tjetri në momente vështirësish: me siguri mund të quhen miq. Një ditë, ai e hedh fjalën pak si rrotull: “A nuk do të ishte mirë po të bashkoheshim?” Ajo heziton: është krenare dhe e pavarur, nuk ka nevojë për askënd. Vetëm pas pak kohe e mendon përsëri. Ai më pas e tërheq, por pastaj dorëzohet dhe fejohen. Bashkimi, megjithatë, është i brishtë dhe përfundimisht martesa shndërrohet në divorc. Ajo është Ishulli, ai është Kontinenti: mund të duket si një soap opera, por është një histori e vërtetë.
Në dyqind vitet e fundit, marrëdhëniet midis Britanisë së Madhe dhe pjesës tjetër të Evropës kanë marrë tiparin e një lidhjeje mes dy partnerëve të paaftë për t’u ndarë, por tepër egoistë për të qenë bashkë. Nëse një ditë e mirë fillon që në mëngjes, ata ishin paralajmëruar: për kontinentalët, veçanërisht Romakët e lashtë, ishulli ishte një tokë për t’u pushtuar që nga shekulli i parë para Krishtit. Megjithatë, me kalimin e kohës, banorët e tij arritën ta shndërrojnë Kanalin anglez në një pengesë të pakalueshme gjeografike.
IZOLIM RREZELLITES
Barriera e detit që ndan Anglinë nga Evropa ka farkëtuar ndër shekuj edhe kulturën, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe karakterin e britanikëve, krenarë deri në pikën që shihnin horizontin dhe – sipas një batute të kahershme – thoshin: “Ka mbuluar mjegulla Kanalin, kontinenti është i izoluar”. Që është edhe qëndrimi britaniko-centrik, në bazë të “izolimit të shkëlqyeshëm”, të ndjekur nga perandoria e fuqishme e Mbretëreshës Victoria në gjysmën e dytë të shekullit XIX.
“Në atë kohë, e angazhuar për konsolidimin e zotërimeve të veta formale dhe informale, si edhe forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, Anglia nuk u përfshi në aleanca zyrtare me fuqitë e tjera evropiane. E forcuar nga pozicioni i saj gjeografik, u përpoq të kufizojë përfshirjet e drejtpërdrejta në çështjet e kontinentit, por pa humbur kurrë interesin për atë që po ndodhte përtej Kanalit, duke u munduar të ruajë ekuilibrin e fuqive dhe status quo-në e saj në Evropë”, shkruan Xhulia Gucaloka, në esenë e saj Historia e Britanisë së Madhe. Ajo që e trazoi këtë strategji të ndërlikuar diplomatike ishte lindja e Perandorisë së parë gjermane (1871): ekuilibri i brishtë evropian u prish dhe Britania e Madhe u detyrua të merrte anë.
Por vetëm dyzet vjet më vonë, bëri me të vërtetë dallimin: e udhëhequr nga kryeministri Uinston Churchill (1874-1965), gjatë Luftës së Dytë Botërore shpëtoi Evropën, duke u rezistuar pothuajse e vetme nazistëve. Megjithatë edhe atëherë, lindi sërish një shkëndijë me kontinentin.
Në fjalimin e famshëm që mbajti në Zyrih, në fund të konfliktit, Churchilli sugjeroi, si zgjidhjen e vetme të mundshme për paqen dhe stabilitetin, krijimin e një bashkimi federal të shteteve evropiane. Pothuajse një lloj Shtetesh të Bashkuara të Evropës, ku sidoqoftë, Britania do të mbetej jashtë. “Nga cila anë jemi? Ne nuk jemi anëtarë të Komunitetit Evropian të Mbrojtjes, as nuk kemi ndërmend të bashkohemi me sistemin federal Evropian. Prapëseprapë, ne ndiejmë se kemi një marrëdhënie të veçantë me të dyja. Ky koncept mund të shprehet më mirë përmes parafjalëve […]: ne jemi “me” ata, por jo “të” atyre. Ne kemi komonuelthin dhe perandorinë tonë”, përsëriti ai në Parlament në vitin 1953.
Tre herë refuzim
Dy vjet më herët, në vitin 1951, ishulli kishte snobuar organizmin e parë, Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Çelikut. Ai bëri të njëjtën gjë në vitin 1957, me Komunitetin Evropian të Energjisë Atomike dhe me Komunitetin Ekonomik Evropian.
“Pa nënvlerësuar dimensionin historik të diversitetit britanik dhe distancën reale që ndan ishullin nga kontinenti, pas Luftës së Dytë Botërore ishte mbi të gjitha dimensioni politik dhe diplomatik që drejtoi Londrën dhe Evropën kontinentale, përgjatë shtigjeve paralele dhe jo konvergjente”, shpjegon Ilaria Poxholini, profesore e Historisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Pavisë. Po pse Britania dëshironte të mbante distancë nga projekti i bashkimit politik të kontinentit? Një nga arsyet kryesore ishte e ashtuquajtura “jashtëzakonshmëri”: domethënë, bindja se institucionet politike britanike, respekti ndaj tyre dhe forca e shoqërisë së tyre civile, përbënin një dallim të fortë dhe të virtytshëm nga korniza evropiane. Një shembull? Gjatë luftës së fundit, ndërsa familja mbretërore kishte refuzuar të linte Londrën teksa bombardohej nga ushtria gjermane, mbreti italian Viktor Emanueli III, ia kishte mbathur nga Roma, së bashku me kreun e qeverisë menjëherë pas firmosjes së armëpushimit (1943), duke e lënë ushtrinë në mëshirën e gjermanëve.
