Mjekët për Gjikën: Ka çrregullime nga troponina e lartë, mund të transportohet në Tiranë
Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika vijon të qëndrojë në spital për shkak të problemeve të shfaqura pak orë pasi u prangos nën akuzën e dhënies së lejes së paligjshme për një palalt 11 katësh në qytetin bregdetar.
Mjekët e spitalit të Vlorës po diksutojnë mundësinë për ta nisur kryebashkiakun Gjika drejt Tiranës, për mjekim më të specializuar. Sipas mjekëve, Gjika ka çrregullime nga troponina e lartë.
AKUZAT NDAJ GJIKES
Abuzimet me lejet e ndërtimit kanë çuar në pranga kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Ai është arrestuar pasditen e djeshme në banesën e tij, pasi akuzohet se ka dhënë leje të jashtëligjshme për një pallat 11-katësh në qytetin bregdetar. Ndërkohë, ka përfunduar në pranga një zyrtare e Bashkisë së Vlorës si dhe një biznesmen. Bëhet fjalë për Doriana Sulajn, drejtore e Drejtorisë së Planifikimit të Territorit në këtë bashki dhe biznesmenin e ndërtimit, Artur Haxhi. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Vlorës, bënë me dije se kryebashkiaku Gjika dhe vartësja e tij Sulaj akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim i dokumenteve”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, dhe “Ndërtim i paligjshëm”, të kryera në bashkëpunim. Dy muaj më parë dhe konkretisht më 27 nëntor të vitit që shkoi, Gjykata e Tiranës e shpalli 52-vjeçarin Gjika të pafajshëm për akuzën e falsifikimit të lejeve të ndërtimit të dy godinave: njëra në lagjen “Pavarësia” dhe tjetra në bulevardin qendror Vlorë-Skelë, në vendin e quajtur “Tre Rasat”. Ndërsa, biznesmeni 30-vjeçar Artur Haxhi ose siç i thërrasin ndryshe “Turi i vogël”, akuzohet për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Mashtrim”, të kryera në bashkëpunim. Gjykata e Shkallës së Parë të Vlorës ka pranuar kërkesën e prokurorisë së këtij rrethi dhe ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj tri personave në fjalë.
MOMENTI I ARRESTIMIT
Rreth orës 15:30, efektivë të policisë së Vlorës kanë ndalur hapin në banesën e kryebashkiakut Shpëtim Gjika, e cila ndodhet në zonën e Ujit të Ftohtë. Blutë i kanë thënë Gjikës: ‘Duhet të vini me ne’. I qetë Gjika iu është përgjigjur: ‘Në rregull, do vij sapo të bëhem gati’. Më pas ai ka dalë nga apartamenti dhe së bashku me blutë ka shkuar në Komisariatin e Policisë së qytetit bregdetar. Ndërkaq, burime nga Prokuroria e Përgjithshme deklaruan se Gjika, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, në bashkëpunim me Doriana Sulajn, kanë përpiluar dhe lëshuar dokumente me përmbajtje të falsifikuara. Konkretisht, dokumentet e dyshuara si të falsifikuara janë për miratimin e një sheshi ndërtimi dhe leje ndërtimi 2-8-10-11 kate me subjekt ndërtues “Turi & MZB” shpk, me pronarë katër familje. Kreu i Bashkisë së Vlorës akuzohet se për pallatin 11-katësh të ngritur në zemër të qytetit të Vlorës ka falsifikuar firmat në procesverbalin e KKRT-së. Për sa i përket biznesmenit Artur Haxhi, ai është një ndër më të fuqishmit e kësaj fushe në qytetin bregdetar dhe dyshohet se ka bashkëpunuar me dy të dyshuarit e tjerë për ndërtimin e pallatit. Mësohet se Prokuroria e Vlorës ka regjistruar procedimin penal nr.1264 në vitin 2013, në bazë të kallëzimit të një shtetaseje.
DY MUAJ MË PARË GJIKA U SHPALL I PAFAJSHËM
Në nëntor 2014, gjykatësi Arben Micko vendosi të shpallë të pafajshëm kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Ndaj Gjikës, prokuroria kishte ngritur akuzën e falsifikimit të dokumenteve, të kryer në bashkëpunim me vartësen e tij, Eleni Dardhaj, e cila gjithashtu “rrëmbeu” pafajësinë. Gjykatësi Micko, arsyetonte në vendimin e pafajësisë, se prokuroria nuk mundi të sjellë prova e mbi bazën e të cilave të vërtetonte se Shpëtim Gjika kishte konsumuar veprën penale, për të cilën akuzohet. Të pafajshëm u shpallën edhe të pandehurit, Blerdi Licaj e Gentian Sherifaj. Për Gëzim Fetën u pushua çështja, për shkak se ai vdiq gjatë procesit. Gjykata, gjithashtu vendosi heqjen e masës së sekuestros mbi dy objektet e ndërtuara në zonën e njohur si “Tre Racat” dhe në lagjen “Pavarësia”, që konsideroheshin të paligjshme nga prokuroria, për shkak se sipas saj ishin ndërtuar mbi bazën e lejeve të falsifikuara. Shpëtim Gjika u akuzua se kishte falsifikuar një procesverbal të mbledhjes KRT.