Moskontrolli i chat-eve rrezikon mbrojtjen e fëmijëve
Sindikata e Policisë Gjermane (GdP) ka paralajmëruar se lufta kundër abuzimit me fëmijët do të vështirësohet, ndërsa një rregullore në nivel evropian po i afrohet fundit pa një marrëveshje për vazhdimin e saj.
Sindikata deklaroi se përfundimi i afërt i monitorimit vullnetar të bisedave (chat monitoring) në nivel të BE-së do të pengojë ndjeshëm përpjekjet e policisë për të luftuar krimet serioze ndaj fëmijëve dhe të rinjve.
Aktualisht, një përjashtim i përkohshëm u lejon shërbimeve të mesazheve të skanojnë vullnetarisht komunikimet për të zbuluar dhe raportuar materiale të ndaluara që lidhen me abuzimin seksual të fëmijëve, kryesisht imazhe dhe video.
Ky përjashtim skadon më 3 prill.
Bisedimet e zhvilluara këtë javë mes vendeve anëtare të BE-së dhe Parlamentit Evropian nuk arritën të prodhojnë një kompromis për një zgjidhje afatgjatë.
GdP kërkon zgjatjen e këtij përjashtimi deri në gjetjen e një kuadri të qëndrueshëm ligjor për mbrojtjen e fëmijëve në internet – një objektiv që mbështetet edhe nga BE-ja.
Sindikata paralajmëroi se kriminelëve nuk duhet t’u jepet “akses i panevojshëm për të kryer aktet e tyre të neveritshme”.
Nënkryetari federal i GdP, Alexander Poitz, bëri thirrje gjithashtu që policia të pajiset me të gjitha burimet e nevojshme për të identifikuar përmbajtjet kriminale, për të zbuluar autorët dhe për të mbrojtur viktimat./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.