Kronika

Mjekët nuk tërhiqen, sot protesta para Kuvendit: Beqaj të japë dorëheqjen

Për të tretën të hënë me radhë mjekët dhe infermierët e sistemit shëndetësor do të protestojnë për rreth një orë, ndërkohë që me shërbim do të mbulohen vetëm urgjencat.

mjeke1Por ndryshe nga javët e kaluara, mjekët e Tiranës do të zhvillojnë sot 2 protesta paralele: një para Urgjencës së QSUT-së dhe një tjetër para godinës së parlamentit. Sipas organizatorëve të protestës, ata janë të vendosur të protestojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre dhe se nuk do të tërhiqen në asnjë moment.

Ora 11:00 Mjekët e kryeqytetit kanë protestuar sërish para instituconeve të tyre. Mjeku Tritan Kalo tha se “protesta e sotme është e mbështetur në ligj, kemi marrë dhe leje për të dhe është mëse zyrtare në thelbin dhe aplikimin e saj. Në peticionin tonë thuhet: “Ju rivemë në dijeni se ky proces testimi i mbështetur nga ministri dhe organizuar nga disa puthadorë të tij, është denigrues për mjekët…” Protesta është mbështetur edhe nga mjekë të ardhur nga rrethet.

Ora 09:00 Nis protesta e mjekëve të Spitalit të Beratit dhe atij të Kuçovës, kundër testimit . Pasi e kanë pezulluar punën për 1 orë, ata kanë dalë në oborrin e spitalit duke u shprehur se janë testuar prej vitesh me punën e tyre. “testimi cenon dinjitetin dhe eksperiencën tonë.”

KËRKESAT E MJEKËVE DHE INFERMIERËVE

Respektim të autonomisë së profesioneve tona të rregulluar me ligj

Përmirësim të kushteve të punes, ilaçe, ambiente, mjete, aparatura bashkëkohore

Rritje e shkallës së sigurisë në mjediset shëndetësore

Protokolle klinike kombëtare për diagnostikimin, mjekimin dhe ndjekjen në vijimësi

Rivlerësim të rolit dhe përfshirjes akademike të personelit mjekësor në spitalet universitare, duke përfshirë edhe stafin mjekësor në spitalet rajonale të cilët kanë tituj akademikë

Edukimi në vazhdim, të jetë gurthemeli për vijimësinë e kualifikimit të stafit mjekësor profesional, duke e përmirësuar sistemin e funskionimit të Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim.

Tërheqje nga nisma antiligjore e testimit masiv të bluzave të bardha

Dyfishim të rrogave, sikurse paguhen ne vendet fqinje

Dorëheqje të ministrit të Shëndetësisë

NJOFTIMI PER PROTESTE

Ndërkaq, përmes njoftimit të publikuar nga Unioni i Profesionistëve të Mjekësisë Shqiptare, ndër të tjera këtë herë është kërkuar dhe dorëheqja e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. “Të bashkuar, të gjitha bluzat e bardha, jemi njëzëri ‘stop’ nismave antiligjore, ‘ndal’ denigrimit me anë të krijimit të problematikave artificiale. Ndërkohë që shëndetësia jonë publike ka nevoja emergjente, ‘boll’ me koncesionet masive multimiliona euro të dhëna privatit, dhe deri në idenë e fundit të dhënies së mjeteve kirurgjikale dhe sallave të kirurgjisë te privati. ‘Jo’ çdo lloj rrënimi apo zhvatjeje të mëtejshme të sistemit publik”, thuhet ndër të tjera në njoftim. Po ashtu, theksohet se bluzat e bardha janë ‘pro’ rritjes së cilësisë së edukimit në vazhdim, “duke mos ngelur vetëm në kornizën fillestare të konferencave apo kongreseve, me anë të makropolitikave afatmesme dhe afatgjata nga Ministria e Shëndetësisë, duke krijuar edhe buxhetin për edukimin në vazhdim, me programe të mirëfillta të ndërtuara nga profesionistët e fushës”. Protestat e bluzave të bardha e kanë zanafillën pas lançimit të nismës së Ministrisë së Shëndetësisë, për testimin kombëtar të bluzave të bardha. Ai është konsideruar fyes dhe denigrues nga ana e tyre, ndaj është kërkuar edhe tërheqja. Por, duket se MSH është e vendosur në realizimin e saj, ndërsa paralelisht është nxjerrë dhe rregullorja për zhvillimin e testit të infermierëve. Sipas saj, procesi fillon në datën 28 shkurt.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button