Opinion

Modeli femëror: “Dashuri për Jetën apo Ego Karrieriste”

ccccNga Mimoza Vojka Emanuels
pronare & administratore e kompanisë SAM

Qasja e moralizimi i modelit femëror është: jetë më e mirë për çdokënd. Grave i duhet të vazhdojnë ndërgjegjësimin për vlerat që kanë e të bëjnë lëvizjet e duhura. Burrave i duhet të pranojnë këto vlera e “të shkunden” nga morali i modelit mashkullor…Në shekullin që jetojmë, pjesëmarrja aktive e gruas si drejtuese, në aspekte të ndryshme të jetës, është një fenomen i quajtur i avancuar. E sidomos kur hasim për bizneswomen, avancimi prezantohet si një shkallë më e lartë e emancipimit të gruas e shoqërisë. Si grua që merrem me biznes, ndjeva dëshirën dhe detyrimin, të jap këndvështrimin tim, lidhur me modelin mashkullor e femëror të drejtimit (lidershipit). Më çudit konstatimi: një grua që merret me biznes e ka shumë “të vështirë” jetën. Po pse duhet ta ketë të vështirë? Pse duhet ta marrë këtë angazhim, në qoftë se është kaq e vështirë?

Ky perceptim niset nga moralizimi që i është bërë në shoqëri: “modelit të lidershipit mashkullor”. Modeli standard mashkullor i lidershipit, moralizon faktin se të bësh biznes do të thotë të merresh vetëm me punët e biznesit, të mos kesh kohë për kujdesin për fëmijët, për bashkëshortin, për jetën familjare… etj. Me fjalë të tjera, të bësh biznes, sipas këtij modeli, do të thotë të “shkatërrohesh” totalisht si qenie njerëzore. Kultura jonë shoqërore fillon në mëngjes me përshëndetjen: -Mirë mëngjes, si je? -U lodhe?

Sepse të bësh një punë, sipas këtij morali, do të thotë “të lodhesh”, edhe kur kjo punë është: -zgjimi nga gjumi.
Për moralin mashkullor, të kesh “shumë halle”, është modeli i duhur. Interesanti dhe i duhuri është ai apo ajo, që po lodhet shumë, që po vuan shumë, që nuk ka bërë asnjë mëkat, por nuk po i ecën fati. Sipas modelit mashkullor të drejtimit, të bësh karrierë mjaftojnë aftësitë profesionale, e nuk merret parasysh sa i pranueshëm je për shoqërinë, së cilës do t’i shërbesh. Ajo që unë gjej “të vështirë” në punën time, është modeli që ka standardizuar drejtimi egoist mashkullor.
Ky model ka prishur ekuilibrin jetë-ego, duke sjellë me vete edhe prishjen e ekuilibrit vlerë njerëzore-karrierë. Sipas këtij modeli, vlerat njerëzore janë “jashtë mode”. Për ta, të jetosh do të thotë të arrish majat e karrierës me çdo mënyrë, pa marrë në konsideratë nëse vlera jote e meriton atë pozicion. Kemi njerëz të biznesit, që nuk pëlqejnë të vënë në peshore mundësitë e aftësitë e tyre me atë që kërkojnë të arrijnë. Kjo sepse egoja standard e moralizuar, nuk i lejon të pranojnë se kanë ca limite. Nëse dikush ndodhet në katin e 20, edhe tjetri duhet patjetër të shkojë në atë kat. Ai mund të ndihet mirë në katin e 10, por “egoja model” i thotë: -je i dështuar, sepse ai tjetri është më lart se ty!

E ky model, në shoqërinë tonë, fillon qysh në fëmijëri. Prindërit kanë preokupimin kryesor, që fëmijët e tyre të kenë arsim të lartë, edhe doktoraturë, e nuk peshojnë nëse fëmijët i kanë këto aftësi. Mund edhe “të strapacohen” fëmijët, rëndësi ka të kenë arsimin që fëmija i fqinjit apo i kushëririt, të mos ia “kalojë”. Sipas këtij modeli, prindërit justifikohen duke thënë: -të bëjë arsimin e lartë, të sigurojë jetën. Për veten e tij e ka! Po çfarë jete do të sigurojë ky fëmijë? Jetën ku vetëm egoja e karriera funksionon? A ndihen mirë këta fëmijë? A janë në ekuilibër emocional, mendor e fizik, këta fëmijë? Në shkollat tona merr vlerë pyetja: -çfarë notash ka fëmija? Nuk ka vend për pyetjen: -si sillet fëmija? Ky model, po na çon te shoqëria me njerëz të diplomuar, por me pikëpyetje në vlerat njerëzore. Këtë model po e shohim të zotërohet edhe nga gra drejtuese.

Atëherë lind pyetja: -Pse është mirë që edhe gratë të jenë drejtuese, nëse ato demonstrojnë të njëjtin model drejtimi si edhe burrat? Jo! Gratë me busull, modelin femëror të jetës, kërkojnë ta sistemojnë këtë ekuilibër të prishur. Patjetër njerëzit duhet të bëjnë karrierë, të fitojnë të ardhura të mira, të kenë një vizion ku duan të shkojnë. Mënyra femërore standardizon moralin: para së gjithash të jetojmë mirë. Modelit femëror i duhet të sistemojë moralin e punës. Të punosh nuk do të thotë “të strapacohesh”. Mat nivelin tënd e bëj atë punë, që është brenda limiteve tuaja. Modelit femëror i duhet të sistemojë moralin e jetës: që të jetosh mirë, përpiqu t’i menaxhosh “hallet, vuajtjet”, “fatin jo të mirë” e gëzo të mirat që ke. Modelit femëror i duhet të sistemojë moralin e të bërit karrierë. Duhet të kesh aftësi intelektuale e profesionale, por edhe të jesh i pranueshëm për shoqërinë së cilës do t’i shërbesh. Në normalitetin e modelit mashkullor, dëgjohet shpesh: -luftë korrupsionit, informalitetit… luftë, luftë… Modeli femëror, nuk pëlqen “të shpallë luftë”.
Modeli femëror PUNON për të sistemuar problematikat e jetës. Për modelin mashkullor, përfshirja e gruas në aspekte të ndryshme të jetës, nuk është e pëlqyeshme, madje disa herë edhe e papranueshme. Komplet ndryshe është modeli femëror. Burrat kanë vendin e respektin e duhur në çdo aspekt të jetës, por jo të mbivlerësuar. Modeli femëror u ofron burrave të jetojnë mirë, në paqe, në harmoni me veten e të tjerët. Burrave, në modelin femëror, i duhet të pranojnë vlerën e grave, t’u japin respekt e t’i lënë vendin e duhur. Pra qasja e moralizimi i modelit femëror nuk është shkatërrues për burrat, e kundërta. Qasja e moralizimi i modelit femëror është: jetë më e mirë për çdokënd. Grave i duhet të vazhdojnë ndërgjegjësimin për vlerat që kanë e të bëjnë lëvizjet e duhura. Burrave i duhet të pranojnë këto vlera e “të shkunden” nga morali i modelit mashkullor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button