“Një tjetër element shumë i rëndësishëm për të kuptuar pse distanca midis ishullit dhe kontinentit nuk është shkurtuar ndjeshëm pas luftës së dytë botërore, është i ashtuquajturi “sindroma e fitores”. Megjithëse dilte nga lufta e varfër dhe i kishte hyrë tashmë dekolonizimit, Britania ishte ndër fitueset që kishin triumfuar mbi autoritarizmin dhe shfarosjen.
Përkundrazi, programi Evropian gjengte arsye tek “sindroma e humbjes” e vendeve të kontinentit, duke i orientuar ata të kapërcenin dimensionin kombëtar dhe krijimin e institucioneve federale”, vazhdon profesorja. Me pak fjalë: Britania nuk e dëshironte teserën e një Klubi të Humbësve.
FRANCA KUNDER
Kjo politikë, e hartuar nga Churchill, mbeti e pandryshuar deri në vitin 1961. Në atë vit, kryeministri konservator Harold Macmillan (1957-1963) paraqiti një kërkesë për anëtarësim në KEE. Çfarë kishte ndryshuar? “Panorama e përgjithshme kishte ndryshuar,” thotë Poxholini. “Me dekolonizimin dhe marrëdhëniet me SHBA në rënie të fortë, marrëdhëniet me Evropën u bënë më të rëndësishme. Për më tepër, suksesi i ndërmarrjes ekonomike të tregut të përbashkët u pa qartë edhe në Londër”.
E mbetur pas dhe në krizë, Britania vendosi të sakrifikojë një pjesë të sovranitetit të saj të çmuar, në këmbim të afrimit në një treg që dukej i destinuar të përparonte. Por i kish bërë hesapet pa hanxhinë. Konkretisht, një hanxhi francez, presidentin e Francës, Charles de Gaulle (1890-1970), i cili dy herë, në 1963 dhe 1967, vuri veton ndaj anëtarësimit të britanikëvee. “Eshtë e qartë se hyrja e Britanisë së Madhe dhe shteteve të tjera do të ndryshonte plotësisht fytyrën e KEE-së, nga këndvështrime të ndryshme. […] Projekti mund të marrë tiparet e një komuniteti gjigant Atlantik, i varur nga Shtetet e Bashkuara”, kundërshtoi de Gaulle.
Arsyeja e vërtetë ishte se Britania përbënte kërcënim ndaj krijimit të një Evrope konfederale të udhëhequr nga francezët. Vetëm kur gjenerali i vjetër u largua nga skena politike, situata u zhbllokua dhe bashkëjetesa midis dy partnerëve u bë realitet, në 1 janar 1973.
“Fatkeqësisht për Britaninë e Madhe, hyrja në KEE, e diktuar nga domosdoshmëria ekonomike dhe ndryshimi i situatës ndërkombëtare, u zhvillua në një emergjencë shumë negative, të mbizotëruar nga kriza e naftës dhe dollarit,” vëren ekspertja. “Që në fillim, opinioni publik britanik pati kuptuar një çekuilibër shumë të theksuar midis humbjes së sovranitetit dhe shpërblimit të paktë ekonomik”.
EUROSKEPTIKE
Ky perceptim u shndërrua në një skepticizëm të thellë, i destinuar të rritej me kalimin e viteve. Një mosbesim që megjithatë, nuk ndikoi në referendumin e 5 qershorit 1975: “A mendoni se Mbretëria e Bashkuar duhet të vazhdojë të jetë pjesë e Komunitetit Evropian (Tregu i Përbashkët)?”
Fituesi papritur ishte Po. Ndër pothuajse 17.5 milion votat pro, ishte edhe ajo e udhëheqëses së re të konservatorëve: Margaret Thatcher (1925-2013). Në vitin 1979, “zonja e hekurt” u zhvendos në zyrën e kryeministres, duke qëndruar atje për 11 vitet e ardhshme. Sa i përket lidhjes me kontinentin, ajo si një mike e ngushtë: e mbështeste për martesë, por nuk hezitoi që të vërë në dukje të metat e “bashkëshortit”, sa për të bërë të kuptohej nëse ai ishte me të vërtetë njeriu i duhur. Dhe me të vërtetë, pavarësisht se bëri fushatë për Po në referendum, ajo kurrë nuk e fshehu kundërshtimin ndaj federalizmit evropian.
“Kryeministrja mori një pozicion të qartë kundër identifikimit të KEE me Evropën, e bindur se forca e vërtetë e bashkëpunimit evropian nuk ishte në dimensionin politik, por vetëm në dimensionin e tregut. Aq shumë sa që ajo vetë favorizoi evolucionin drejt liberalizimit të plotë të qarkullimit, të realizuar me Aktin Unik Evropian në 1985”, saktëson Poxholini. Ishte gjatë këtyre viteve që lindi shprehja “Euro-skepticizëm”, por as gjatë dhe as menjëherë pas qeverisë Thatcher, nuk ishte menduar ndonjëherë seriozisht një Brexit.
Për ta bërë këtë u desh përballja e fortë me Brukselin e kryeministrit David Cameron: papritur, referendumi i 23 qershorit 2016 shënoi daljen e Britanisë së Madhe nga Unioni. Tashmë nuk vetëm mjegulla që izolon kontinentin. / Focus – Bota.al