Kosova

Mogherini bisedë telefonike me presidentët Thaçi dhe Vuçiç

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe zv/presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin e Kosovës dhe atë të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, pas vrasjes së liderit të serbëve të veriut, Oliver Ivanoviç.

Përmes një deklarate në faqen zyrtare të BE-së, thuhet se Mogherini fuqishëm ka dënuar vrasjen dhe se shpreh ngushëllimet e saj për familjen dhe miqtë e Ivanoviçit.

“Ajo theksoi shpresën se autoritetet kompetente të sundimit të ligjit të Kosovës nuk do të kursejnë asnjë përpjekje për të gjetur autorët dhe për të sjell ato para drejtësisë pa u vonuar. Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, do të mbështesë autoritetet në përputhje me mandatin e saj”, thuhet në faqen zyrtare të BE-së.

Mogherini u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë qetësi dhe përmbajtje si dhe të lejojnë sundimin e ligjit dhe drejtësinë për të marrë rrugën e saj.

Kujtojmë se Ivanoviç u vra sot me armë para zyrës së tij në veri të Mitrovicës.

– “Misionet ndërkombëtare në Kosovë dënojnë vrasjen e Oliver Ivanoviçit”

Lidhur me vrasjen e liderin të serbëve të veriut kanë reaguar edhe përfaqësuesit e misioneve të huaja në Kosovë, duke e dënuar të njëjtin.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, është shprehur se është i tronditur dhe thellë i pikëlluar pas lajmit për vrasjen e Ivanoviçit në Mitrovicën e Veriut.

“Ai ka qenë një nga përfaqësuesit më të shquar të serbëve të Kosovës për pothuajse dy dekada. Ka treguar angazhim të palodhshëm në të mirë të komunitetit të tij dhe ka qenë bashkëbisedues i vlerësuar në Kosovë,” ka thënë Braathu, njofton misioni i OSBE-së në Kosovë.

Sipas Braathu-t, vrasja e Ivanoviçit është thellësisht shqetësuese.

“E kam pasur privilegjin që ta njoh personalisht për vite dhe gjithmonë e kam admiruar intelektin, qetësinë dhe përkushtimin e tij. Të shohësh vrasjen e një politikani me gjakftohtësi në vitin 2018 në Kosovë është mendim shqetësues. E dënoj në mënyrën më të fuqishme këtë akt mizor dhe i ftoj zbatuesit e ligjit, por edhe akterët tjerë, që të bëjnë gjithçka që munden për t’i sjellë kryerësit para drejtësisë. Ky do të jetë test i rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë”, ka theksuar Braathu.

Ndërkaq edhe përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shef i UNMIK-ut (Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë), Zahir Tanin, dënon ashpër vrasjen e Oliver Ivanoviçit.

Në një komunikatë nga zyra për media e UNMIK-ut thuhet se “Ai beson që organet hetuese do të punojnë shpejtë dhe në mënyrë efektive, duke siguruar që të gjitha agjencitë ndërkombëtare në terren janë të gatshme për të mbështetur autoritetet në çfarëdo mënyre që mund të ndihmojnë në kapjen e shpejtë të atyre që janë përgjegjës për këtë krim. Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta dhe ato të gjithë familjes së OKB-së, familjes dhe miqëve të Ivanoviç”.

Gjithashtu edhe ambasadori SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, ka dënuar në mënyrën më të fuqishme të mundshme vrasjen e Ivanoviçit mëngjesin e sotëm.

“U bëj thirrje të gjitha institucioneve të drejtësisë në Kosovë, veçanërisht tash që policia, prokurorët dhe gjykatat janë të integruara, të hetojnë këtë incident shpejtë dhe në mënyrë profesionale dhe të nxjerrin autorët para drejtësisë. Nxisim të gjitha palët që të shmangin retorikën e rrezikshme, të jenë të qetë në këtë kohë të ndjeshme dhe të ripërkushtohen për të vazhduar punën drejtë normalizimit të marrëdhënieve dhe përmirësimit të jetëve të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë”, ka porositur Delawie, njofton ambasada e SHBA-ve në Kosovë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button