Kosova

Mogherini: Bisedimet Kosovë-Serbi, rifillojnë në janar

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, tha të hënën se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre do të rifillojnë në muajin janar të vitit 2015.

mogheriniZonja Mogherini që do të ndërmjetësojë vet bisedimet tha se synon fillimin e menjëhershëm, por, “duke e ditur se Krishtlindjet Ortodokse festohen më 7 janar, do të pres që të përfundojnë ato. Do të thosha se janari do të jetë kohë e mirë që të rimbledh kryeministrat për një takim këtu në Bruksel”, tha zonja Mogherini në Bruksel, pas takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian.

Ministrat e jashtëm diskutuan të hënën për situatën në Bosnjë, ndërsa të martën do të diskutojnë edhe për vendet tjera të rajonit, përfshirë edhe Kosovën.

Ata pritet të mirëpresin ndërtimin e institucioneve, duke u tërhequr vëmendjen autoriteteve të Kosovës për detyrimet që ndodhen përballë tyre përfshirë reformat, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, themelimin e gjykatës së posaçme dhe vazhdimin e bisedimeve me Beogradin dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri me tash.

Bisedimet që çuan në një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve i mundësoi Serbisë hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, përparimi i saj në këtë rrugë varet nga rezultatet në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Komisionari i fqinjësisë dhe negociatave të zgjerimit, Johanes Hahn, ka deklaruar se qeveria e Serbisë ka pasur mundësi të zbatojë disa pjesë të marrëveshjeve pa pasur nevojë të pres krijimin e institucioneve të Kosovës, një arsyetim që është përmendur shpesh nga autoritetet serbe.

Po ashtu edhe Kosova tha ai, duhet të zbatojë disa çështje dhe nuk mund të arsyetohet me palën tjetër. “Është e vërtetë se disa çështje kërkojnë bashkëpunimin e të qeverive, ndërsa një pjesë e madhe janë të tilla që duhet të përmbushen nga secila qeveri”, tha zoti Hahn.

Të martën dhe të mërkurën në Bruksel përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojnë bisedimet teknike që përfshijnë çështjet e energjisë, sigurimit kufitar të automjeteve, lejeve të punës për kompanitë në pjesën veriore të Kosovës etj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button