Mojtaba Khamenei thirrje vendeve të Gjirit: Bashkohuni kundër “armikut të vërtetë” të myslimanëve
Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, u ka bërë thirrje vendeve myslimane, veçanërisht shteteve të Gjirit Persik, të bashkohen përballë asaj që ai e cilësoi si “armikun e tyre të vërtetë”. Sipas tij, përçarjet mes vendeve dhe popujve myslimanë u shërbejnë drejtpërdrejt interesave të kundërshtarëve të tyre.
Mesazhi i Khameneit u publikua në llogarinë e tij në Telegram me rastin e Javës së Unitetit Islamik, e cila shënon përvjetorin e lindjes së Profetit Muhamed. Në deklaratë, ai bëri thirrje për forcimin e unitetit mes myslimanëve, bashkëpunim në fusha të ndryshme dhe mbrojtje të ndërsjellë.
Sipas liderit iranian, çdo përpjekje për të krijuar përçarje mes myslimanëve, “me vetëdije ose pa vetëdije”, i shërben armiqve të Islamit. Ai ngriti gjithashtu çështjen palestineze, duke pyetur nëse palestinezët do të kishin mbetur “kaq të pafuqishëm” nëse vendet myslimane do të kishin qenë të bashkuara.
Khamenei nuk është parë në publik që prej plagosjes së tij në sulmet ajrore amerikano-izraelite rreth gjashtë muaj më parë, të cilat shënuan nisjen e luftës së Iranit dhe i morën jetën babait të tij, ish-udhëheqësit suprem Ali Khamenei.
Thirrja e fundit për unitet vjen vetëm një ditë pasi Khamenei iu drejtua popullit iranian, duke deklaruar se kishte ndërprerë veprimet që mund të dëmtonin kohezionin shoqëror. Ai u kërkoi gjithashtu autoriteteve të shmangin “deklaratat dekurajuese” që mund të dobësojnë moralin kombëtar dhe publik.
Në mesazhin e tij, lideri iranian iu drejtua në mënyrë të veçantë sundimtarëve arabë të Gjirit Persik. Ai pyeti nëse “mashtruesit pa identitet” do të kishin guxuar të lakmonin tokat dhe pasuritë e tyre nëse popujt dhe qeveritë e Gjirit do të ishin “të bashkuara nën flamurin e Islamit”.
Marrëdhëniet mes Iranit dhe monarkive arabe të Gjirit kanë qenë prej dekadash të tensionuara. Që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979, shtetet arabe të Gjirit e kanë konsideruar ideologjinë revolucionare të Iranit, retorikën e tij antimonarkike dhe zgjerimin e ndikimit rajonal si kërcënime për sistemet e tyre politike.
Tensionet janë përshkallëzuar edhe gjatë konfliktit aktual, ku Teherani ka goditur objektiva ushtarake amerikane, si dhe infrastrukturë në disa prej shteteve të Gjirit. Kjo ka rritur shqetësimet në rajon dhe ka thelluar përplasjen mes Iranit dhe fqinjëve të tij arabë.
“Rekomandimi im i theksuar dhe i përsëritur për sundimtarët e vendeve islamike, veçanërisht vendet e Azisë Perëndimore dhe të Gjirit, është të identifikojnë armikun e tyre të vërtetë, të kuptojnë planin e tij dhe ta përballojnë atë”, deklaroi Khamenei.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.