Mjeku ngacmoi seksualisht pacienten, avokatja e 21-vjeçares: Rast i përsëritur nga ai dhe para 33 vitesh
Kanë dalë detaje të reja lidhur me kirurgun 72-vjeçar në Korçë, i cili është arrestuar për ngacmim seksual ndaj një vajze 21-vjeçare.
Sipas avokates të së resë, Refxhei Tola, ky nuk është rasti i parë i mjekut, pasi ndaj tij ka disa denoncime, madje dhe 33-vite më parë.
“Sot flas në cilësinë e një gruaje dhe të një nëne. Arsyeja pse kërkova të jap këtë deklaratë është sepse kemi marrë edhe disa denoncime të tjera, të cilat datojnë edhe para 33 vitesh, ndërsa i fundit është bërë 1 vit më parë, për të njëjtat raste abuzimi që doktori në fjalë ka kryer ndaj vajzave dhe grave të tjera. Është një rast i përsëritur. Si ka mundur të integrohet dhe të qëndrojë për një kohë kaq të gjatë një mjek në sistemin spitalor, duke dhënë shërbime për individë të ndryshëm, për vajza dhe djem, në kushte të caktuara? Është një çështje shumë sensitive. Vlerësoj vajzën që denoncoi. Drejtësia e re duhet të reagojë nëpërmjet këtij shembulli, që maniakët, abuzuesit dhe pedofilët të mos shkelin më mbi gjakun e fëmijëve tanë. Deri tani nuk kemi marrë asnjë informacion, as ato që u takojnë avokatëve mbrojtës. Ne jemi një ekip prej 3 avokatësh që po asistojmë viktimën e abuzuar, por jemi të gatshëm të asistojmë edhe të gjitha denoncimet e tjera që do të vijnë. U bëj thirrje grave të vijnë të denoncojnë. Ne ju garantojmë anonimatin e plotë. Në Shqipërinë tonë, ky fenomen ndodh rëndom dhe nuk merren masa të caktuara ndëshkimore, por raste të tilla përfundojnë duke u trajtuar vetëm me arrest shtëpie“, u shpreh avokatja.
E pyetur nëse ka raste ku përfshihen dhe mjekë të tjerë, avokatja sqaroi se nuk mund të përgjigjet për këtë pyetje pasi janë pjesë e hetimit.
Në lidhje me rastin e fundit të denoncuar, ajo sqaroi se “Rasti i fundit është një rast i një vajze të re. Është, mesa duket, mjeku ka pothuajse të njëjtën praktikë pune me të gjitha vajzat që i vijnë. Jemi duke trajtuar, duke mbledhur provat e nevojshme për ta depozituar në polici dhe në prokurori. Nuk kam mundur të njihem me dosjen, pasi ne sot jemi autorizuar me prokurën për të qenë avokatët mbrojtës të vajzës dhe pas kërkesës që kemi bërë në prokurori, ende nuk e kemi marrë informacionin, edhe pse është një situatë e paprecedentë që të mos jepet informacioni. Megjithatë jemi duke drejtuar të gjitha kërkesat zyrtare me shkrim, me email, për t’ia dërguar prokurorisë, në pritje për të marrë informacionin e nevojshëm para dhënies së masës së sigurimit të mjekut“.
Kujtojmë se kallëzimi i së resë u regjistrua këtë të hënë, 11 maj. Sipas denoncimit, e reja ishte paraqitur në urgjencë për dhimbje barku dhe të vjella, dhe pas kontrolleve mjekësore ishte vendosur që të nënshtrohej një ndërhyrjeje për apandesit. Gjatë procedurës, mjeku dyshohet ta ketë ngacmuar seksualisht, duke e prekur në pjesë intime nën pretendimin se po kryente kontroll mjekësor.
21-vjeçarja ndodhet ende e shtruar në Spitalin e Korçës, ndërsa policia ka marrë dëshminë e saj dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe marrjen e masave ligjore ndaj kirurgut.
Kirurgu rezulton i dënuar në vitin 2014 nga Gjykata e Korçës me 2.5 vite burg për “korrupsion pasiv” dhe iu hoq e drejta e ushtrimit të profesionit për 6 muaj.
/tvklan.al



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.